Politike

A e shkarkoi Amerika Albin Kurtin?

Kryeministri Albin Kurti është i bindur se si ai ashtu edhe qeveria e tij janë kthyer sot në “dëm kolaterial” për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke e cilësuar veten si barrierën e fundit për shkëmbimin e territoreve mes Beogradit dhe Prishtinës, Kurti deklaroi se rrëzimi i tij ka ardhur për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me Serbinë. Këto pazare sipas tij, janë festuar me shampanjë  në Shtëpinë e Bardhë. Pak para se të hynte në historinë e Kosovës si kryeministri më jeteshkurtër, kreu i Vetëvendosjes, akuzoi në mënyrë të tërthortë SHBA-në së “kishte gisht” në rrëzimin e qeverisë së tij.

Sipas zotit Kurti, mocioni i mosbesimit ishte vepër e atyre që u takuan me të dërguarin Special të presidentit Trump, Richard Grenell.

“Unë po ua them hapur bindjen time nga ky bashkëpunim i deritanishëm, vendimarrjen për Kosovën e kanë ata që shkuan e takuan Grenell. Edhe unë e takoj Grenell, por nuk do të thotë të shtrihesh tek Grenell. Ata që e kanë takuar Grenell kanë marrë një fuqi që është reflektuar edhe në qeverinë time. Këtë problem që kam pasur në këto 50 ditë e kam edhe sot”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes.

Sipas tij, arsyeja e shkarkimit është marrëveshja e ardhshme mes qeverisë së Kosovës, për të cilën, sic u shpreh Kurti, nuk do të nënshkruhej për sa kohë që të ishte ai kryeministër.

Ambasadori Grenell dhe kryeministri Albin Kurti. Gazeta "Si" 2020

 “Ky mocion mosbesimi synon ta lërë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme mocioni për të shkarkuar qeverinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e ministrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Sebrisë, ky është motori që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, tha Kurti. “Ky pazar presidencial kërkon rrëzimin e qeverisë, pazari me këtë qeveri ku jam unë nuk bëhet. Thaci provoi ta bëjë me gjendjen e jashtëzakonshme por nuk ia doli.”

Ashtu si ish-kryeministri Ramush Haradinaj, edhe Kurti është i bindur se marrëveshja “sekrete” e Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit ka të bëjë me territoret.

“Marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiç unë nuk e kam, se është sekrete. Ama ka marrëveshje sekrete. Është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë në një tavolinë ku marrëveshja është e gatshme dhe nëse t’i nuk pajtohesh, shpallesh armik, dhe kështu dëmtohen marrëdhëniet me SHBA”, deklaroi ai.  Të gjithë e dimë shumë mirë sesi u festua në Uashington me Shampanjë shkëmbimi i territoreve, por ne e ndaluam. Çfarë duhet të ndodhë më. Unë nuk kam frikën e kësaj karriges sime këtu. Sepse është populli ai që vendos. Por do ta shikoni shumë shpejt, se kërkohej gjendja e jashtëzakonshme, për ta bërë Thaçin të gjithëpushtetshëm. Po pse duhet gjithë ky pushtet? Ky është një puç. Dhe këtë puç, ne e pamë që në mbledhjen e këshillit të sigurimit. Keni për ta parë edhe ju vetë. Procesverbalet e mbledhjes do të dalin shumë shpejt', tha kryeministri Kurti në parlament.

Ashtu si Haradinaj, edhe Kurti ka refuzuar të heqë plotësisht taksën ndaj importeve serbe, duke i cuar marrëdhëniet me SHBA-në në pikën më të ulët.  Richard Grenell dhe djali i presidentit amërikan Donald Trump kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme të taksës, duke e kërcënuar me anulimin  e investimeve ekonomike në Kosovë dhe prezencës ushtarake amerikane në Kosovë.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaci. Gazeta Si, 2020

Ditën e djeshme Ambasadori Amerikan në Kosovë Philip Kosnet deklaroi se ishte i kënaqur që Kuvendi po mbante seancën për shkarkimin e tij.

“Jam i kënaqur të shoh që parlamenti do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shkroi ambasadori Kosnett.

Ndërkohë gazeta amerikane Nju Jork Times shkruan se rrëzimi i Kurtit mund të ketë ardhur jo vetëm për mos heqjen e taksës ndaj Serbisë, por edhe sepse  u përpoq të merrte drejtimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Mes frikës se zoti Thaçi mund të ketë rënë dakord fshehurazi për ndarjen e ndonjë territori të Kosovës, Kurti pohoi të drejtën e tij kushtetuese për të udhëhequr negociatat në vend të Thacit dhe për të mbajtur tarifat si një mjet për të ruajtur presionin ndaj qeverisë së Serbisë”, shkruan gazeta. “Ky qëndrim e vendosi zotin Kurti në konflikt të drejtpërdrejtë me zotin Thaçi dhe Richard Grenell. Për të detyruar zotin Kurti në heqjen e tarifave, Shtetet e Bashkuara ngrinë miliona dollarë në ndihmë të Kosovës. Donald Trump Jr., i cili nuk ka asnjë rol zyrtar në Administratën Amerikane sugjeroi tërheqjen e ushtrisë amerikanë nga vendi. Këto komente i tmerruan kosovarët, të cilët e shohin një prani ushtarake amerikane si një garanci jetësore të sigurisë së vendit”, përfundon Nju Jork Times.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë