Keshilla

Lajmet e rreme të javës për Virusin

Ju ka ndodhur besoj këto kohë që të lexoni se vitamina D luan një rol të rëndësishëm për tu mbrojtur nga Covid-19, apo të kontrolloni cdo ditë të dhënat për motin, duke uruar temperatura të larta ditët në vijim sepse kështu jemi më të sigurtë.

Disa të tjerë, në kushte karantine po gjejnë “paqe” me veten duke i “shkelur syrin” alkoolit sepse helbete kemi dëgjuar se ai mund të vrasë edhe virusin, sa kohë që nuk po lëmë gjë pa desifektuar me të.

Por rrugët e infektimit me Covid-19 janë krejt të tjera, ndaj sot me shumë se kurrë duhen dëgjuar ekspertët, më saktë akoma zërat zyrtare.

Prej disa kohësh, këtë gjë po bën edhe ministria e Shëndetësisë italiane e cila cdo jave i kushton një rubrikë të vecantë temës “Fake-News”-ve kryesisht atyre informacioneve që thithin shpejt dhe bindshëm tek njerëzit.  

Këtë javë ministria e Shëndetësisë italiane ka radhitur plot tetë të tilla, si me poshtë;       

1. Virusi është i ndjeshëm ndaj alkoolit, kështu që nëse pi alkool nuk sëmurem me Covid-19

I rremë

Konsumi i shpeshtë i alkoolit nuk ju mbron nga koronavirusi. Pijet alkoolike janë të dëmshme për shëndetin dhe krijojnë varësi. Konsumimi i tyre jo vetëm që nuk ju mbron nga virusi por ju ekspozon në rrezikun e rritjes së sëmundjeve serioze ndaj jush, përfshirë tumoret. Për të parandaluar infeksionin, duhet të qëndroni në shtëpi, të respektoni masat distancuese sociale (të paktën 1 metër larg nga njerëzit e tjerë) dhe të lani duart shpesh me ujë dhe sapun ose ti pastroni me ndonjë solucion me bazë alkooli për të paktën 40-60 sekonda.

2. Moti i ngrohtë vret virusin. Thjesht qëndroni përballë diellit  për të parandaluar infeksionin

I rremë

Nuk ka prova shkencore që ekspozimi i diellit, ose të jetuarit në vendet me klimë të ngrohtë, parandalon infektimin nga koronavirusi. Rastet e Covid-19 janë raportuar edhe në vendet me klimë të ngrohtë.

3. Për tu mbrojtur nga virusi mund të shkoj në farmaci dhe të blej ilaçet e reja eksperimentale

I rremë

Para se një ilac të dërgohet në farmaci, duhet të ketë kaluar disa faza të eksperimentimit që testojnë efektivitetin, cilësinë dhe sigurinë e tij sipas procedurave të mirëpërcaktuara. Vetëm pasi të ketë kaluar të gjitha fazat e testimit, dhe është autorizuar nga autoritetet kompetente, ilaci mund të jetë në dispozicion nëpër farmaci, dhe mund të blihet vetëm me recetë nga  mjeku.

4. Një herë të infektohem, koronavirusi do të mbetet përgjithmonë në qelizat e mia

I rremë

Një person që është infektuar me koronavirus mund të shërohet plotësisht pa lënë asnjë gjurmë të virusit në trup. Pra, të qenit pozitiv me koronavirus nuk do të thotë të infektoheni përgjithmonë.

5. Coronavirus ndikon në sistemin e frymëmarrjes, kështu që nëse jam në gjendje të mbaj frymën time për të paktën 10 sekonda pa u kollitur do të thotë që jam i shëndetshëm.

I rremë

…Mënyra më e mirë dhe e provuar shkencërisht për të konfirmuar nëse keni Covid-19 është me një test laboratorik dhe jo përmes ushtrimeve të frymëmarrjes.

6. Vitamina D mbron nga infeksioni i ri koronavirus

I rremë

Aktualisht nuk ka prova shkencore që vitamina D luan një rol në mbrojtjen ndaj koronavirusit.

7. Për të zbuluar nëse jeni të infektuar me koronavirusin e ri, mjafton të shponi gishtin dhe të shikoni ngjyrën e gjakut: nëse ajo nuk është e kuqe e fortë por është e errët, infeksioni ka ndodhur

I rremë

Asnjë provë shkencore nuk e lidh ngjyrën e gjakut me koronavirusin.

8. Dezinfektuesit shtëpiak mund të bëhen duke përzier zbardhues, kripë të trashë dhe ujë

I rremë

Përzierja e disa produkteve së bashku pa ditur efektet e tyre është e rrezikshme sepse mund të gjenerojnë substanca toksike


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë