Para

Kuvendi miraton 75 mln euro borxh për turizmin dhe pandeminë

Kuvendi miratoi tre marrëveshje, dy me BERZH dhe një me Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, turizmin dhe përballjen me pasojat e tërmetit dhe të pandemisë. Gjithashtu, në këtë seancë u miratua përbërja e Komisionit Hetimor “Dick Marty” dhe u rrëzua dekreti i Presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Policinë e Shtetit.

Me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në rend të ditës ishte miratimi i dy marrëveshjeve. E para lidhej me turizmin, ku Shqipëria do të marrë një kredi prej 60 mln eurosh, që sipas marrëveshjes ndahet në dy transhe me nga 30 mln euro, ndërsa marrëveshja e dytë ishte një kredi prej 15 mln eurosh që Shqipëria merr për t’u përballur me pandeminë.

Marrëveshja e tretë e ratifikuar është ajo e nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së mbajtur në Emiratet e Bashkuara Arabe më 26 nëntor. Bëhet fjalë për një marrëveshje kuadër, që vendos kornizat e bashkëpunimit, por pa detajuar efektet financiare. Sipas kësaj marrëveshjeje, tre janë zonat ku pala arabe ka shprehur interes.

Zona e parë bën fjalë për rizhvillimin e Portit të Durrësit. Nuk ka ende një projekt, por më herët Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se porti aktual i Durrësit do të shfrytëzohet vetëm për pasagjerë dhe turizëm, ndërsa porti i mallrave do të ndërtohet në Porto Romano për t’i shërbyer edhe zonës së lirë ekonomike të Spitallës.

Neni 6 nga marrëveshja meEmiratet e Bashkuara Arabe

Të trija marrëveshjet u miratuan në Kuvend me mbi 90 vota pro. Marrëveshja me BERZH për huanë prej 15 mln eurosh për pandeminë u votua kundër nga deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni, që tha se nuk kundërshtonte kredinë, por destinacionin e parave, që sipas tij, nuk ishin qytetarët.

Në këtë seancë u miratua edhe propozimi i deputetëve Milva Ekonomi dhe Ervin Bushati për shtyrjen e afatit të për paraqitjen e kërkesave nga subjektet që duan të përfitojnë statusin e investitorit strategjik deri më 31 dhjetor të 2021.

Mes çështjeve të tjera të miratuara ishte edhe përbërja e Komisionit Hetimor për raportin e Dick Marty-t. Nga shumica anëtarë do të jenë deputetët Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj dhe nga opozita parlamentare Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Rroshi dhe Elena Xhina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë