Futboll

Laçi dorëzohet në Norvegji, pëson 3 gola

Mund ta quajmë që këtu një histori të mbyllur aventurën e Laçit në Europa League për këtë sezon. Kurbinasit janë mposhtur 3-0 në transfertën norvegjeze nga Molde që tregoi superioritetin e saj. Ekipi i Besnik Prengës nuk ka mundur dot t’i rezistojë furisë së djemve të Solskjaer që ishin të pandalshëm në aksionet e tyre dhe arritën ta mbyllin ndeshjen praktikisht që në pjesë e parë. Takimi ashtu si ai pari me Anorthosisin nuk është transmetuar në asnjë televizion shqiptar dhe ka qenë shumë e vështirë, për të gjetur një mënyrë për ta parë ndeshjen në kohë reale.

Ashtu siç ishte parashikuar, loja nisi vrullshëm që në minutat e para dhe vendasit vendosin nën presion Laçin duke e mos ia dhënë shansin të kalojë nga gjysmë-fushën e tij. Vendasit janë të frikshëm që në minutat e para dhe pas një serie aksionesh të rrezikshme arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës. Goli ka ardhur nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit, pasi në gabimi në zonë të mbrojtësve laçian. Është Haland që ka kthyer në gol një penallti që në minutën e 6-të dhe që nga aty ndeshja merr të tatëpjetën për Laçin. Do duhej të kishte një reagim nga skuadra shqiptare pas këtij goli, por një gjë e tillë ka munguar.

Edhe pas këtij goli skuadra norvegjeze nuk ka ndaluar me aksionet e saj, teksa ka kërkuar vazhdimisht golin e dytë. Dhe nuk do të vononte shumë në fakt rrjeta e dytë. Në minutën e 24’ do të ishte Hestad, ai që dyfishoi avantazhin për vendasit.

Në shifrat 2-0 do të mbyllej pjesa e parë e ndeshjes, teksa edhe në 45 minutat e dyta vijon e njëjta simfoni, me Molde që sulmojnë dhe Laçin që mbrohet, duke mos treguar shenja reagimi. Gjithsesi, në minutën e 79’ skuadra norvegjeze ia del të shënojë edhe golin e tretë dhe që nga ai moment ndeshja dhe kualifikimi kthehet në një çështje të mbyllur për Laçin.

Me rezultatin 3-0 ndeshja e kthimit pas një jave, tashmë mbetet vetëm një formalitet dhe Laçi mund ta quaj veten të eliminuar edhe pse për kaq sa arriti në Kupat e Europës këtë verë duhet të ndjehet krenar, pasi të paktën një raund e kaloi.

Drita humbet, por ka shpresë

Sakaq edhe skuadra tjetër shqiptare, Drita e Gjilanit është mposhtur në sfidën e saj me Dudelange. Por në dallim nga Laçi, Drita është mundur me rezultatin 2-1, në Luksenburg, çka do të thotë se ka ende shpresë për të kaluar më tej, pasi një fitore 1-0 në shtëpi mund t’i kualifikonte. Vlen të përmendet se për këtë ndeshje në mediet kosovare ka pasur një diskutim të fortë sa i përket çështjes së arbitrimit.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë