Bota

Kush është Burnham, ‘mbreti i veriut’ që pritet të zëvendësojë Starmer-in

Nga Gazeta ‘Si’- Andy Burnham po përmendet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Laburiste dhe për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe, pas dorëheqjes së Keir Starmer.

Pozitat e tij janë forcuar edhe më tej pas fitores në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, rezultat që ka rritur pritshmëritë për një rikthim të tij në politikën kombëtare.

Burnham nuk është një emër i ri në garën për drejtimin e laburistëve. Ai ka kandiduar dy herë më parë për udhëheqjen e partisë, por u mposht fillimisht nga Ed Miliband dhe më pas nga Jeremy Corbyn.

Megjithatë, vitet e fundit ai ka arritur të ndërtojë një profil të fortë politik jashtë Westminster-it, duke u shndërruar në një nga figurat më të njohura të së majtës britanike.

Një nga çështjet që e ka identifikuar më së shumti në karrierën e tij politike është angazhimi për drejtësi për viktimat e tragjedisë së Hillsborough.

Si sekretar i Kulturës dhe më vonë si sekretar i Brendshëm në hije, Burnham ka qenë një nga zërat më të fortë në mbështetje të familjeve të viktimave, duke fituar vlerësime të gjera publike.

Që prej vitit 2017, ai drejton Mançesterin si kryebashkiak dhe ka fituar ndikim të madh politik në veri të Anglisë.

Gjatë përplasjes me qeverinë qendrore për fondet e pandemisë Covid-19, ai fitoi nofkën “Mbreti i Veriut”, ndërsa ka promovuar projekte të rëndësishme infrastrukturore, mes tyre edhe rrjetin e integruar të transportit publik Bee Network.

Megjithëse gëzon popullaritet të lartë në nivel rajonal dhe vjen pas një serie suksesesh elektorale, mbetet ende e paqartë nëse Burnham do të arrijë ta shndërrojë këtë mbështetje në një fitore për drejtimin e Partisë Laburiste dhe në rrugën drejt kryeministrisë britanike.

Në qarqet politike londineze ai shihet aktualisht si një nga pretendentët më seriozë për të pasuar Starmerin në krye të partisë


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë