Champions League këtë sezon do të jetë shumë ndryshe nga vitet e shkuara. Ky edicion i Ligës së Kampionëve do të jetë më i pasuri i të gjitha kohërave. Kosto totale që pritet të prodhojë ky kompeticion në këtë edicion me 32 skuadrat finaliste pritet të shkojë deri në 1.95 miliardë euro, gati 600 milionë më shumë se ai i vitit të shkuar, ku triumfoi Real Madrid.
Përveç të gjithave, sipas analistëve edhe pjesëmarrja e katër skuadrave italiane, – Juventus, Inter, Napoli e Roma e rrit akoma dhe më shumë vlerën e Ligës së Kampionëve. Është një format i ri në shumë drejtime, si në atë të pjesëmarrjes te drejtat televizive, por edhe të ardhurat që vijnë nga sponsorët.

Deri në vitin e shkuar ishin dy elementët kryesorë për përfitimet në Ligën e Kampionëve. Njëra kishte të bënte me pjesëmarrjen në ndeshje dhe rezultatet që peshonin në 55% të fitimeve dhe pjesa tjetër që lidhej me të ardhurat e marketingut dhe të drejtat televizive që kishte 45% të peshës së fitimeve. Kjo e fundit sa i përket të ardhurave nga e drejta televizive shpërndahej në bazë të pagesave që bëheshin nga vendet, që vinin skuadrat. Pikërisht për këtë arsye, Juventus që humbi në finale dy vite më parë, fitoi 30 milionë euro më shumë se Real Madrid që ngriti trofeun.

Kjo shpërndarje tashmë do të ndryshojë dhe do të bëhet në bazë të rezultateve që ekipet do të japin në fushën e lojës. Tashmë të drejtat televizive, që do të shpërndahen me bazë vendin e origjinës do të kenë vetëm 15% peshë në totalin e fitimeve të klubeve. Sakaq shuma totale që do iu shpërndahet klubeve për pjesëmarrjen do të jetë 488 milionë euro, në bazë të raundeve që do të kalojnë.
Një rëndësi të madhe do të kenë rezultatet që ekipet do të marrin në fushën e lojës. Fondi që ekipet do të kenë dispozicion për këtë drejtim në total do të jetë 585 milionë euro. Por përpara të gjithë këtyre të ardhurave të 32 ekipet që marrin pjesë këtë vit, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve i kanë marrë nga 15,25 milionë euro. Në formë bonusesh janë parashikuar 2.7 milionë euro në rast të fitores, me një rritje prej 800 mijë euro dhe 900 mijë euro mund të fitojë një skuadër nëse merr një barazim në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Kalimi i grupit iu siguron një shumë prej 9.5 milionë euro klubeve, ndërsa kualifikimi në çerekfinale vlen 10.5 milionë euro. Ndërkohë për skuadrat që do të shkojnë deri në gjysmëfinale ka një shpërblim prej 12 milionë euro. Finalistët do të marrin nga 15 milionë euro, shumë e cila për fituesin mund të shkojë deri në 19.5 milionë euro, pasi 4.5 do i siguronte nga finalja e Superkupës.

Një tjetër zë që ka shumë vlera përfitimesh në këtë edicion të Champions League është edhe shpërblimi që Uefa jep për pjesëmarrjen historike të skuadrave. Këtu koeficienti është i thjeshtë, pasi merret për bazë ecuria dhe pjesëmarrja e klubeve në 10 vitet e fundit në këtë kompeticion. Real Madrid ka përfitimin më të madh, pasi është ajo që ka bërë më mirë në 10 vitet e fundit me 5 finale dhe katër trofe, duke u ndjekur më pas nga Barcelona, Bayern, Juventus dhe të tjerat me radhë. Për këtë burim për shembull nëse Juventus do të shkonte deri në finale do të fitonte në maksimum 60 milionë euro, ndërsa Inter mund të fitonte deri në 50 milionë euro edhe nëse shkon deri në finale. Me gjithë këto mundësi të hapura nga Uefa, pa asnjë diskutim që 32 klubet do duhet të jenë të lumtura, pasi arkat do i kenë plot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.