Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare ku në fokus do të jenë diskutimet dhe shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027, si dhe i Paketës Fiskale.
Të dyja nismat kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare.
Seanca pritet të shoqërohet me debate politike, ndërsa Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh, për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve. Mes tyre janë edhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Një ditë para seancës, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri të qartë qëndrimin e opozitës, duke deklaruar se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit. Ai e cilësoi hartimin e tij si një proces të zhvilluar në mungesë transparence dhe pa konsultime me qytetarët apo përfaqësuesit e biznesit.
Sipas Berishës, projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar përfituesish, ndërsa barra financiare bie mbi qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare.
Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do t’u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në seancë plenare për votimin përfundimtar.
Çfarë parashikon rendi i ditës?
Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, deputetët do të shqyrtojnë edhe disa ndryshime në legjislacionin fiskal, që prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social, një vendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje