Politike

Kushtetuta, çfarë dhe si ndryshoi

Dy janë nenet e Kushtetutës që u ndryshuan me 106 vota pro dhe dhjetë kundër në seancën e fundit të sesionit parlamentar të Kuvendit.

Bëhet fjalë për nenet 64 dhe 68. Që të dyja nenet lidhen me procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e tij. Por çfarë dhe si ndryshoi? Gazeta “Si” sjell parashikimet aktuale të këtyre dy neneve dhe mënyra si ndryshojnë ato pas hyrjes në fuqi të votimit të në Kuvend.

Neni 64 ishte:

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
  2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
  3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Neni 64 bëhet:

  1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar.
  2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
  3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”

Neni 68 ishte:

  1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
  2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

Pika 1 e nenit 68 bëhet:

1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kundërshtojnë këto ndryshime dhe në propozimin e bërë në Këshillin Politik thanë se mjaftonte heqja e fjalisë “Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës” në pikën e parë të nenit 68 që të sigurohej hapja e listave 100 për qind me kusht që të mos ndryshohej formula e koalicioneve dhe e përllogaritjes së mandateve. Opozita kërkoi që nenin 64 të mos ndryshohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë