Ne rrjet

Kush po spiunon në Shtëpinë e Bardhë?

Gjetja e një sërë pajisjesh spiunazhi pranë Shtëpisë së Bardhë dhe një sërë zyrash të rëndësishme në Uashington DC, duket se ka vënë në alarm të gjitha agjencitë amerikane të inteligjencës, të cilat po e drejtojnë njëkohësisht gishtin nga Izraeli, një nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar të gjitha raportet se vendi i tij po spiunonte SHBA-në, ky skandal ka shkaktuar një bujë të jashtëzakonshme.

Lajmi i publikua fillimisht nga gazeta amerikane “Politico”, e cila citonte tre ish zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët thonë se Izraeli fshihej pas pajisjeve të spiunimit që ishit gjendur  pranë Shtëpisë së Bardhë disa javë më parë.

Por një deklaratë nga zyra e zotit Netanyahu deklaroi se kjo ishte "një gënjeshtër e madhe”.

"Ekziston një angazhim i gjatë dhe një direktivë që qeveria izraelite të mos përfshihet në ndonjë operacion inteligjence në SHBA”, deklaroi ai.

I pyetur nga reporterët të enjten në lidhje me këto raporte tronditëse,  Presidenti Donald Trump, tha se ai nuk besonte që Izraeli po spiunonte SHBA-në.

Benjamin Netanyahun dhe presidenti Donald Trump, Gazeta Si, 13 shtator 2019

"Me të vërtetë do ta kem vështirë ta besoj, marrëdhënia ime me Izraelin ka qenë e shkëlqyer," tha Trump, duke përmendur daljen nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vendimin e diskutueshëm të administratës së tij për të transferuar ambasadën amerikane në Jeruzalem.

"Unë nuk e besoj këtë histori. Çdo gjë është e mundur, por refuzoj ta besoj”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Çfarë thotë Politico?

Akuzat e rënda erdhën pas një lajmi ekskluziv nga gazeta amerikane “Politico”. Disa pajisje spiunazhi raportohet se u gjetën pranë rezidencës presidenciale dhe nga zyra të tjera të ndjeshme në të gjithë Uashington DC.

Këto pajisje bënim të mundur përgjimin e telefonave, regjistrimin e vendndodhjes së tyre, identitetit e personave që po komunikonin dhe mbi të gjitha përgjimin e bisedave dhe përdorimin e të dhënave.

Një nga ish zyrtarët foli në mënyrë anonime duke thënë se këto pajisje ka të ngjarë të jenë vendosur për të spiunuar Presidentin Trump. Ai tha se nuk është e qartë nëse autorët kanë “shtënë në dorë”  informacione që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare amerikane.

“Agjentët e FBI-së kanë nisur hetimet për të zbuluar nga kanë ardhur. Ishte shumë e qartë se izraelitët ishin përgjegjës," i tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës gazetës “Politico”.

I njëjti zyrtar kritikoi gjithashtu administratën Trump, duke thënë se nuk i kërkoi llogari publike ose private qeverisë izraelite për dyshimet për spiunazh.

Por edhe pse Netanyahu ka mohuar këto raporte, Izraeli ka spiunuar disa herë SHBA-në në të kaluarën.

Rafi Eitan , një agjent i Mossadit u ekspozua në vitet 1980 si kontakti kryesor i Jonathan Pollard, një analisti amerikan që i dha mijëra dokumente të fshehta të inteligjencës amerikane, Izraelit.

Në vitin 2006, ish-punonjësi i Pentagonit, Laurence Franklin u dënua me 13 vjet burg për kalimin e dokumenteve të klasifikuara që lidheshin me Iranin.

“Sipas tre ish zyrtarëve të lartë amerikanë, qeveria në Uashington arriti në përfundimin brenda dy viteve të fundit se Izraeli ka shumë të ngjarë të vendosë pajisje për mbikëqyrjen e telefonave celularë që u gjetën pranë Shtëpisë së Bardhë. Por, ndryshe nga shumica e rasteve të tjera kur janë zbuluar incidente flagrante të spiunimit në tokën amerikane, administrata Trump nuk i kërkoi llogari qeverisë izraelite”, shkruan “Politico”.

 “Trump personalisht i shkel shpesh protokollet e sigurisë së Shtëpisë së Bardhë. Deri në maj të vitit 2018, presidenti shpesh përdorte një celular që mund të përgjohej për të komunikuar me miqtë. New York Times më pas raportoi se spiunët kinezë shpesh përgjonin telefonatat e zotit Trump, duke bërë që presidenti të ndërronte telefoni celular.  Bazuar në një analizë të hollësishme, FBI-ja është e sigurt se agjentët izraelitë ishin ata që kishin vendosur pajisjet. Sipas tre zyrtarëvë të lartë të inteligjencës amerikane, disa prej agjentëve që vendosën pajisjet e spiunazhit shërbenin në poste të larta të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare të Izraelit”, thekson gazeta amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë