Ne rrjet

Kurti e Mustafa takohen sërish, ujdia e mundshme para seancës së 26 dhjetorit

Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të takohen ditën e martë për të konsumuar përpjekjet e fundit në gjetjen e një ujdie për qeverinë e re të Kosovës.

Zyrtarisht, as kryetari i Vetëvendosjes dhe as ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk konfirmojnë një lajm të tillë, por as e mohojnë atë. Por, mediat në Prishtinë e bëjnë fakt të kryer këtë ku detaji i vetëm mbetet ora dhe vendi se ku do të zhvillohet ky takim.

Vetëvendosje dhe LDK kanë afat deri më 26 nëntor për të gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon ndarjes së posteve në Qeverinë e re, por edhe emrit për Presidentin në përfundim të mandatit të Hashim Thaçit.

Publikisht, asnjëra prej palëve nuk është tërhequr nga pozicionet e ngurta që kanë mbajtur deri më tani, ku LDK këmbëngul se Presidenti duhet t’i takojë asaj nëse Vetëvendosje kërkon të marrë Ministrinë e Brendshme, ndërsa Vetëvendosje këmbëngul tek Ministria e Brendshme, por duke lënë të hapur temën e Presidentit për një moment të dytë.

Vetëvendosje ka propozuar disa emra apartiakë për postin e Presidentit, por që të gjitha emrat e propozuar që kanë qarkulluar në media janë refuzuar nga LDK.

Sipas mediave në Kosovë, një marrëveshje e mundshme mund të njoftohet në orët pasdites së të mërkurës, ose gjatë paradites së të enjtes, para mbledhjes së seancës konstituuese të Parlamentit të ri të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë