Mendim

Kush po i bën presion qeverisë për bonot?

Nga Gazeta Si - Thirrja që një kryeministër u bën qytetarëve për të investuar në bono dhe obligacione nuk është e zakonshme. Madje në Shqipëri është e rrallë, në mos e vetmja herë deri tani.

As nivele të tjera poshtë kryeministrit nuk kanë bërë thirrje të ngjashme për ta klasifikuar lajmin e sotëm si të zakonshëm.

Nga ana tjetër, individët nuk është se nuk kanë marrë apo nuk po marrin pjesë në blerje bonosh. Ata janë një kontigjent i përhershëm i investimeve në çdo ankand të Bankës së Shqipërisë. Ndaj thirrja që ata të shtohen në numër, duket e pazakontë.

Për sa kohë normat e interesit janë të larta dhe pritshmëritë janë që mund të rriten edhe më, bonot dhe obligacionet si një instrument borxhi i garantuar 100 për qind, janë një mënyrë e mirë dhe thirrja e kryeministrit nuk është dashakaqe.

Por ama situata nuk është aq naive sa të mos e kuptosh që qeveria po fillon të ndihet nën presion nga tregu.

Ka kohë që normat e interesit po rriten dhe kostoja e borxhit që do të kthejë qeveria do të jetë më e lartë. Ajo do të duhet të paguajë një çmim më të shtrenjtë se më parë.

Banka e Shqipërisë ka rritur pesë herë normën bazë në ekonomi, në një përpjekje për të luftuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve në vend. Nga niveli më i ulët historik që ishte në shkurt të këtij viti, prej 0.25%, norma bazë arriti në fund të tetorit në 2.75%.

Madje në disa nga ankandet e fundit, qeveria është ndjerë në presion nga investitorët të cilët kanë kërkuar të investojnë në bono në këmbim të një interesi më të lartë se ai i deklaruar. Për shkak të këtij presioni për interesa më të larta, ka pasur raste kur qeveria nuk ka mundur të gjejë të gjithë/të plotë financimin pasi çmimi i lekut ka qenë i shtrenjtë.

Nën presionin e interesave të larta qeveria është treguar e pakënaqur me vendimet e BSH për të rritur normat. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë është shprehur se nuk do të lejojë rritjen më tej të normës së interesit nga hera e fundit që u shpall nga Banka Qendrore megjithëse ajo nuk ka asnjë gjë në dorë të ndalojë një vendim të pavarur të kësaj banke.

Presioni për çmim të lartë të borxhit, vjen nga blerësit më të mëdhenj që janë bankat. Paratë e tyre zënë pjesën më të madhe të financimit në letrat me vlerë të qeverisë.

Ndaj ka logjikë që thirrja e kryeministrit sot më shumë sesa një këshillë financiare e mirë është një thirrje për ndihmë. Qeveria shpreson se qytetarët do të bëjnë më pak presion për interesat sesa bankat, pasi individualisht janë aktorë më të vegjël në treg, por në tërësi ata mundet të financojnë kërkesat e herëpashershme të qeverisë për borxh.

Mirëpo t’i investosh do të thotë që t’i marrësh paratë dikur tjetër. Individët kanë mundësi të pakësojnë depozita në bankë për t’i rifinancuar përmes bonove. Kjo sjellje mund të sjellë një valë negative tërheqjesh që ka risqe për sistemim.

Ndaj situata ka nevojë të mbahet në vazhdim dhe qeveria nuk duhet të mendojë se e ka zgjidhur hallin në të dyja rastet. Nëse ajo nuk gjen mënyra të rrisë ekonominë, rreziqet mbeten paçka se herë duken më të vogla dhe herë më të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë