Futboll

Kurrë më pa VAR, Kolina analizon ndikimin e teknologjisë

Përgjegjësi i arbitrave në FIFA, Pierluixhi Kolina, në një intervistë për shtypin italian ka analizuar ecurinë e Botërorit të Rusisë dhe efektin e teknologjisë, duke dalë në konkluzionin se VAR-i është i domosdoshëm në futboll. Ai ka folur edhe për kalimin nga UEFA te FIFA dhe thekson se është thjesht dhe vetëm një vendim personal. Ja intervista e plotë e Kolinës:

Nuk mund të mohohet fakti që arbitrimi në Botëror, duke përfshirë edhe VAR-in, shkoi përtej pritshmërive. Ndoshta edhe ju, Busaka dhe Boban nuk e kishit imagjinuar.

Është bukur kur e dëgjon këtë konstatim nga ata që e ndjekin futbollin nga jashtë. Pas “Euro 2016”, u tha se fitues moral ishte ekipi i arbitrave dhe e njëjta gjë ndodhi edhe në “Rusi 2018”. Ky nuk është një rezultat i rastësishëm, por rezultat i një procesi të nisur katër vite më parë, pas Botërorit të Brazilit, me seminare të ndryshme për përgatitjen e arbitrave. Çdo detaj është kuruar me kujdesin maksimal.

Pierluixhi Kolina, drejtues i sektorit të arbitrave në FIFA

Për shembull?

Për shembull, organizimi i një turneu miqësor në fillim të qershorit në Moskë, për të mos humbur ritmin e ndeshjeve nga arbitrat për periudhën mes mbylljes së kampionateve dhe nisjes së Botërorit. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë kjo gjë. Në kohën time kujtoj që kërkoja të arbitroja në Serinë B për të qenë gati. Pastaj, konfirmimi dhe konsolidimi i figurës së analistëve të ndeshjeve, ekspertëve që kanë studiuar ekipet dhe lojtarët për t’iu ofruar më pas ndihmë tekniko-taktike arbitrave.

Si i përzgjidhni arbitrat më të mirë në Europë?

Sot ka platforma dixhitale që të lejojnë të shohësh dhe studiosh gjithçka. Kur Infantino më kërkoi në FIFA, i kam sugjeruar që komisionet arbitrare të mos kenë pjesëtarë “politikë”, por teknikë, ish-arbitra veçanërisht, apo përgjegjës arbitrash në federata të ndryshme. Tani kemi nisur të punojmë për ”Katar 2022”, sepse shumë nga arbitrat e Botërorit të Rusisë, për shkak moshe, nuk do të jenë më.

Nga ku do të vijnë arbitra të mirë për të ardhmen?

Jo vetëm nga Europa apo Amerika e Jugut. Iraniani Faghani tregoi një nivel shumë të lartë në Botëror, edhe senegalezi Diedhiou ishte ndër më të mirët. Konfederatat po bëjnë një punë shumë të mirë.

Mund të themi se në Moskë ishte punë grupi. Ju, Busaka, Rozeti në VAR dhe pastaj Boban?

Boban nuk ishte i përfshirë direkt në këtë punë, por, si zëvendëspresident i FIFA-s, na qëndroi pranë. Vendosi të qëndronte deri në fund në hotelin tonë dhe kjo më kënaqi pa masë, sepse ajo e arbitrave është kombëtarja e vërtetë e FIFA-s. Jetoi me ne, pa ndërhyrë në zgjedhjet tona, por vetëm duke na dhënë mbështetje. Me Busakën kemi ndarë punën e përditshme, duke nisur nga 10 kilometrat e vrapimit në mëngjes për të ruajtur formën. Rozetin e kërkova unë si përgjegjës të VAR-it në Botëror dhe nëse UEFA nuk do ta emëronte në vendin tim, do të kishte një pozicion të rëndësishëm në FIFA. Kishte një akord për këtë.

Çfarë studioni për të përmirësuar arbitrimin?

Gjatë 10 viteve të fundit është punuar shumë me arbitrat, të cilët tani janë më të përgatitur se më parë. Njohja e tyre për futbollin është në një nivel më të lartë dhe fizikisht janë atletë të vërtetë. Por ka gjithmonë vend për përmirësim. Dua që arbitrimi të jetë fleksibël për ndryshimet në futboll, që të përshtatet më shpejt.

Arbitri i finales së Botërorit, Francë-Kroaci, duke parë rastin e penalltisë së francezëve në VAR

A është përdorimi i munguar i VAR-it në Champions arsyeja e largimit tuaj nga UEFA?

Është thënë gjithçka, por e vërteta është se FIFA besoi më shumë që në fillim dhe i nisi më shpejt përgatitjet. Deri tani VAR-i është përdorur në kampionate të ndryshme, kurse përdorimi i tij në Champions, ku ndeshjet luhen në vende të ndryshme, është diçka më e komplikuar. Por jam i sigurt se UEFA dot vendosë ta implementojë sa më shpejt dhe kur kjo të ndodhë, arbitrat do të jenë gati.

A ju kanë kërkuar dorëheqjen?

Është e kundërta. UEFA më kërkoi të rishihja vendimin tim dhe të qëndroja.

Si janë raportet tuaja me Infantinon e Ceferinin?

Me Infantinon kemi ndarë idenë e projektit për ndryshimin e arbitrimit në Europë. Kujtoj ende telefonatat e gjata në 2010-ën. Kur u bë  president i FIFA-s, më kërkoi në skuadrën e tij. Mbrëmjen e finales erdhi të festonte në hotelin tonë. Ceferinit i jam mirënjohës për besimin që më dha kur erdhi në UEFA.

Ai frikësoheni faktit që ekipet e mëdha, të mësuar me titujt, mund të kenë probleme me përdorimin e teknologjisë?

VAR-i jep më shumë qetësi, nuk e ndryshon mënyrën e arbitrimit. Në fushë arbitri vendos, duke e ditur se nëse do të bëjë një gabim, do të ketë një “parashutë shpëtimi”. Kjo është e rëndësishme. Këtë e kam kërkuar që në fillim. Është arbitri ai që vendos dhe nëse ka një dyshim, për shembull për një pozicion jashtë loje, është po ai që sheh imazhet dhe merr vendimin përfundimtar. Por dikush ka ndryshuar mënyrën e punës.

Kush?

Asistentët. Atyre u është thënë që të mos nxitohen me përdorimin e flamurit në disa raste, sepse është më mirë të shënohet goli, për të vlerësuar më pas videon, se të bllokojnë një aksion, që më pas del se është korrekt. Në Rusi nuk është diskutuar fare për pozicionin jashtë loje.

Pra, nuk ka të ardhme në futboll pa VAR-in?

Po, nuk ka të ardhme pa sistemin VAR, edhe pse njerëzit nuk e kuptojnë. Jetojmë në një epokë ku gjithçka që bëjmë bazohet te teknologjia. Kemi provuar vite më parë të minimizojmë gabimet me syrin njerëzor, me arbitrat pas porte, por atëherë teknologjia nuk ishte si sot dhe vazhdon të përmirësohet. Para Botërorit kaluam nga 2D në 3D për vlerësimin e pozicionit jashtë loje, pra me një precizion të lartë për pozicionin e këmbës dhe të kokës së lojtarit.

Kolina dhe Busaka, dy drejtuesit earbitrave në Botërorin e Rusisë

Ju pëlqen VAR-i arbitrave?

Të gabosh dhe më pas të kritikohesh, sigurisht që nuk të pëlqen. Për ata që ishin mësuar të vendosnin vetë, nuk është e lehtë, por duhet të jemi të hapur me ndryshimin. Ajo që ka rëndësi, është rezultati final.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë