Politike

Kush përfiton nga paga e luftës? Rama sqaron fashat, madje edhe ata… që punojnë në të zezë

Kush e përfiton pagën e luftës? Në një komunikim online në faqen e tij në Facebook, Kryeministri Edi Rama përmblodhi në disa minuta kategoritë që do të përfitojnë, i nxitur edhe nga shumë pyetje që i janë adresuar. " Pensionistëve u kemi derdhur në llogarinë e përgjithshme të pensioneve 21 milionë dollarë dhe pensioni i tyre do të rritet që këtë muaj, përmes indeksimit që natyrisht nuk është shumë por sidoqoftë është më shumë sesa ishte dhe ndërkohë po u shërbejmë nëpër shtëpi të gjithëve, barnat e rimbursueshme i kanë marrë deri tani tek dera, 25 mijë e 657 pensionistë, ndërkohë që skuadrat tona në bashki i ndihmojnë për pazarin e me radhë, nevoja të natyrave të ndryshme, të gjithë ata që janë të vetmuar dhe ne nuk do t'i lëmë kurrë vetëm."

Ai tha se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë marrjen e aplikimeve online nga të gjitha bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të luftës dhe që do të marrin, sipas tij, pagë lufte. Paga e luftës, sipas tij, do të derdhet direkt në llogaritë e tyre duke marrë garancinë nga bankat se nuk do të mbajnë asnjë komision për pagat. Rama tha gjithashtu se nga kjo paketë përfitojnë edhe kopshtet e shkollat private e madje edhe taksistët.

“Edhe kopshtet apo shkollat private, apo ata që merren me transportin e qytetarëve, sqaroj se edhe këto kategori janë përfituese gjithnjë nëse në këto biznese xhiro nuk i kalon 140 mijë usd në vit, taksitë gjithashtu përfitojnë meqënese me kanë pyetur shpesh këto ditë”, - tha ai.

Eshtë gati për lëvrim, sipas tij, edhe dyfishi i ndihmës ekonomike për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike.

Rama foli edhe për ata që sot janë në vijën e zjarrit.

“Sistemi ynë spitalor është në gjendje shumë të qëndrueshme e vazhdojmë furnizimin e stokut të luftës edhe për ditë të këqija që mos e dhëntë zoti. Ndërkohë mjekët dhe infermierët që janë në vijën e zjarrit do të marrin këto ditë pagën mujore dhe sic e kemi premtuar do të kenë edhe 1000 euro, ndërsa personeli mbështetës në vijën e zjarrit deri te sanitarët e shoferët e urgjencës kombëtare do kenë 500 euro plus pagës. Deri kur të mbarojë lufta, e pacientit i fundit të lërë spitalet tona, të gjithë këta do të vazhdojnë të paguhen po kështu”, tha ai. Për herë të parë Rama foli edhe për ata që punojnë në të zezë.

“ E di mirë po ashtu që kemi një problem real me ata që punonin në të zezë e që tani rrinë në shtëpi. Por miq, ne nuk mund të bëjmë dot asgjë symbyllur dhe në këtë drejtim, nuk ndajmë dot symbyllur ne një ndihmë për kë punonte në të zezë, sepse pastaj i bie që të vijë kushdo e të thotë më jepni edhe mua një pagë luftë, se unë kam punuar në të zezë. Ne pa diskutim mund t'ju ndihmojmë, ama vetëm nëse ju na i hapni sytë e na tregoni se ku keni punuar në të zezë, në cilën kompani a biznes dhe kush ju ka paguar në të zezë! Kjo jo për të penalizuar punëdhënësit për shkeljen e rëndë që kanë bërë, duke ju mbajtur në të zeze, por për të verifikuar rastin e për t'ju dhënë hakun! "

Paketa e dytë e zgjerimit, sipas tij, do të jetë jo më parë sesa 15 prilli.

"Ndërsa përfituesit e mundshëm nga zgjerimi i paketës mbështetëse, do t'i përcaktojmë jo më parë se sa 15 prilli, sepse duhet të shohim me patjetër të dhënat nga fronti i luftës, që të mos bëjmë hesape pa hanxhiun kur i thonë si ato që dëgjoni rëndom nëpër televizorë, kur flitet si nga hëna e jo nga lagja më e varfër e Europës, ku gjendet edhe shtëpia jonë, Shqipëria. Imagjinoni sikur në familjen tuaj t'i hyni e t'i mbaroni për një ditë ato që keni në shtëpi për një javë, së çfarë ndodh në ditën e katërt e lërë pastaj se si mund të shkojnë punët në ditën e shtatë. Ne po punojmë intensivisht për të siguruar edhe financime nga jashtë vendit, por lufta që na ka zënë derën nuk është as lokalë, as rajonale, po është një luftë botërore, është lufta e tretë botërore dhe kanalet e financimit përmes bankave të huaja apo institucioneve të tjera financiare, s'janë zgjeruar por janë shumë më të ngushta se sa ishin përpara shpërthimit të luftës", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë