Ekspozite

Kur piktura të frymëzon edhe në… bankë

Nga Luljeta Nelallari - Piktori i njohur shqiptar, Helidon Haliti, këtë herë vjen me një ekspozitë ndryshe. Ai risjell magjinë e penelatave të tij përmes një ekspozite të hapur në “Credins Bank”.

Veprat e paraqitura aty duket sikur përcjellin një harmoni të plotë mes njeriut e natyrës, ku ngjyrat shpërthyese dhe shkrirja e tyre të ngjallin një emocion të veçantë në mjediset e një biznesi. Janë 10 piktura të cilat i përkasin koleksionit të tij privat, nga cikli “Fabulous”, një cikël që ka shëtitur në disa vende të botës, duke filluar nga Kosova, në Paris, në Monte Karlo.

Por pse është zgjedhur pikërisht mjedisi i një banke për t’i ekspozuar këto piktura?

Piktori Helidon Haliti tregon për Gazetën “Si”, se ka zgjedhur këtë mjedis për t’u dhënë optimizëm njerëzve në këto kohëra trishtuese që po kalojmë dhe në një mjedis ku ndihet më shumë ftohtësia ekonomike, siç është banka.  

“Këtë cikël prej 10 pikturash, unë e kisha ruajtur dhe tani vendosa ta ekspozoj për shkak të krizave të ndryshme që po ndodhin, për shkak se njerëzit janë shumë të heshtur, njerëzit nuk gëzojnë, është shumë e çuditshme, por meditojnë, shikojnë, kanë një kontakt me pikturën, dhe pa dyshim kanë kontakt me problematikat e tyre ekonomike, dhe në shumicën e rasteve kjo ndodh nëpër banka. Ndaj mendova që pikturat të vendosen patjetër në një vend ku ekonomia ka pa diskutim atë ashpërsinë e saj, ka zymtësinë e vet dhe ndërkohë që klientët mund të presin në radhë për në bankë me atë ftohtësinë e një ekonomie, ngjyrat e pikturës do të jepnin një optimizëm”, shprehet Haliti për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “këto piktura do të bënin që klientët të ‘ngjyroseshin’ sadopak me optimizëm”.

Ai thotë se ky optimizëm dhe ky emocion që do të ngjallë me ngjyrat e ngrohta te njerëzit lidhet edhe me ardhjen e pranverës.

Piktori Helidon Haliti

Ndër të tjera, Haliti shpjegon se kjo është edhe një iniciativë e tij për të bërë më të ndjeshëm atë që quhet lidhje biznes-art.

“Unë mendoj që bankat janë investitori më i madh i arteve pamore, janë ato që kanë krijuar muzeume të ndryshme brenda tyre, janë ato që qarkullojnë goxha mirë koleksionet e veprave të artit, janë ato që kuotojnë. Është e rëndësishme që në Shqipëri një ditë artisti të shkojë sa më pranë biznesit dhe kjo ndodh edhe pse hapësirat për të ekspozuar janë shumë të pakta në Shqipëri. Kështu që në njëfarë mënyre lëvizim dhe ne artistët e artit pamor, po shkojmë sa më pranë biznesit dhe sa më pranë atyre që kanë nevojë për ngjyrim”, shprehet artisti për Gazetën “Si”.   

Duke u kthyer pas në kohë, Haliti thotë se nuk është hera e parë që ekspozohen piktura në bankë, pasi “Banka Credins” u ka hapur dyert artistëve që para 10 vitesh.

“Banka Credins herët u ka hapur dyert artistëve. Më kujtohen disa ekspozita para 10 vjetësh që bëheshin në bankën qendrore dhe atëherë unë thjesht vëzhgoja dhe më ka pëlqyer kjo iniciativë. Po ashtu ne e kemi dhe sponsor këtu e 5 vjet në Bienalen e Akuarelit ku kemi ftuar më shumë se 3000 artistë nga më shumë se 70 vende të ndryshme të botës, sepse entet private është mirë që të jenë pro artit, i cili shpeshherë për shkak të natyrës së tij të vetmuar lëngon”, shton më tej ai.

Sipas tij, mbështetja nga entet private është edhe një mënyrë që artistët të vihen në lëvizje, të cilët në pandemi kanë krijuar goxha vepra interesante dhe do të ishte mirë që ato të ekspozoheshin qoftë në ambiente kaq minimaliste.

Në fund, ai thotë se ekspozimi i pikturave në mjediset e bankës nuk ka lidhje me debatet e tij më të hershme për pamundësinë për të ekspozuar në Galerinë Kombëtare.

“Kjo ishte një iniciativë e imja për të bërë më të ndjeshëm atë që ne e quajmë lidhje biznes-art, ndërkohë që në çdo moment unë do të thosha që ka çedim të sallave të ekspozimit. Galeria Kombëtare ka një menaxhim tejet të pakuptueshëm, të cilën unë e kam shprehur. Ndërkohë që Ministria e Kulturës mua ma aprovoi projektin që Galeria Kombëtare ma refuzoi, dhe unë atë projekt do ta ekspozoj në Muzeun Kombëtar, ndryshe do ta bëja dhe në rrugë”, përfundon piktori Haliti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë