Ne rrjet

Kushti i Albin Kurtit për minishengenin dhe shembulli se kush përfiton ekonomikisht

Albin Kurti nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me Shengenin Ballkanik. Ai këmbëngul se ka një nxitim në këtë proces nga ana e Shqipërisë dhe tregon kushtin që ka për të marrë pjesë në këtë nismë.

“Pa reciprocitet me Serbinë nuk do të ketë pjesëmarrje të Kosovës në minishengenin ballkanik”, deklaroi kreu i Vetëvendosjes në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel.

Kryeministri Edi Rama mbron nismën për Shengenin Ballkanik, që e sheh edhe si një mekanizëm që do të heqë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por, për Albin Kurtin shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri nuk u nevojitet një shengen me Serbinë, por vullnet politik i dy qeverive në Prishtinë dhe Tiranë.

“Nuk besoj që liria e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë kalon nga Novi Sad dhe Ohri, por nga Morina. Këtë do ta bëjmë përmes bashkëpunimit dhe dy qeverive tona”, deklaroi ai.

Duke e parë Shengenin Ballkanik nga këndvështrimi ekonomik, Albin Kurti, pasi nënvizoi faktin se Serbia ka ekonomi dominuese në krahasim me ekonomitë e dy shteteve shqiptare, solli një krahasim të thjeshtë, që sipas tij ilustron më së miri nismën në fjalë.

“Nga tregu i lirë Gjermani-Francë, përfitojnë të dyja vendet, por nga tregu i lirë Gjermani-Somali dihet se kush fiton”, deklaroi ai.

Kreu i Vetëvendosjes, që pritet të marrë postin e Kryeministrit shprehu pakënaqësinë, që sipas tij, janë keqpërdorur qortimet dhe mospajtimet mes tij dhe Edi Ramës. Ai u distancua nga Vetëvendosje në Shqipëri.

“Këto keqinterpretime bëhen nga ata që nuk duan bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kemi afërsi me PS-në, por dega jonë në Shqipëri, nuk është as pozitë dhe as opozitë. Unë nuk jam Boiken Abazi, as Enis Sulstarova, ata drejtojnë degën e Shqipërisë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë