Ne rrjet

Kurti dhe Osmani formojnë qeverinë: Do të ulim numrin e ministrive!

Presioni amerikan për formimin një orë e më parë të qeverisë ka vënë në lëvizje Kosovën. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar zyrtarisht sot se do ta krijojnë së bashku qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë mbajtur sot një takim kokë më kokë ku kanë diskutuar edhe kushtet e formimit të koalicionit qeveritar. Pas përfundimit të takimit me Osmanin, Kurti ka zbuluar për publikun edhe disa detaje të qeverisë së re të Kosovës, e cila duket se do të bashkojë një parti të majtë dhe një parti të djathtë.

Ai dhe Osmani duket se kanë rënë dakort për të ulur numrin e ministrive dhe zëvendës ministrave në Qeverinë e Re. Dy partitë më të votuara në zgjedhjet e parakoshme ashtu ranë dakord që qeveria e tyre t’i hapte derën grave që duan të angazhohen në politikë.
Kurti tha se nuk kanë biseduar në takimin e sotëm me Osmanin për ndarjen e ministrive por theksoi se Qeveria e tij do të ketë maksimalisht 12 ministri.

“Ramë dakord që të kemi një Qeveri ku 30 për qind do të jenë gra edhe në mesin e ministrave dhe zv ministrave . Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra”, thotë Kurti. “Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet. Kemi diskutuar se si do të bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar”, njofto Kurti.

Albin Kurti

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Por tani që rezultati zgjedhor favorizon liderin e Vetëvendosjes, Osmani është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin si kryeministër.

“Koalicioni LDK-LVV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, thotë Osmani. Analisti Ilir Ibrahimi është i bindur se nuk pritet të ketë zvarritje rreth formimit të qeverisë e re. Ai thotë se Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani u mbetet vetëm të ulen dhe të shohin se cila do të jetë marrëveshja ndërpartiake për formimin e qeverisë së re.

“Partia fituese e ka të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit prandaj dhe kjo nuk do të kontestohet nga asnjë parti politike,”, tha Ibrahimi.
“Përveç kësaj e dimë se kemi përpara një proces të vështirë të dialogut me Serbinë, një proces që pritet të fillojë shumë shpejt për shkak të presionit të përfaqësuesve ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën. Nuk besoj që klasa politike kosovare ka luks të bëjë vonesa të tilla”, thotë Ibrahimi.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Analisti Ramush Tahiri shprehet se deri në nëntor qeveria e re do të ketë nisur punën.
Tahiri thotë për “Radio Evropa e Lirë” se tanimë Kurti dhe Osmani duhet të hartojnë platformën e përbashkët qeveritare.

“Kosova nuk e ka përjetuar asnjëherë një koalicion të tillë”, thotë Tahiri. “Por ndarja e ministrive pritet të shkaktojë përplasjet e para mes VV-së dhe LDK-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë