Ne rrjet

Kurti-Mustafa kanë humbur besimin ende pa hedhur bojë në letër

Ndërsa kishin premtuar se marrëveshja për qeverinë e re të Kosovës do të firmosej 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, Albin Kurti dhe Isa Mustafa kanë katër ditë që nuk po takohen e jo më të dalin para medias me paktin për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare.

Ndarja e madhe mes tyre është çështja e Presidentit, ku duket se të dyja palët nuk po lëshojnë pe, aq sa  bashkëpunëtorë të tyre të afërt thonë se e kanë ndarë mendjen se mund ta çojnë Kosovën sërish në zgjedhje nëse kjo pikë nuk zgjidhet.  

Duke komentuat sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Albin Kurti ka thënë se mbetet për tu parë nëse Mustafa do të miratojë marrëveshjen për koalicion. Kurti tha se ka kërkuar takim me Mustafën këtë javë, por se nuk po përpiqet që të ndërhyjë te LDK-ja.

“Mendova të takoheshim me Mustafën këtë javë. Mësova se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë. Ne si VV besojmë se thirrja e këshillit duhet të mbahet pas marrëveshjes, jo para marrëveshjes”, shton ai.
Por Kurti nuk e humb shpresën se gjatë kësaj mbledhjeje mund të arrihet një dakortësi brenda LDK-së për marrëveshjen e koalicionit.
“Mbetet të shihet sot pasdite, nëse kjo mbledhje është thirrur për te folur për qëndrimet, apo për të miratuar marrëveshjen" shtoi ai.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Gazeta Si, 2019

Presidenti Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të parlamentit të ri në datën 26 dhjetor, por dy liderët e VV dhe LDK janë ende larg paktit për të qeverisur Kosovën. Në këto ditë të negociatave ata e kanë humbur besimin ende pa hedhur bojë në letër. Nuk kanë munguar edhe deklaratat e ashpra në publik të disa prej zyrtareve të të dyja partive, ndërsa Kurti dhe Mustafa janë përpjekur që të jenë të përmbajtur. Burimet nga të dy partitë tregojnë se është rënë dakord për ndarjen e ministrive 5 me 5 në kabinetin me 11 dikastere. Mësohet se LDK do të ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të  Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, atë të Arsimit dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë VV pritet ketë  Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, të Financave dhe atë të Zhvillimit Ekonomik. Ndërkohë për minoritetet është lënë Ministria e Kulturës. LDK po ashtu do të ketë edhe kryetarin e Kuvendit, ndërsa ajo që nuk po i bashkon Albin Kurtin dhe Isa Mustafën është çështja e presidentit, edhe pse Hashim Thaçit i mbaron mandati në janar të vitit 2021. LDK e kërkon të firmosur në marrëveshjen për qeverinë se edhe kreu i shtetit do ti takojë asaj. Ndërkohë VV thotë se më parë duhet të mbarohet puna për qeverinë dhe pastaj të shikohet çështja e Presidentit. Por Isa Mustafa në këto ditë që nuk po takohet me Albin Kurtin, ka nisur takimet me strukturat e partisë, jo vetëm në qendër. Ai mblodhi edhe kryetarët e degëve të LDK aq sa u duk si një panoramë e mobilizimit për të shkuar sërish në zgjedhje.

Nuk kanë munguar kërcënimet nga ana e partisë së Mustafës se ky skenar edhe mund të ndodhë. Madje nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë LDK nuk do të lerë asnjë derë hapur për bashkëpunim me VV para dhe pas votimeve, por do të hedhë sytë te Partia Demokratike e Kadri Veselit. Presioni që po ushtrohet ndaj Albin Kurtit dhe partisë së tij sa vjen e shtohet. Por a do të tërhiqet këtë herë ai dhe të kënaqë LDK-në të paktën në letër për çështjen e Presidentit? Kjo pritet të shihet në 7 ditët e mbetura deri sa të mbahet seanca konstituive e parlamentit të ri të Kosovës.  

Ndonëse të dy partitë kanë deklaruar se kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës, ndarja e disa dikastereve ende është duke u negociuar, por sigurisht çështja më problematike mbetet pozita e presidentit të Kosovës.

Mefail Bajqinovci, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shkruar në rrjetin social Facebook që marrëveshja për Presidentin duhet të sigurojë ruajtjen e parimeve dhe vlerave demokratike.

Albin Kurti, Gazeta Si,2019



“Kjo marrëveshje duhet të arrihet pas formimit të qeverisë. Këto vlera nuk mund të bihen në kundërshtim me parimet tona per ringritjen e shtetit ligjor”, ka shkruar Bajçinovci.

Nënkryetari i LDK-së, Haziri, thotë që në tavolinën e bisedimeve nuk ka mbetur pa u zgjidhur vetëm çështja e presidentit.

“Po bëjmë përpjekje për të gjetur një rrugë të përbashkët për një president, i cili zgjidhet në frymën e Kushtetutës dhe që fryma e Kushtetutës e njeh si të tillë. Por të themi të drejtën, nuk është vetëm kjo çështje” ka thënë Haziri.

Por, a është reale të pritet që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të merren vesh për një president konsensual për vitin 2021?

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se për aq kohë sa çështja e presidentit do të zgjidhet në negociatat ndërmjet partive politike, është jashtëzakonisht e vështirë që kreu i shtetit të jetë një personalitet që vjen përtej politikës.

“Unë mendoj që në Kosovë nuk ekziston një personalitet me peshës kaq të madhe politike dhe shoqërore, i cili do t’i bashkonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse këto dy parti kanë pozicione të kundërta ideologjike dhe politike.”, tha Muhaxhiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë