Financa Personale

Blerjet online në Shqipëri, çfarë ndodh kur produktet nuk kanë cilësinë për të cilën janë porositur

Pandemia i dha hov tregtisë online duke provokuar edhe një  reaksion pakënqësish tek blerësit për  cilësinë  e produktit të blerë dhe pamundësisë për t’u zhdëmtuar. Aktorët e tregut,edhe operatorët postarë që merren me dërgimin e pakove nga bizneset,  thonë se “një problematikë e prekshme është cilësia e produkteve që tregtohen përmes internetit, cilësi, që jo rrallë herë i zhgënjen konsumatorët”.

Artisa, një vajzë 30 vjeçare pohon se kohët e fundit, shumica e blerjeve që ajo ka bërë kanë qenë online, por në disa raste përvoja ka qenë zhgënjyese.

“Herën e fundit porosita një xhup në një faqe ëebi, që e pashë online. Xhupi që më erdhi nuk ishte ai që kisha porositur, por ishte një ngjyrë krejt tjetër. Kur iu thashë që nuk kisha porositur atë që më sollën, reagimi nuk ishte aspak ai i duhuri. Më thanë që ngjyra që doja ishte pak a shumë si tek xhupi që më sollën dhe nuk kishin tjetër, kështu që nuk kishin ç’të më bënin e nuk donin as të ktheja porosinë”, - thotë ajo për gazetën “Si”.

Pjesë nga biseda online e Anisës me biznesin online ku ka kryer porosinë

Edhe Anisa ndan të njëjtin shqetësim. Ajo pohon se është ndier e mashtruar, pasi ka blerë disa veshje online, por cilësia e tyre ka qenë shumë e dobët dhe nuk e ka justifikuar çmimin e paguar.

“Është bërë thuajse e zakonshme që ajo çfarë ofrohet online është krejt ndryshe nga ajo çfarë reklamohet. Mendoj se këta shitës online duhet të kontrollohen më mirë dhe të marrin gjobën që meritojnë në raste abuzimesh”, - thekson ajo.

Por në ç’mënyrë blerësit mund të gjejnë zgjidhje për abuzimet që bëhen online kundrejt tyre?!

Ata mund t’iu drejtohen në raste të tilla zyrave në mbrojtje të konsumatorit shqiptar.

“Blerja online është një nga format e tregtisë që u zhvillua së shtumi gjatë periudhës së pandemisë. Gjatë kësaj periudhe janë shtuar edhe ankesat për produktet dhe blerje online. Problematikat kryesore që kanë pasur konsumatorët kanë qenë kryesisht me cilësinë e produktit, me mospërputhjen e produktit me atë që është shitur dhe në rastin e praktikave të padrejta tregtare, ku diçka që është propozuar si ofertë në momentin që është porositur nga konsumatori, i është referuar që nuk ka ofertë dhe pastaj konsumatori nuk e ka blerë ose kontrata është zgjidhur.”,- bën me dije për gazetën “Si”, drejtorja ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, Ersida Teliti.

Ersida Teliti, drejtorja ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”

Ajo vëren se qytetet kryesore prej nga vijnë ankesat për tregtinë online gjatë kësaj periudhe janë: Tirana, e cila mban rekordin përsa iu përket ankesave të bëra, si dhe Durrësi, Shkodra dhe Elbasani.

Ndërsa, qytetet kryesore ku zhvillohet tregtia elektronike janë Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Fieri dhe Mati.

“Qendra e Konsumatorit Shqiptar është një organizatë jofitimprurëse dhe nuk mund t’i zgjidhë ankesat vetë personalisht, por me ndihmën e institucioneve publike dhe përgjithësisht adresat janë adresuar sipas rastit.”, shpjegon ajo.

Kështu, “nëse ka pasur me garanci kontraktore ose mospërputhje i është referuar Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Nëse ka pasur probleme me pjesën e praktikave tregtare të padrejta i është drejtuar Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Inspektoriatit Shetëror të Mbikqyrjes së Tregut”. Teliti shton se “ka pasur raste që edhe Angjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve i ka trajtuar këto ankesa, por duke iu referuar zgjedhjeve alternative të zgjidhjeve të marrëveshjeve.”

Shitjet online nëpërmjet rrjeteve sociale

Kohët e fundit është rritur së shumti tregu online brenda vendit. Rrjetet sociale, si Instagrami apo Facebook po përdoren gjerësisht nga bizneset për të rritur aktivitetin e tyre.

Thuajse të gjitha dyqanet kanë filluar që të operojnë online, falë mundësive që ofrojnë rrjetet sociale për reklamim, duke arritur në këtë mënyrë te një treg më i madh.

Shërbimet, që kërkohen më tepër nga kompanitë e shitjeve online në vend, të përqendruara më së shumti në Tiranë janë: tërheqja me korrier, dorëzimi në adresë dhe pagesa në momentin e dorëzimit. Problemi më i madh përsa i përket tregut online është informaliteti. Shumë operatorë iu shmangen detyrimeve fiskale ndërsa pjesa më e madhe e bizneseve për dërgesat brenda Tiranës punësojnë individë të palicencuar për këto shërbime. Është interesante të vërehet se mosbesimi i konsumatorëve për pagesat dhe blerjet online ka bërë që mbi 90% e shitjeve online të bëhen me para në dorë (cash-on-delivery). Ndërkohë pagesat online përdoren rrallë, kryesisht në raste kur blerjet janë për dhurata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë