Futboll

Laçi vazhdon marshimin, Kukësi rikthehet te fitorja

Me sfidat Laçi-Kastrioti dhe Kamza-Kukësi është mbyllur java e 14-të e Superligës Shqiptare. Kukësi ka marrë një fitore shumë të lehtë në fushën e Kamzës 0-2, ndërsa Laçi ka mposhtur në fund Kastriotin 2-1.

Sfida e luajtur në stadiumin e Laçit ka dhuruar spektakël dhe gola me vendasit që ia kanë dalë në fund të marrin tre pikët. Stavri Nica u rikthye në Kurbin, aty ku ka drejtuar për disa vite, por nuk ia ka dalë që të rikthejë Kastriotin tek fitoret. Laçianët kanë vuajtur shumë për këto tre pikë, pasi golin e parë do e gjenin vetëm në minutën e 61’. Kastrioti do të barazonte përkohësisht, por në minutën e fundit Xhixha i ka dhuruar Laçit këtë fitore shumë të rëndësishme. Me këtë triumf Laçi ngjitet në kuotën e 25 pikëve, duke iu bashkuar Teutës në vendin e tretë dhe tashmë janë dy ekipet që ndjekin nga afër çiftin kryesues të kampionatit Skënderbeu dhe Partizani.

Sfida tjetër e Supërligës e luajtur këtë të diele ka qenë më pak e luftuar. Kamza me trajnerin e ri në stol Ernest Gjoka nuk e ka bërë dot kthesën e pritur dhe është ndëshkuar nga dy autogola që në pjësën e parë. Në fillim Teqja, pastaj Frashëri me dy autogolat e tyre brenda katër minutave i kanë dhuruar këtë fitore Kukësit në fushën e Kamzës. Kamza provoi të reagonte në pjesën e dytë, për të gjetur të paktën golin e nderit, por Kukësi ishte solid në mbrojtje dhe në disa raste i shkoi pranë edhe golit të tretë. Me këtë humbje ekipi kamzali vijon të mbetet në vendin e parafundit në tabelë. Sakaq Kukësi, pas një serie rezultatesh negative, reagon këtë javë dhe tashmë është me 24 pikë në tabelë, por gjithsesi i shkëputur nga dy kryesuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë