Ne rrjet

Kush do ta marrë udhëheqjen e dialogut në Prishtinë?

Presidenti Hashim Thaçi është nxjerrë tanimë jashtë loje nga dialogu me Serbinë, duke e futur Kosovën në një udhëkryq pa dalje.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, Delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë është jo-kushtetues, ka lënë Prishtinën pa negociator si dhe pa një platformë për negociatat. Ndërkohë që të gjithë po pyesin se kush do t’i drejtojë tanimë negociatat, qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ka komentuar ende mbi këtë “kthesë të papritur politike”, pavarësisht se ishte iniciuesja kryesore e formimit të ekipit negociator dhe hartimit të ligjit dhe platformës për bisedimet me Serbinë. As vetë Haradiaj dhe as ministrat e tij nuk kanë komentuar se cfarë do të ndodhë tutje dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm në procesin e dialogut politik mes Kosovës edhe Serbisë.

Të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të kërkesës së së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke e shpallur ekipi negociator jokushtetues. Tani për tani analistët politikë në Prishtinë thonë se kryeministri në koordinim dhe konsultim me presidentin, duhet të jënë ata që do marrin përsipër vazhdimin e dialogut.

Pas vendimit të kushtetueses, Hashim Thaçi, i ka ftuar forcat politike që të ulen dhe të gjejnë një konsensus të përbashkët politik në lidhje me dialogun me Serbinë.

Hashim Thaçi

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë. Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam kërkuar unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Por njohësit e procesit të dialogut politik Kosovë-Serbi, thonë se procesin e dialogut, veç Qeverisë, nuk mund ta udhëheqë asnjë grup apo ekip negociator.

Jeta Krasniqi, eksperte nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se procesi duhet të udhëhiqet nga ekzekutivi dhe të mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës.

"Është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim mes institucioneve kushtetuese të Kosovës në mënyrë që ky proces të shkojë parapara dhe ne të sillemi si shtet serioz duke respektuar Kushtetutën, demokracinë e vlerat demokratike", thotë Krasniqi.

Krasniqi shprehet se është jetike arrtija e një konsensusi të përgjithshëm të spektrit politik për vazhdimin e dialogut. Krasniqi thotë se dialogu tani duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, në konsultim me presidentin.

"Qeveria e Kosovës është ajo që duhet të udhëheqë këtë proces. Duhet të shfrytëzojë mundësinë për të krijuar një konsensus sa më të gjerë politik për ta shtyrë përpara këtë proces në konsultim me Presidencën. Ta informojë rregullisht Kuvendin dhe të jetë nën mbikëqyrjen e Kuvendit në vazhdimësi. Besoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka thënë qartë se si duhet të veprohet. Tani institucioneve të Kosovës u mbetet që vetëm ta respektojnë atë", thekson ajo.


Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Krasniqi ka thënë, po ashtu, se edhe Platforma për bisedimet me Serbinë, e miratuar në Kuvendin e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është tanimë e pavlefshme. Njëri nga ish-bashkëkryesuesit e ekipit negociator, Shpend Ahmeti, kryetar i partisë SocialDemokrate ka qenë i vetmi që ka thënë se do të japë dorëheqjen.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se dialogu me Serbinë është procesi më i rëndësishëm politik në Kosovë dhe se për të nevojitet konsensus dhe vendimmarrje në Kuvend. Ndërkaq, dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosje, të cilat nuk janë përfshirë fare në hartimin e ligjit dhe as në miratimin e Ekipit negociator, thonë se tani alternativë e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se koalicioni qeverisës ka bërë shkelje të mëdha të Kushtetutës së Kosovës. Sipas Hotit, duke i shpëtuar përgjegjësisë për dialogun dhe duke provuar që kompetencat për këtë proces t’ia bartë ekipit negociator, ka treguar se ai nuk ka aftësi për të qeverisur.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë e vetmja zgjidhje në kushtet kur qeveria i shmanget përgjegjësisë.

Kurse, Partia Socialdemokrate thonë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës dhe ky proces, sipas nënkryetarit të kësaj partie, Visar Ymeri, duhet të vendoset në binarë.

"Partia socialdemokrate do të pushojë së vepruari në delegacionin shtetëror por do të mbajë qëndrimin e vet konstruktiv dhe do të kërkojë që dialogu me Serbinë të vendoset në binarë demokratik", thotë Ymeri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë