Biznes

Kush blen online ka të drejtë ta kthejë brenda 14 ditëve, Qeveria: Fiskalizimi do të luftojë informalitetin

Qeveria ka marrë një vendim që thotë se forcon mbrojtjen edhe sigurinë e konsumatorit nga blerjet online. Vendimi u mundëson klientëve që bëjnë blerje përmes kësaj metode që ta kthejnë mallin, apo shërbimin e marrë deri në 2 javë pas marrjes së tij.

“Vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit. Janë saktësime të elementëve që duhet të kenë kontratat në këtë tregtim me qëllim që konsumatori kur blen një produkt të jetë i mbrojtur. Një ndryshim ka të bëjë me periudhën e kthimit të mallrave, që është 14 ditë nga dita që konsumatori merr mallin në shtëpi ka të drejtë që ta kthejë mbrapsht këtë produkt”, njoftoi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Ibrahimaj thotë se vendimi nuk ndryshon asgjë nga taksat e tarifat e shërbimeve që paguajnë si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.

Ndërkohë, një pjesë e bizneseve që operojnë online e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të zezë. Ibrahimaj referoi fiskalizimin si një mjet që do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit në fushën e blerjeve online.

“Ne kemi ngritur një ekip që është në bashkëpunim me autoritetin që kontrollon tregtinë online që të gjurmojë këto subjekte përmes metodave hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Sektorin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit. Me futjen e fiskalizimit të gjitha faturat do të jenë të deklaruara online dhe ligji ka një specifikë të caktuar për shërbimet online dhe faturimet online. Gjurmimi nuk bëhet vetëm përmes lëshimit të faturës, por edhe përmes transaksioneve bankare, që do të na mundësojë gjurmimin dhe identifikimin e subjekteve që janë ta palicencuara”, tha ajo.

Sa i takon regjimit të taksave, bizneset online u nënshtrohen të njëjtave taksa si ato fizike, pra janë të përjashtuar nga tatim fitimi nëse janë subjekte që nuk kalojnë 14 milionë lek në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë