Ne rrjet

“Kush mendon se kontrollon median?” Cicërima që shkundi rrjetin

Elon Musk është vënë në qendër të kritikave për komente antisemitike, pas përgjigjes që i ktheu një pyetjeje në lidhje me mediat.

Joshua Topolsky, një publicist online dhe themelues i faqes “TheOnline” pyeti përmes Twitter-it bosin e Teslas dhe Space X.

“A mendoni që është në interes të njerëzve të pushtetshëm që A: të mbështesin një media të lirë që do t’u publikonte gënjeshtrat dhe B: Apo ta godasin atë, kështu që e kanë më të lehtë që të vazhdojnë të gënjejnë?”, ishte pyetja e tij.

Elon Musk iu përgjigj me një tjetër pyetje. “Kush mendoni se “i zotëron” mediat? Zgjohu!”, shkroi ai.

Ky koment pasoi mijëra e mijëra komente të ndjekësve të Elon Musk, që i kërkonin që të ishte më i qartë. Të dielën, Ben Collins, gazetar i NBC News në Shtetet e Bashkuara tha se kjo “cicërimë” e Elon Musk kishte tërhequr shumë komente antisemitike dhe i bëri thirrje që t’i dënojë.

Javën e kaluar, Elon Musk i shpalli luftë medias, duke u zotuar se do të ngrinte një faqe interneti, ku lexuesit dhe përdoruesit do të vlerësonin sipas besueshmërisë gazetat, botimet online, gazetarët, televizionet dhe gjithë industrinë mediatike. Tha se këtë faqe do ta quante “Pravda”, fjala ruse për “E vërteta”.

Më vonë tha se nuk kishte mundësi që të regjistronte një domain me këtë emër dhe bleu pravduh.com.

Përplasja me median nisi pas raportimeve të tyre që Tesla po humbet 6500 dollarë për minutë si pasojë e problemeve të Modelit 3 të saj. Madje raportimet shkuan deri aty sa të hamendësohej nëpër faqe të ndryshme se Elon Musk rrezikonte shkarkimin nga bordi drejtues i kompanisë së tij. Të gjitha këto raportime, ai i quajti të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë