Mendim

“Kurim kancerit të Shqipërisë! Çdo gjë më pak do ishte zhgënjim”

Nga Ilir Hysa - Rinia studentore e ka kuptuar më në fund se kanceri që ka mbërthyer Shqipërinë i ka rrënjët e thella. Studentët kanë kuptuar se ata/ato që i çojnë fëmijët e tyre për t’i edukuar jashtë shtetit nuk kanë as dëshirën dhe as kapacitetin të reformojnë arsimin shqiptar.

Studentët kuptojnë më në fund se as administrata e korruptuar shtetërore dhe as bizneset e oligarkëve të Tiranës nuk do të mund të jenë vende dinjitoze pune as sot dhe as nesër.

Studentët e kuptojnë tani se nuk bëhet fjalë për individë të korruptuar por për një sistem të ndërtuar për të qenë kancer në trupin e Shqipërisë. Ndaj zgjidhja do të kërkojë një punë kolosale të mendjeve më të ndritura dhe shërbestarëve më të devotshëm të Shqipërisë, të atyrë që e duan atë vend si atdhe.   

Studentët kuptojnë se të pangopurit nuk njohin kufi. Pasi vodhën minierat, plazhet, tokat, pyjet, ndërtesat, zgjedhjet e gjithçka gjetën përpara, ata tani na thonë se gjoja problemi nuk janë ata por ne që nuk i kuptojmë dot.

Studentët kanë kuptuar se ne jemi popull me shumë fytyra. Ata e dinë tashmë se ata që shitën votën për një punë në administratë, për një leje ndërtimi, për një licencë, etj. nuk erdhën nga Hëna; ata janë të afërmit e tyre. Por fundja këta e patën nga e keqja, por si i bëhet atyre që ikën e i ngulën thikën pas shpine?!

Studentët kanë kuptuar se janë tradhtuar jo vetëm nga farefisi e miqtë e tyre, të cilët për interesa të vogla kanë shitur interesin e përgjithshëm, por ata ndjehen të shitur edhe nga të afërm në diasporë, pikërisht ata që duhet t’i thonë jo të keqes dhe të ngjizin ndjenjën e lirisë në vendin e tyre. E kam fjalën për ata që shtrojnë dreka e darka për të babëziturit e Tiranës; e kam fjalën për ata që krekosen duke pozuar rrjeteve sociale me njerëzit “me peshë” që vijnë nga larg.

Studentët kanë kuptuar se zgjidhja nuk vjen me zgjedhje përfaqësish që blihen; ata kërkojnë të dëgjohen të gjithë, ashtu bashkë siç po protestojnë.

Studentët kuptojnë tashmë se zgjidhja nuk vjen duke i vënë fasho plagëve, por duke kuruar kancerin që ka mbërthyer Shqipërinë. Fundja, ky është misioni i studentëve. Çdo gjë më pak do të ishte zhgënjim.

Marrë nga profili i Facebook i Dr. Ilir Hysës, ekspert i Moody's


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë