Rend dhe Ligj

Kur policia e merr seriozisht hetimin, zbulon kallzimin e rremë

Kur policia e merr seriozisht hetimin, të zbulon dhe gënjeshtrat që në gjuhën e tyre vlerësohen si kundërvajtje dhe që ndryshe quhen kallëzim i rremë. Gënjeshtra e një shtetasi, i cili i kishte dhënë makinën shokut të ngushtë për të udhëtuar jashtë, por që e denoncoi si të humbur në Tiranë doli që i kishte këmbët e shkurtra. Tashmë denoncuesi rrezikon të përcillet në prokurori për kallëzim të rremë, pasi veprimet hetimore nga këqyrja e një numri të madh kamerash sigurie zbuluan se denoncuesi nuk kishte qenë aspak në vendin ku pretendonte se i vodhën automjetin dhe aq me tepër aty të kishte qenë e parkuar edhe makina.

Rasti u zbardh nga komisariati i Farkës thonë burimet policore të Gazetasi.al, shtetasi S. S shkoi në polici dhe ju kërkoi agjentëve t’i gjenin makinën që e kishte blerë 63 mijë euro. Dhe agjentët përveshën mëngët. Por rezultati ishte suprizues për kallëzuesin, i cili kur u vu para fakteve të kamerave të sigurisë që tregojnë se në asnjë moment ai nuk kishte qenë në afërsi të Saukut, ai u dorëzua. Fillimisht ia vuri fajin alkoolit që kishte konsumuar treguan burimet policore. Dhe më pas tha se kallëzimin e dorëzoi pasi ia kishte dhënë automjetin luksoz një mikut të tij, që në telefon e kishte njoftuar që ia kishin vjedhur në Zvicër dhe ai nga mërzia kërkoi zgjidhje nga policia e Tiranës, duke sajuar rrethana të pavërteta.

Kallëzimi i parë

Kam një mjet tip BMV X. isha së bashku me shokun tim M. B për të ecur në këmbë nga zona e Farkës te rrethi i parë poshtë urës e parkova, rreth 150 metra larg rrethit. Dolëm në këmbë deri në majë të kodrës, kur u kthyem makina nuk ishte aty. Automjeti im ka dy çelësa, njërin e kam në xhep dhe tjetrin në Zvicër. Çelësat e makinës nuk ia kam dhënë asnjë personi. Vendi ku m’u vodh makina ishte hera e parë që e frekuentoja dhe dua që ta ndjek ligjërisht dhe të gjenden hajdutët, pasi automjetin e kam blerë për 63 mijë euro në vitin 2019.

I pyetur nga agjentët ky shtetas jep detaje të hollësishme duke shtuar se në vendin ku e parkoi makinën luksoze nuk gjeti shenja xhamash të thyer, çka do të thoshte sipas tij se mjeti ishte vjedhur pa dhunë.

“Jam shumë i sigurt që kalova tek ajo rrugë kur zbret tek karburanti dhe parkova poshtë rrethit të vogël rreth 150 metra. Nuk kam asnjë dyshim tek asnjë person.

Policia tregon se si pas këtyre detajeve janë vëzhguar të gjitha kamerat e sigurisë dhe aty nuk tregohej asnjë mjet i parkuar sipas orareve që kallëzuesi pretendon se doli xhiro. Aq më tepër me karakteristikat e mjetit luksoz.

Policia sipas burimeve të Gazetasi.al e ripyet pronarin e makinës për të saktësuar dhe një herë vendin ku ai e parkoi por ai këmbëngul për të njëjtin lokacion duke shtuar “nuk di si ta shpjegoj këtë që tregojnë kamerat”.

Më tej për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur me makinën e shtrenjtë policia gjen adresën e personit me të cilin S. S pretendon në polici se doli xhiro me të. Ky shtetas jep një version krejt tjetër.

“Gjendesha në ish-Bllok dhe S. S erdhi më mori me një makinë të bardhë, jo BMV X. shkuam në qendrën tregtare. Aty parkoi makinën dhe kur u kthye më tha do merrnim taksi dhe se do shkonte në polici”.

Sipas dëshmitarit shoku nuk i dha asnjë shpjegim se përse do shkonte në polici.

Mbas këtyre rrethanave të reja, agjentët e njoftuan kallëzuesin të paraqitej në komisariatin e Farkës për të mësuar të rejat më të fundit mbi makinën. Burimet shtojnë se kur ai u vu në dijeni për gjetjet e agjentëve u dorëzua menjëherë dhe e pranoi që kishte kryer kallëzim të rremë me ndërgjegje të plotë.

“Ia dhashë makinën e shtrenjtë shokut tim, i cili kishte një problem familjar dhe udhëtoi drejt Zvicrës. Në mars më telefonoi dhe më njoftoi se makinën ja kishin vjedhur. U mërzita shumë. Piva alkool dhe në pije e sipër erdha në komisariat për të kallëzuar”. Mes provave që u administruan ndaj kallëzuesit të rremë burimet e Gazetasi.al tregojnë se sekuestruan edhe pultin e makinës luksoze për të cilën u vunë në kërkim tre agjentë të hetimit të krimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë