Politike

Skenarët e Kosovës pa qeveri përballë pandemisë

Qeverisë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje iu deshën më shumë se tre muaj për t’u formuar, por zgjati 50 ditë në pushtet. Megjithatë, qytetarët e Kosovës rrezikojnë të mbesin pa qeveri përballë krizës më të rëndë pas Luftës.

Çfarë do të ndodhë me Kosovës pas rrëzimit të qeverisë Kurti? Duhet të presim formimin e një qeverie të re, zgjedhje të reja apo edhe vazhdimin e funksionimit të kësaj qeverie me kompetenca të kufizuara për një kohë, derisa të vihet nën kontroll pandemia e koronavirusit?

Analisti Albert Krasniqi thotë se me votimin e mocionit të besimit, qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

“Nëse do të jetë qeveri teknike apo shumë-partiake, kjo do të varet nga vullneti i deputetëve, por edhe i presidentit, i cili mund të vendosë përmes një dekreti që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Krasniqi.

Kushtetuta e Kosovës thotë se nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria duhet të japë dorëheqjen. Ajo përcakton po ashtu se Thaci mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Aktualisht, Kosova si edhe gjithë bota, po përballet me pandeminë e COVID-19. Organizimi i zgjedhjeve, nuk besohet se do të jetë i mundur në rrethanat aktuale.

Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presidenti i vendit, do t’i kërkojë partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, të 6 tetorit, (në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje) emrin e një mandatari të ri për kryeministër.

Qorolli thekson po ashtu se është edhe mundësia tjetër që të gjitha partitë politike të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje e cila, sipas tij, do ta bindte presidentin për ta votuar apo nominuar një kandidat për kryeministër.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të ketë një konsensus dhe të këtë një mbledhje të përbashkët të të gjitha partive në mënyrë që ta bindin presidentin për një zgjidhje të përbashkët. Por, presidenti mund të nominojë edhe njëherë një kandidat nga partia fituese, do të thotë Vetëvendosje, por jo më Albin Kurtin”, tha Qorolli.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Ky përkufizim, besohet se i jep të drejtën, të paktën herën e parë Vetëvendosjes si parti fituese që të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti. Gazeta "Si", mars 2020

Por, sipas Vigan Qorollit nëse partia më e votuar heq dorë vullnetarisht nga pozita e kryeministrit, atëherë presidenti mund të ulet në bisedime me LDK-në.

“Nuk pritet të ketë një qeveri teknike, do të ketë sërish një qeveri politike e cila do ta kalojë një tranzicion disa mujor dhe pastaj do të organizohen zgjedhjet e reja të cilat duhet të mbahen, po themi, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, pasi të kalojë pandemia mbase në muajin shtator më së voni”, tha Qorolli.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se si parti është e hapur që të bisedojë sërish me Lëvizjen Vetëvendosej, por sipas tij, tani për një qeveri më të gjerë, ku do të bënin pjesë edhe partitë tjera politike.

Mustafa ka thënë se qëndrimi i LDK-së vazhdon të jetë po i njëjti: nuk ka koalicion me PDK-në.

Megjithatë, analisti Imer Mushkolaj, mendon se Kosova po futet në një krizë të re politike.

“Me gjasë do të kemi një qeveri me mandat të kufizuar. Por, në fund të fundit humbësit më të mëdhenj në këtë situatë janë qytetarët, që u braktisën në një situatë të vështirë. Në aspektin politik, humbësja më e madhe në këtë situatë do të jetë LDK-ja”, tha Mushkolaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë