Politike

Meta-Rama rikthehen në llogore! Presidenti: E ftove popullin në përballje. Kryeministri: S’ke shanse për konflikt

gazetasi

Në kohën që deputetët në Parlament votonin një nga një për ndryshimet kushtetuese që hapin lista dhe ndryshojnë formulën e koalicioneve parazgjedhore, Presidenti Ilir Meta postoi në rrjetet sociale një video-fragment nga protesta e 2 marsit, e thirrur prej tij në mbrojtje të Kushtetutës.

Presidenti nuk e shpreh me fjalë, por konteksti është i qartë; ai nuk pajtohet me nismën e mazhorancës dhe paralajmëronte tërthorazi një protestë të ngjashme me 2 marsin.

Por, ende pa u përhapur mirë nëpër media dhe publik ky paralajmërim i Ilir Metës, në Kuvend mësohet rezultati i votimit. 106 vota shkuan pro ndryshimeve dhe vetëm 10 kundër. Pas kësaj vote, Presidenti ishte më i drejtpërdrejtë.

“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!”, shkroi ai.

https://twitter.com/ilirmetazyrtar/status/1288817463258484736

Meta nënkupton e do të kundërshtojë deri në fund këto ndryshime dhe akuzon Ramën se me këtë akt ftoi popullin në protestë që të marrë në dorë fatet e veta.

“Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë”, deklaroi Meta.

Edi Rama iu kundërpërgjigj, duke i kujtuar se “sipas Venecias është shkelës përsëritës i Kushtetutës” dhe i thotë se ndryshimet ai jo vetëm që s’mund t’i ndalojë, por do të detyrohet që t’i pranojë, ashtu si gjithë të tjerët”.

“…siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s'ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin”, deklaron Kryeministri.

https://twitter.com/ediramaal/status/1288820978357866496

Në replikën Meta-Rama nuk lihen menjanë as ndërkombëtarët. Rama u kërkoi këtyre të fundit gjatë fjalës në Kuvend që të respektojnë të drejtën dhe sovranitetin e Parlamentit të Shqipërisë, të cilit i takonte edhe vendimi për ndryshimin e Kushtetutës.

Për Metën, qëndrimet e disa ndërkombëtarëve shkojnë përkundër aspiratës së Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa Ramës i “premton përgjigjen qytetare”.

“Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”, thotë Presidenti.

Rama thotë se me këto qëndrime kundër ndërkombëtarëve, Ilir Meta nuk po bëhet personalisht qesharak, por po bën të tillë gjithë shtetin shqiptar.

“Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët, siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s'të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria”, përgjigjet Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë