Politike

Ndërkombëtarët: Dialogu të vijojë, ndryshimet kushtetuese të pasqyrohen në Kod

Të gjithë ndërkombëtarët kanë një qëndrim pas kalimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese; ato duhet të implementohen më tej në Kodin Zgjedhor përmes një procesi gjithëpërfshirës në Këshillin Politik si dhe të respektohet marrëveshja e 5 qershorit.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, ka reaguar përmes një postimi në Twitter.

“Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk është gjetur më shumë kohë në fazën përgatitore për të arritur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara nga Parlamenti më 23 korrik për të zbatuar marrëveshjen e 5 qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli Europian kur vendosi për hapjen negociatave në Mars

Tani është thelbësore që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura plus roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe  gjithëpërfshirëse përpara se të votohen...”, shkruan Pisonero

Edhe raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos thekson përmes një postimi në Twitter se partitë  brënda dhe jashtë Kuvendit duhet të vijojnë dialogun konstruktiv mes tyre

Florian Hahn, raporteri për Cështjet Europiane në Bundestag ka kërkuar gjithashtu që “të gjitha palët duhet të vazhdojnë punën e mirë sëbashku”.

Edhe Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, ka kërkuar vijimin e dialogut.

“Shpreh keqardhjen që me gjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit...”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë