Futboll

Kush e fiton derbin iberik?

Botërori nis me përballjen mes Rusisë dhe Arabisë Saudite, këtë të enjte që ashtu siç tradita e ka vendosur prej disa kompeticionesh tashmë, do të jetë jo vetëm ndeshja hapëse, por edhe e vetmja për ditën e parë të muajit të nxehtë futbollistik.

Por, nga vetë emrat që përballen, më shumë se çfarë do të prodhojë fusha, tifozët e sportit më popullor në botë do të tërhiqen nga ceremonia hapëse dhe koreografia e përgatitur për të. Me të drejtë, pjesa më e madhe e tyre presin ditën e premte.

E premtja rezervon tre sfida. Egjipt-Uruguai në orën 14:00, Marok-Iran në orën 17:00 dhe qershia mbi tortë, Portugali-Spanjë në orën 20:00.

Pikërisht kjo e fundit është ndeshja që nuk duhet humbur. Është përballja e parë “serioze” e botërorit dhe ndeshja që me gjasa do të vendosë se kush do të kryesojë grupin B.

Si grup, Spanja ka një skuadër shumë më cilësore se Portugalia, por efekti i largimit të Lopeteguit një dy ditë para kësaj përballjeje mund të ndjehet. Fernando Hierro është u ul në stolin e spanjollëve me një përvojë modeste menaxheriale, duke drejtuar vetëm Real Oviedon në kategorinë e dytë të Spanjës.

Me Lopeteguin Spanja ka luajtur e vendosur në fushë me 4 mbrojtës, 3 mesfushorë dhe po 3 sulmues. Vështirë se Hierro do të ndryshojë skemën, me të cilën paraardhësi i tij mori 14 fitore, 6 barazime dhe 0 humbje.

Formacioni i mundshëm: De Gea, Odriozola, Pique, Ramos, Alba, Busquets, Thiago, Isco, Silva, Costa dhe Iniesta.

Portugalia mund të ketë një skuadër më pak cilësore dhe në renditjen e favoritëve është poshtë Spanjës. Megjithatë, portugezët kanë mundësitë e tyre dhe në europianin e dy viteve më parë, treguan që janë një skuadër kompakte që rezervon surpriza të pakendshme për rivalët.

Për më tepër, Spanja nuk ka në gjirin e saj një lojtar si Cristiano Ronaldo, që me kombëtaren ka shpërthyer gjithmonë atëherë kur ekipi ka patur më shumë nevojë.

Trajneri Fernando Santos e di këtë, megjithëse filozofia e tij e lojës është ekuilibri. Është një besnik i formacionit tradicional 4-4-2, që shpesh modifikohet në 5-4-1, për të shfrytëzuar shpejtësinë Ronaldos me kundërsulme.

Formacioni i mundshëm: Soares, Pepe, Fonte, Guerreiro; Carvalho, Moutinho, B. Silva, Mario; A. Silva dhe Ronaldo.

Parashikimi

Të dyja skuadrat duhet të jenë në ditën e tyre më të mirë për të fituar sfidën, por duke analizuar pikat e forta dhe të dobta të të dyja skuadrave, Spanja duket më e favorizuar. Diferencat dalin në pah që në portë. De Gea është një nivel tjetër nga Soares, megjithëse portugezët mbrohen mirë në grup. Edhe spanjollët kanë një mbrojtje të fortë, por një mesfushë që kontribuon pak në fazën difensive. Por, pikërisht kjo mesfushë është avantazhi i madh i tyre, pasi ka në përbërje Iniestën, Busquets, Thiagon dhe Iscon, katër lojtarë që gjejnë njëri-tjetrin me sy mbyllur dhe qarkullojnë shpejt topin.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë