Politike

Kurti: U realizua porosia e Grenell. Rrëzimi i Qeverisë i domosdoshëm për ringritjen

Albin Kurti nuk shpresonte që Qeveria e tij t’i mbijetonte mocionit të mosbesimit mbremjën e së mërkurës, për e cilëson rrëzimin si të domosdoshëm për t’i dhënë hov ringritjes së nevojshme.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh”, shkruan tashmë Kryeministri në detyrë i Kosovës.

Ai thotë se mbledhja e djeshme e Kuvendit nuk do ta mbahet mend gjatë, pasi është i bindur në fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e reja.

“Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi. Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë”, vijon më tej kreu i VV.

Kurti është i bindur se rrëzimi i tij ishte porosi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se synimi nuk ishte vetëm rrëzimi i një qeverie, por dobësimi i qeverisjes në Kosovë që të realizohet plani i Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës.

“Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, deklaron Kurti.

Kryeministri më jetëshkurtër i Kosovës thotë se do të vazhdojë me detyrën deri kur të dalë qeveria e re përmes zgjedhjeve të reja.

Më herët, përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me zhvillimit e reja në Kosovë reagoi edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk do të tërheqë ministrat nga Qeveria, ndërsa ja lë në dorë Albin Kurtit që të vendosë nëse do t’i shkarkojë, siç bëri me zv.Kryeministrin Avdullah Hoti, apo do të vazhdojë që të punojë me ta.

“Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate!”, shkroi Mustafa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë