Euro Retro

Kur Shqipëria mposhti kampionët e Europës

“Grekët kanë edhe 3 orë afat”- Një tifoz kuqezi para ndeshjes

Mendrit Shehu- 4 shtator 2004, Tiranë. Një datë që të gjithë mezi po e prisnin. Do të ndesheshim me Greqinë. Bëhet fjalë për derbin ballkanik, aq shumë i ndjerë për ne. Kishim luajtur edhe më parë, por kjo ishte e një rëndësie tjetër. Greqia vinte në “Qemal Stafa” si kampione e Evropës, pasi kishte mposhtur në finale Portugalinë. Nuk  bëhet fjalë vetëm për një ndeshje futbolli, është historia e dy vendeve fqinjë, që edhe pse jetojnë në paqe kanë ende në fuqi ligjin e luftës, ku rrënjët e konflikti janë të thella: Çështja çame dhe racizmi ndaj emigrantëve gjenin përballje edhe në futboll. Në këtë mënyrë fitorja ishte alternativa e vetme.

Atmosfera në Tiranë atë ditë ishte elektrizuese, ku mijëra njerëz kishin ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Disa prej tyre kishin blerë biletë në tregun e zi, duke paguar trefish. Për herë të parë kryeqyteti ishte shumë i vogël për të përballuar tifozët e shumtë. Entuziazmi ishte aq i madh,sa në 10 minutat e para, kampionët e Evropës ndëshkohen 2 herë. Fillimisht Murati dhe më pas një silurë e Aliaj-t bënë që të shpërthente vullkani ‘’Qemal Stafa’’.

Greqia ngushtoi shifrat me anë të Stelios Giannakopoulos, por deri në fund rezultati nuk ndryshoi. Minutat e fundit ishin një dramë e vërtetë, ku tifozët ndihmojnë ekipin në mënyrë që të ruajnë rezultatin. Vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit Eduardo Iturralde González solli çlirim, frymëmarrje dhe startoi festën. 2 muaj pasi fituan Evropianin, kombëtarja greke e drejtuar nga gjermani Rehagel do të thyhej në Tiranë, duke e bërë datën 4 shtator nga mbrëmjet më të bukura në historinë e futbollit shqiptar. Fitorja solli një festë të jashtëzakonshme, ku si asnjëherë më parë bulevardi ishte i mbushur plot. Por për fat të keq, pati edhe nga ata që nuk e pranuan dot këtë humbje.

Disa orë më vonë vjen lajmi se një emigrant shqiptar ishte vrarë në Greqi, ku mëkati i tij i vetëm ishte se kishte veshur ngjyrat kuqezi. Djaloshi nga Kukësi po festonte në rrugët e ishullit Zakinthos bashkë me disa emigrantë të tjerë shqiptarë, veprim që solli nervozizëm te vendasit. Emigrantët u sulmuan nga një grup prej 4-6 personazh me armë të ftohta. Duke i qëlluar nga pas dhe pabesisht dhe pa iu lënë mundësi rezistence, ata arritën të godasin nga pas 8 persona, mes tyre dhe Gramozin. Të gjithë u dërguan me shpejtësi në Spitalin e Ishullit, po duke qenë se shumica e tyre ishin pa dokumente të rregullta, spitali nuk ka pranuar t'jua japë ndihmën e parë menjëherë. Por me forcë dhe me detyrim nga shqiptarët e tjerë që ishin mbledhur, mjekët pranuan. Por, fatkeqësisht për Gramozin ishte tepër vonë.

Gramozi sot do të ishte 35 vjeç. Ai iku pa e ditur se ajo fitore ishte vetëm një gur në suksesin që do të vinte më vonë. 11 vjet më pas Shqipëria për herë të parë ja arriti të kualifikohej në një event madhor, FRANCE 2016. Edhe pse kanë kaluar 15 vite, 4 shtatori i vitit 2004 nuk do harrohet kurrë edhe për shkak të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku ksenofobia greke kishte triumfuar. Tashmë emri i Gramoz Palushit është i gdhendur në muret e një shkolle që mban emrin e tij prej vitesh. Ai dha jetën për flamurin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë