Pas takimit një orësh me aleatët dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, Lulzim Basha, në emër të opozitës së bashkuar, përcolli një deklaratë politike pa specifikuar hapat konkret që do të ndërmarrë.
Ajo që lihet të kuptohet qartë është se opozita do të futet në zgjedhje, porse paralajmëron se këto ndryshime kushtetuese nuk do të jenë të detyrueshme nga ajo për tu zbatuar. Se si, Basha nuk shpjegoi konkretisht.
“Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar.
Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët.
Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret.
Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm.
Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht”, tha Basha në praninë e drejtuesve të partive aleate.
“Atyre që kërcënojnë të na kthejnë në të shkuarën e partisë-shtet, - vijoi ai, - ne do t’u tregojmë se nuk ka më kthim pas.
Prandaj, ne do të vazhdojmë betejën për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën e lirë, dhe për të fituar zgjedhjet bashkë me shqiptarët”.
“Asgjë nuk e ndal dot koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës. Për ditë më të mira për familjet tona, për prindërit tanë, për fëmijët tanë.
Fuqia jonë është tek vota dhe mbështetja e qytetarëve. Ky vullnet nuk zhbëhet dot nga maskarada si kjo e sotmja.
Opozita e bashkuar do ta sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarët! Sado të përpiqen ta manipulojnë sistemin, koalicionin e madh të shqiptarëve nuk e tjetërsojnë dot.
Ne qëndrojmë të bashkuar dhe flasim njëzëri: kur të vijë dita e zgjedhjeve, në Shqipëri do të vendosë vetëm vullneti i popullit shqiptar”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.