Futboll

Kur Lushnja e Edmond Begos president ishte faktor në futboll

Bota e futbollit është shumë e gjerë dhe në të janë përfshirë si drejtues edhe shumë njerëz të fushave të tjera, kryesisht të biznesit dhe politikës dhe që në jo pak raste kanë pasur probleme me ligjin. Rasti më i fundit është ai ish-presidentit të Lushnjës, Edmond Begos, i cili ka pushtuar faqet e shtypit pas arrestimit të tij në Greqi dhe akuzave për trafik droge. Bego ka mbajtur për 2-3 sezone postin e presidentit të Lushnjës dhe bëhet fjalë për vitet 2002, 2003 dhe 2004.

Ka qenë një nga periudhat më të mira të skuadrës myzeqare, pas asaj të bujshme të vitit 1996, kur Rrapush Xhaferri i firmave të famshme piramidale solli në Lushnjë si trajner ish-kampionin e botës, Mario Kempesin, si dhe disa lojtarë të huaj. Edhe në kohën e presidencës së Begos, Lushnja ka pasur trajner të huaj, rumunin Aurel Cikleanu. Ky i fundit qëndroi disa muaj dhe më pas skuadra lushnjare u drejtua nga ndihmësi i tij, Agim Canaj. Të dy kishin punuar një vit më parë edhe te dinamo. Në atë kohë Lushnja jo vetëm që ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar, Kategorisë Superiore, por kishte një grup të mirë futbollistësh, që i garantonte mesin e tabelës. Lushnja ishte faktor i rëndësishëm në kampionat me futbollin që luante dhe rezultatet që arrinte.

Lushnja feston me tifozët e saj në stadiumin "Roza Haxhiu"

Pjesë e Lushnjës së atyre viteve, me president Begon, ishin lojtarë të njohur si mbrojtësi veteran Sajmir Malko, Endri Vrapi, më pas kampion me Elbasanin, mesfushori Bledar Devolli, që më pas ka luajtur me skuadrat më të mëdha, sulmuesit Klodian Arbri dhe Arlind Nora, si dhe një grup lojtarësh lushnjarë me kualitet. Lushnja e asaj kohe kishte zot dhe stadiumi “Roza Haxhiu” mbushej plot, ndërkohe që nuk mungonin tifozët lushnjarë edhe në qytete te tjera. Ato vite kujtohen nga të gjithë sportdashësit lushnjarë si një ndër periudhat më të mira të skuadrës lushnjare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë