Futboll

Kush do t’ia rrëmbejë kurorën Skënderbeut?

Nga Fatjon Rupi - Skënderbeu-Partizani ngre siparin e kampionatit të 80-të të Superiores ditën e premte, në stadiumin e Korçës, ndërkohë që java e parë sjell edhe përplasje të tjera interesante si Teuta-Flamurtari apo Tirana-Kamza. Starton kështu kampionati jubilar, një kampionat ndryshe, me Tiranën e rikthyer, por pa Vllazninë, të munguarën e madhe që ka rënë në Kategorinë e Parë. Starton një kampionat, ku shumë ekuilibra kanë lëvizur dhe gara mendohet të jetë interesante, deri diku e balancuar.

Kush do t’ia rrëmbejë kurorën Skënderbeut? Vështirë të parashikohet kampioni i ri, por i lehtë është konstatimi se korçarët do të bien nga “froni”. Ekipi kampion në fuqi ka humbur shumë në kualitet për shkak të çështjes së hapur me UEFA-n, me shpresa të pakta në KAS për të fshirë dënimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës. Nuk është më ai Skënderbe dhe entuziazmi duket qartë se ka rënë. Megjithatë, koha do të tregojë si do të shkojnë punët në kampin korçar, deri ku mund të shkojë ky ekip pa yje në formacion.

Lëvizjet në stola

Kampionati i 80-të i Superiores është interesant për faktin se vetëm një skuadër e tij ka në stol trajnerin e një sezoni më parë. Ai është Ze Maria i Tiranës, ndërsa 9 skuadrat e tjera vijnë me trajner të ri, 4 nga të cilët debutues në Superiore, Bledi Shkëmbi te Teuta, Orges Shehi te Skënderbeu, Bledar Devolli te Kamza dhe Elvis Plori te Kasrtioti. Ilir Daja, trajneri kampion në fuqi, ka kaluar te Flamurtari, Partizani i ka besuar një njeriu të familjes, Skënder Gegës, dhe jo të huajve. Armando Cungu është kthyer te Kukësi pas disa vitesh, Artan Mërgjyshi ka marrë drejtimin e Laçit, kurse Luftëtari drejtohet nga slloveni Millosh Kostiç. Një sfidë më vete ky kampionat edhe për trajnerët.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, i vetmi që drejton një ekip të Superiores që nga sezoni i kaluar

Pretendentët

Merkatoja e verës na orienton për të krijuar pak shumë idenë se cilat do të jenë skuadrat pretendente për titullin kampion. Kukësi, Flamurtari dhe Partizani kanë lëvizur mirë dhe e kanë fuqizuar grupin e futbollistëve të sezonit të kaluar. Mendohet të jenë tre pretendentët kryesorë, me në krye Partizanin, për të cilin duket sezoni i duhur për rikthimin te titulli. Përveç Gegës në stol, të kuqtë kanë afruar në ekip mesfushorin Ardit Hila, sulmuesin Rubin Hebaj dhe një lojtar të kombëtares së Koresë së Veriut, përveç të tjerëve. Pozitiv është fakti se pjesa më e madhe e sezonit që shkoi është ruajtur dhe përforcimet do ta ndihmojnë Partizanin të shkojë të titulli kampion. Asani, Mala dhe Bardhi janë tre talentet që parashikohet të shpërthejnë këtë sezon me fanellën e kuqe. Edhe Kukësi ka bërë afrime interesante, siç janë Harallamb Qaqi, Rexhinaldo dhe Ardian Cuculi, njohës të mirë të kampionatit shqiptar, por edhe të tjerë, ku spikat 19-vjeçari Oumar Toure, kartonin e të cilit e ka Juventusi. Flamurtari zgjodhi trajnerin kampion për të bërë hapin e madh në epokën “Idrizi”. Vlonjatët kanë marrë në ekip ish-kapitenin e Partizanit, Idriz Bathën, por edhe argjentinasin Torasa, Blerim Kotobellin, si dhe brazilianin Kale dhe portierin Koliçi të Kukësit.

Skënderbeu, ekipi kampion në fuqi e Superiores

Skënderbeu këtë radhë nuk është në radhën e parë të pretendentëve për shkak të grupit që ka. Ka petkun e kampionit dhe lojtarë të rinj të talentuar, por për titullin vështirë se do të rivalizojë. Kanë mbetur pak titullarë nga sezonin i kaluar dhe afrimi më i bujshëm është Dejvi Bregu. Tirana është e gjitha për t’u zbuluar në këtë aspekt, pasi ka ruajtur boshtin dhe ka bërë disa afrime, por duhet parë në aksion, ndërsa surprizë mendohet të jetë Teuta e trajnerit Shkëmbi, që është transformuar krejtësisht në raport me sezonin e fundit.

Rikthimi i derbit

Për të gjithë futbolldashësit, jo vetëm tifozët e Tiranës dhe të Partizanit, me shumë kuriozitet pritet derbi i kryeqytetit, që sezonin e fundit mungoi, për shkak të rënies së bardhebluve në Kategorinë e Parë. Tani Tirana është kthyer më e uritur për sukses, por gjithçka varet nga kualiteti i lojtarëve dhe nga ajo çfarë do të japin ata në fushë. Gjithsesi, derbi do të sjellë pa dyshim emocione të zjarrta në kryeqytet dhe pritet që katër ndeshjet e këtij kampionati të jenë spektakolare në fushë dhe në shkallët e stadiumit, aq më tepër që tani është vendosur të mos ketë më policë. Tirana e Ze Marias ka shumë vite që nuk fiton në një ndeshje derbi dhe nëse vërtet synon të ngjitet në nivelin e mëparshëm, duhet të marrë revanshin ndaj të kuqve.

Atmosferë e derbit Partizani-Tirana, që rikthehet këtë sezon 

Pa Vllazninë, Gurin dhe Abazajn

Kampionati i 80-të do të jetë ndryshe edhe për faktin se do t’i mungojë një nga skuadrat emblematike të tij, Vllaznia. Skuadra shkodrane, e zhytur në probleme administrative dhe sportive, ka rënë në Kategorinë e Parë, nga ku kërkon rilindjen, por duket shumë e vështirë që ajo të kthehet shpejt si më parë. Mungesa të mëdha në Superiore do të jenë edhe dy lojtarët që shkëlqyen sezonin e fundit, sulmuesit Sindrit Guri i Kukësit dhe Kristal Abazaj i Luftëtarit, të dy tashmë në kampionatin belg. Lojtarë të tjerë me kualitet që kanë lënë Superioren janë Sabien Lilaj dhe Enis Gavazaj të Skënderbeut, apo edhe Danilo Alvesh i Flamurtarit.

Mbijetesa

Përveç Kastriotit që vjen nga Kategoria e Parë, pa paragjykuar, në “vallen” e mbijetesës në Superiore duket se do të përfshihen skuadra si Luftëtari e Kamza, apo edhe Laçi, pasi janë dobësuar në krahasim me sezonin e fundit. Pozitiv është fakti që edhe në këtë aspekt mendohet se do të ketë garë dhe nuk kemi skuadra të rëna ende pa nisur kampionati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë