Ekspozite

Kur nuk bënte histori,Churchill bënte piktura

Winston Churchill duke pikturuar në plazhin e Majemit, Florida. Foto nga Bettman/ Getty Images.

Në moshën 40 vjeçare, Sir Winston Churchill e pa veten në rënie të karrierës: Pasi sulmi, gjatë Luftës së Parë Botërore, që ai urdhëroi në Galipoli, të Turqisë, shkoi keq, u ul në rang si Lord i Parë i Forcave Admirale, në maj të 1915-ës. Dha dorëheqjen nga posti qeveritar dhe u bë oficer i ushtrisë. I zhveshur nga pushteti dhe i tretur në ankth, ai nisi një pasion të beftë: pikturën. “Piktura më erdhi si shpëtim në kohët më të trazuara”, do të shkruante më vonë Churchill, në vitin 1920, në esetë që do të bëheshin një libërth, titulluar “Piktura si kalim kohe.”Ky pasion u bë, për burrështetasin e madh britanik, një burim kënaqësie dhe qetësim nga stresi i karrierës së tij. Do të krijonte gjithsej 550 piktura, duke i veshur kësaj praktike aftësitë ndihmëse si ruajtja e mprehtësisë së shikimit, forcës vëzhguese dhe kujtesës. Kalimi i kohës do të lulëzonte dhe ndoshta edhe do ta ndihmonte, ndërsa e çoi më tej karrierën si një shkrimtar i njohur botërisht, orator dhe lider politik.

Churchill e mori në dorë për herë të parë një furçë si sugjerim i kunatës së tij, Lady Gwendoline Bertie, që ishte gjithashtu piktore. Në librin “Piktura si kalim kohe” ai do të kujtonte përpjekjen e parë të të bërit art, një ditë, në periferi. I frikësuar nga pëlhura e bardhë përballë tij, ngurrues ai do të vendoste një njollë të zbehtë bluje në sipërfaqen e saj, për të nisur nga qielli dhe, shpejt u ndërpre nga mbërritja e piktorit nga Gllasgou, Sir John Lavery dhe bashkëshortes së tij, Hazel. Kjo e fundit thirri më zë të lartë, “Pikturë! Po për çfarë po ngurron kaq? Ajo ia rrëmbeu furçën dhe bëri “njolla të mëdha e të guximshme bluje në pëlhurë.” Pas kësaj, Churchill do të shkruante, “Kapa furçën më të madhe dhe iu hodha viktimës sime me tërbim. Nuk kam ndier më frikë nga një kanavacë prej asaj kohe.” Në pesë dekadat e mëpasshme, Churchill ishte prodhimtar, duke u fokusuar tek peizazhet, të pikturuara në natyrë. Dhe, pavarësisht deklaratave të tij të pareshtura se ishte thjesht amator, ai zhvilloi një prirje të admirueshme për art. “Qasja e tij qe shumë e thjeshtë: Dil jashtë dhe pikturo çfarë sheh”, do të thoshte stërnipi i tij, Duncan Sandys. “E bënte për argëtim: nuk i merrte seriozisht pikturat e tij. Churchill ishte më shumë i dhënë pas teknikës së vajit, për natyrën e tyre të përthyeshme dhe tolerante, për ngjyrat e gjalla, si edhe gëzimin që përcillnin. “Vetëm të pikturuarit është një argëtim i madh”, shkruante ai, “Ngjyrat janë të këndshme për t’u parë dhe të shijshme për t’u shtrydhur.”

Sir Winston Churchill, Peizazh shkëmbor në Sicili. © National Trust / Charles Thomas.

Ai njihej se nxirrte këmbalecin jashtë për të mbërthyer terrenet e shtëpisë së tij të fshatit, në Kent, të quajtur Chartwell. (Tani në pronësi të Trustit Kombëtar dhe e hapur për vizitorët, ende strehon studion e ruajtur të pikturës së Churchill-it.) Politikani –piktor do të punonte gjithashtu gjatë udhëtimeve të tij në Egjipt, Itali, Marok dhe në jug të Francës, mes destinacioneve të tjerë. Ndërsa tendenca për subjektet në natyrë mbizotëronte, ai gjithashtu e stërviti dorën edhe me natyrat e qeta dhe portretet, me shkallë të variueshme suksesi. Veprat e Churchill-it lexohen si një lloj fotografie intime e çastit, duke ilustruar destionacionet e tij të parapëlqyera të udhëtimeve dhe anëtarët e familjes. Në tërësi, subjektet e tij shfaqjen bindshëm pozitivë, duke komunikuar kënaqësinë që përftonte ai duke i portretizuar. Churchill ishte kryesisht autodidakt dhe leksionet formale të artit ishin lojë për të rinjtë. Ajo çka ai dhe kolegët amatorë të një mendjeje me të kishin më shumë nevojë, besonte ai, ishte një lloj i caktuar pasioni. “Ne nuk aspirojmë tek kryeveprat”, shkruante ai. “Ne mund ta kënaqim veten me një shëtitje gëzimi në një kuti bojërash. Dhe për këtë, guximi është bileta e vetme.” E megjithatë, ai ishte i zellshëm të përmirësonte teknikën e tij dhe e bëri këtë duke huazuar nuanca nga artistët kryesorë. Ai admironte veprën e mjeshtërve të Impresionizmit dhe Post-Impresionizmit si Édouard Manet, Claude Monet, Paul Cézanne dhe Henri Matisse dhe njihej madje se udhëtonte në të njëjtat destinacione ku ata kishin pikturuar vite më parë, duke kërkuar dritën dhe terrenin, që kishin dhënë prova të ishin frymëzues.

Studioja e Winston Churchill-it në Chartwell. ©National Trust Images/Ciaran McKrickard.

“Ai kishte artistë të panumërt në rrethin shoqëror, prej të cilëve shumë iu bënë mentorë”, ka thënë Katherine Carter, kuratore e projektevedhe menaxhere e koleksioneve, në Chartwell. Ajo do të veçonte Walter Richard Sickert dhe William Nicholson, që do t’i ofronin Churchill-it këshillë, të cilën mund dhe mund të mos e kishte pranuar. Carter ka vërejtur se disa piktura rrëfejnë historinë e Churchill-it dhe Nicholson-it, që punojnë krah për krah të njëjtin peizazh të një pellgu në Chartwll. “Nicholson ishte përpjekur t’i tregonte të hidhej në ngjyra më delikate dhe të lehta, në paletën e tij”, shpjegon ajo. “Churchill, një burrë që e dinte çfarë pëlqente, zgjodhi ta shpërfillë udhëzimin e mikut dhe pikturoi të njëjtin peizazh, duke përdorur të gjelbrën më të gjallë që mund të krijonte.” (Skena të ndërmend shprehjen e famshme të Churchill-it: “Jam gjithnjë gati të mësoj, megjithëse jo gjithnjë më pëlqen të më mësojnë.”) Ngjyrat e ndezura e kënaqnin Churchill-in; ai i përdorte dendur blutë dhe të gjelbrat e gjalla, të kuqen e pjekur, të portokallinjtën dhe të verdhat. “Nuk mund të pretendoj të ndihem i paanshëm rreth ngjyrave”, shkruan ai në “Piktura si kalim kohe”. “Kënaqem me të shndritshmet dhe më vjen vërtet keq për të kafenjtat e gjora.” Në të vërtetë, edhe vetëm vizita në studion e Churchill-it në Chartwell, është si “të ecësh në një kaleidoskop.” Nuk është edhe aq befasi që Churchill favorizonte ngjyrat që të gjallëronin shpirtin, duke qenë se shpesh i kthehej pikturës për të përmirësuar gjendjen e tij shpirtërore. Ai njihej se vuante nga dallgë depresioni, që i ka përshkruar si “qeni i zi”, që iu qep gjatë gjithë jetës. “Kur “qeni i zi”, i kafshonte thembrat, ai gjente ngushëllim tek piktura”, shpjegon Riley. (Carter ka vërejtur se ka një lidhje mes kohëve më të vështira në jetën e Churchill-it dhe vëllimi të pikturave të tij; pushimet tri javore në Itali që mori pasi humbi në zgjedhjet e 1945-ës ishte momenti i tij më prodhimtar.)

Sir Winston Churchill, Pamje e Chartëell-it. © National Trust / Charles Thomas.

Disa janë përpjekur të heqin paralele mes kërkimit të brendshëm të pikturave të Churchill-it dhe talentin e tij legjendar për shkrimtarinë. “Mënyra sesi zgjidhte një furçë për të pikturuar, ishte analoge me mënyrën sesi zgjidhte një stilolaps për të shkruar një fjalim”, ka thënë Timothy Riley, drejtor dhe shef kurator në Muzeun Kombëtar të Churchill-it, në Misuri. “Pikturat e tij dalin nga i njëjti vend. Mendja e tij brilante, vizioni, aftësia e tij e vëzhgimit e tregonin si burrë shteti, shkrimtar, lexues dhe piktor.” Por qasja e tij ndaj pikturës ishte krejt ndryshe nga ajo e të shkruarit. Ndërsa piktura ishte një sfidë, të shkruarit i vinte natyrshëm dhe ishte, për pjesën më të madhe të jetës, mënyra sesi fitonte jetesën. “Me pikturën, Churchill ishte përgjithmonë një nxënës i zellshëm, ndërsa me fjalët, ai ishte gjithnjë mjeshtri”, ka thënë Carter. Mund të jetë megjithatë, që qasja e Churchill-it ndaj pikturës, rridhte nga të shkruarit e tij. “E njohim Winston Churchill-in si një shkrimtar dhe folës i madh”, ka thënë Riley. “Fjalimet e tij janë disa nga më të mëdhatë e shekullit të 20-të dhe atë çka bënte me fjalët, duke i prekur njerëzit përmes fjalimeve, po përpiqej ta bënte me ngjyrat, dritat dhe hijet – ato që piktorët përdorin për të përçuar një mesazh, për të përshkruar botën dhe për të zgjuar emocion.” Sandys beson se piktura e bëri Churchill-in një lider më efektiv, veçanërisht falë aftësive të përmirësuara të vëzhgimit dhe kujtesës që ky kalim kohe i solli. Ai i vuri gishtin Betejës së Britanisë, më 1940-ën, pak pasi u bë kryeministër, kur shkoi në vijën e frontit për të vëzhguar më sytë e tij, mbrojtjen britanike. “Ndoshta mendonte se duke shkruar atje dhe duke i parë me sytë e tij, mund të shihte dhe ta kujtonte me më shumë saktësi”, ka thënë Sandys, duke vërejtur se mund ta kishte ndihmuar atë të analizonte tablonë e plotë të fushëbetejës, duke parë sferat për përmirësim. “Mendoj se është çështje që duhet të ngrihet: A ishte piktura një faktor kontribuues ndaj disa vendimeve që kishte marrë ai në momente kritike?” (Vetë Churchill hiqte paralele mes rolit të gjeneralit në betejë dhe piktorit.)Dhe, ndërsa ai pikturonte vetëm gjatë momenteve të kohës së lirë, Churchill krijoi një vepër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndodhi gjatë një udhëtimi në Marrakesh me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin D. Roosevelt, më 1943-shin, pas Konferencës së Kazablankës dhe që strukturoi një akt diplomacie mes dy shteteve. “Ishte e vetmja pikturë që mundi të pikturonte gjatë luftës dhe më pas iu dhurua Roosvelt-it si suvenir i kohës së tyre bashkë, gjatë atij çasti të shkurtër pushimi”, shpjegon Carter. Presidenti i mëvonshëm amerikan, Dwight D. Eisenhower, ishte kaq i dhënë pas pikturave të Churchill-it, saqë vendosi ta provojë edhe vetë e madje ngriti edhe një studio, në Shtëpinë e Bardhë – i vetmi president amerikan që e bëri. Më së fundi, ish-presidenti George W. Bush, e cilësoi librin “Piktura si kalim kohe”, një forcë frymëzuese pas praktikës së tij të artit. Pavarësisht lëvdatave që mori për veprat e tij, Churchill ishte gjithnjë nervoz, kur i shfaqte publikisht apo përpara miqve. Në Londër, më 1947-ën, për shembull, Sir Alfred James Munnings, atëkohë president i Akademisë Mbretërore të Arteve, e bindi Churhcill-in të çonte dy nga pikturat e tij në një ekspozitë të përvitshme vere, por burri i shtetit këmbënguli që të shfaqeshin me pseudonimin, David Winter.

Natyrë e qetë, Fruta, 1930. Sir Winston Churchill/ Heather James Fine Art

Më 1959-ën, presidenti Eisenhower kërkoi që pikturat e Churchill-it të shfaqeshin në ShBA dhe, ekspozita do të shihej nga gjysmë milionë vizitorë, ndërsa udhëtoi nga Amerika drejt Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re. Churchill madje do të emërohej akademik nderi i Akademisë Mbretërore të Londrës. Në vitet e fundit, Sandys ka ndihmuar për të ngritur ekspozita të stërgjyshit të tij, duke përshirë edhe një shfaqje lëvizëse nëpër Amerikë, që u organizua në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar Churchill. Ekspozita më e fundit – në pranverën e 2018-ës, në Galerinë e Arteve të Bukura Heather James, në Palm Desert, Kaliforni – përfshinte 11 piktura të koleksionit të babait të Sandys-it. E megjithatë, nuk mund t’i shmangemi pyetjes: A ka të bëjë arti kaq i vlerësuar e Churchill-it me pikturat apo me njeriun, që i krijoi ato? “Mendoj se do të ketë gjithnjë një element magjepsjeje me to, për shkak se janë pikturuar nga Winston Churchill, pa marrë parasysh imazhin dhe, nuk mendoj se ka ndonjë gjë të gabuar me këtë”, ka vërejtur Carter. “Interesi në pikturat e tij nuk bie kurrë dhe arsyeja për këtë, më shumë sesa imazhi në kanavacë, është për shkak të vështrimit unik që na japin brenda mendjes së një individi aq magjepsës dhe të patundur.” E megjithëse nuk janë veçanërisht revolucionare përballë vlerës artistike, pikturat e Churchill-it na kujtojnë gëzimin e madh që të pikturuarit mund të sjellë. Duke jehuar librin e Mateut në Dhiatën e Re, Churchill e ka thënë më së miri: “Të lumë janë piktorët, sepse ata nuk do të jenë vetëm. Drita dhe ngjyra, paqja dhe shpresa, do t’u bëjnë shoqëri deri në fund, ose pothuajse deri në fund, të ditëve.”
Casey Lesser /Artsy


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë