Ka ndodhur

Laborator kanabisi në Kurbin, shpallet në kërkim Drejtori i Kadastrës

Një 24-vjeçar është arrestuar dhe një 41-vjeçar është shpallur në kërkim pas një operacioni anti-drogë të finalizuar nga Policia e Kurbinit.

Ky i fundit mësohet se është Drejtori i Kadastrës së Kurbinit, Edmond Stojani.

Policia thotë se 24-vjeçari, V.H., dhe 41-vjeçari, të dy banues në Kurbin kishin kthyer dhe përshtatur magazinën në laborator kanabisi, nëpërmjet ngrohjes me llamba.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar një armë zjarri pushkë me dylbi e montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit, u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa të kultivuara në vazo.

Në ndërtesë u konstatua  një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, "Armëmbajtja pa leje" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë