Futboll

Mavraj “mërgon” te grekët e “Aris”

Më në fund, mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, ka gjetur skuadër të re. Ai do të luajë në kampionatin grek në vazhdim të karrierës së tij, me fanellën e Arisit të Selanikut. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi grek, që ka publikuar edhe foton me fanellën verdhezi të mbrojtësit të Shqipërisë. Pritej që mbrojtësi të zyrtarizohej tek Arisi, pasi marrëveshja paraprake ishte arritur më parë. 32-vjeçari do të jetë pjesë e Arisit për dy sezonet e ardhshme dhe pritet që ta ndihmojë këtë ekip me përvojën e tij.

Mërgim Mavraj bashkohet kështu në një ekip me mesfushorin Migjen Basha, i cili kaloi pak kohë më parë tek Arisi. Dy shqiptarët konsiderohen dy afrime shumë të rëndësishme për skuadrën greke, ku më parë është aktivizuar edhe ish-lojatri i Kombëtares, Kristi Vangjeli, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Mavraj në mbrojtje dhe Basha në mesfushë do ta ndihmojnë Arisin me përvojën e tyre në arenën ndërkombëtare.

Mërgim Mavraj me fanellën e Arisit

Sezonin e fundit Mavraj luajti me klubin e njohur të Hamburgut në Gjermani, që për herë të parë në historinë e tij ra nga Bundesliga. Ai pati probleme me drejtuesit e këtij klubi dhe në fundin e sezonit nuk ishte fare pjesë e ekipit, pasi u vendos që të kalonte tek ekipi i dytë. U tha se kishte oferta serioze nga Turqia dhe Arabia për mbrojtësin kuqezi, por tani gjithçka ka përfunduar dhe Mavraj do të luajë në kampionatin grek. Më parë ai është aktivizuar në futbollin gjerman me Hamburgun, Këlnin dhe disa skuadra të kategorive të ulëta.

Ajo që paraqet interes lidhet me faktin se si do të përshtatet Mavraj me Greqinë, që është një vend ortodoks, ndërsa mbrojtësi është një besimtar mysliman praktikant. Futbollisti ka pasur probleme të kësaj natyre në të kaluarën, madje nuk ka pranuar të veshë fanellën e stërvitjes së kombëtares, që kishte të stampuar markën e një pije alkolike dhe që është një nga sponsorët e kuqezinjve.

Edhe pse ka qenë pa skuadër, trajneri Kristian Panuçi e ka grumbulluar Mavrajn për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Skocinë, duke bërë të ditur se mbrojtësi mund ta përballojë njërën nga këto ndeshje me përvojën e tij. Lojtari është stërvitur me një program të posaçëm të dhënë nga stafi teknik i Kombëtares. Tani janë dy lojtarët kuqezinj që kanë mbetur pa ekip, mbrojtësit Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, që nuk janë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë