Futboll

Lamtumirë “Fair Play” financiar! Koronavirusi do ridizenjojë futbollin

Janë tre binarë që po ecin domosdoshmërisht paralelisht në këtë moment delikat për botën e futbollit. I pari është ai i shkurtimit të pagave, i dyti është ai i të drejtave televizive, ndërsa i treti, pasojë e dy të parëve dhe që ka të bëjë më shumë me klubet e mëdha, është ai i “Fair Play”-it financiar.

Alarmi i lëshuar nga Andrea Anjeli në emër të ECA-s (shoqatës së klubeve) nuk është vetëm një ftesë për të gjetur një zgjidhje që i lejon klubet të mos përfundojnë në pikën zero. Është një sinjal për diskutim me UEFA-n për rivlerësimin e situatës, për parametrat e kërkuar aktualisht nga klubet për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Esenca e diskutimit, e thënë në mënyrë të përmbledhur është pak a shumë kjo: "regjimi" ekonomik u lejon klubeve një tejkalim prej 30 milionë eurosh mes të ardhurave dhe kostove. Në mungesë të të ardhurave për shkak të Koronavirusit dhe pezullimit të kampionateve e kupave, është e pamundur për të qëndruar brenda parametrave. Për ta bërë më të thjeshtë: si mund të paguhet rroga e Ronaldos apo Mesit pa arkëtuar asnjë euro? Kjo është pyetja që ECA i bën UEFA-s.

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, dhe ai i ECA-s, Andrea Anjeli. Gazeta Si, 28 mars 2020

Në pamundësinë e respektimit të rregullave futen edhe dy binarët e tjerë. Prej ditësh po tentohet në Itali dhe thuajse në gjithë Europën për të gjetur një marrëveshje me lojtarët për shkurtimin e pagave. Një çështje e hapur, që në një farë mënyre do të marrë një zgjidhje. Lojtarët kanë një kontratë dhe për shumë arsye, përveç asaj morale, kanë të drejtën të përfitojnë pagën mujore sipas asaj që kanë firmosur. Klubet, nga ana tjetër, nuk mund të shpenzojnë përtej një limiti, nëse nuk arkëtojnë. Është e njëjta gjë si me një bar që qëndron mbyllur për shkak të Koronavirusit. Në këto kushte ky bar e ka të vështirë të paguajë qiranë dhe furnitorët.

I njëjti diskutim bëhet edhe për të drejtën televizive: pse duhet të paguhet për një spektakël që nuk transmetohet më? Po sponsorët? Pse duhet të shpenzojnë, kur malli që ata prodhojnë është i mbyllur në dollap? Është një temë komplekse, që mund të çojë në një zgjidhje të vetme: “Fair Play” financiar, për mënyrën si është konceptuar sot, nuk ka më sens dhe nuk mund të ekzistojë më. A do të ndryshohet? Ndoshta, sepse kjo çështje ka disa muaj që është në tavolinë. A mund të ketë një zgjidhje të mesme, si për shembull, përjashtimi i sezonit aktual në llogarinë e trevjeçarit? Është e mundur.

Mund të hiqet përfundimisht “Fair Play” financiar? Nuk përjashtohet si mundësi. Ajo që është e sigurt edhe që njohim sot, nuk do të jetë nesër. Ky rregull nuk e ka ekuilibruar futbollin botëror, sipas idesë që ishte në fillim, por e vërteta është se ka evituar falimentimin e ndonjë klubi. Nuk ishte sistem perfekt, por edhe jo i keq. Në çdo rast, “Fair Play” financiar nuk do të jetë më, ose të paktën jo kështu si është tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë