Njerez

Historia e vajzës ku mjekët gabuan me sëmundjen

"Kur mjekët më thanë se kisha një problem të madh me veshkat, u frikësova shumë,” thotë Albiona Zani, një 18-vjeçare me ëndrra të mëdha për të ardhmen.

Ajo rrëfen për Gazetën “Si” se frika i nisi në momentin që shkoi për t’u vizituar në urgjencën e qytetit, sepse kishte dhimbje veshkash.

“Pasi më vizituan, mjekët më thanë se duhet të bëja një eko, për të kuptuar se çfarë kisha. Në momentet që do më bënin qetësuesin, me një fytyrë të mërzitur më thanë se duhet të bëja një skaner pasi veshka ime kishte probleme të mëdha. Në atë moment ndjeva një frikë të cilën nuk mund ta përshkruaj,” shton ajo.

“Nuk e mendoja kurrë se do sëmuresha kaq shumë, të gjithë ishim të mërzitur për diçka që nuk e kuptonim ende,” thotë Albiona. “Bashkë më dhimbjet e forta, ndjeja dhe shqetësimin e madh të mamasë time kur më thanë se duhet të bëja një skaner me kontrast,” shton ajo.

Albiona Zani

Albiona është një gjimnaziste e cila ka ëndrra të mëdha për jetën. Ajo tha se në të ardhmen dëshiron të bëhet aktore dhe gjatë gjithë kohës punon për të arritur rezultate të shkëlqyera në shkollë. Me një fytyrë të trishtuar, shprehet se kishte kaluar ditët më të këqija të jetës së saj kur duhet të bënte një sërë analizash për të kuptuar se çfarë kishte.

Skaneri është një metodë diagnostiko-imazherike që përdor një kombinim të grafisë me teknologjinë kompjuterike dhe prodhon imazhe horizontale ose aksiale të trupit. Skanimi i trupit tregon një imazh të detajuar të çdo pjese të trupit, duke përfshirë kockat, muskujt, indet dhjamore dhe organet, për të dhënë një informacion më të detajuar se grafitë e zakonshme.

Skaneri mund të bëhet me ose pa kontrast, e cila është një substancë që merret nga goja ose injektohet në vena dhe jep një pamje më të qartë të organeve. Me anë të kësaj teknologjie  shohim vendosjen e kateterëve të brendshëm gjatë biopsive të organeve torakale ose të tumoreve. Skanerët janë të dobishëm për të monitoruar tumoret para dhe pas trajtimit të tyre. Ekzaminimi nuk shkakton dhimbje, por disa pacientë që frikësohen nga zonat e mbyllura kanë probleme me këtë ekzaminim.

Por a janë këto ekzaminime gjithmonë të padëmshme?

“Në momentin që mbarova vizitën, menjëherë fillova të kruhesha në të gjithë trupin dhe kisha temperaturë të lartë,” thotë 18-vjeçarja. "Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me mua. Mjekët më vizituan përsëri dhe më thanë se trupi im nuk kishte reaguar mirë nga lënda e kontrastit që më kishin injektuar,” shton Albiona.

Ekspertët thonë se herëpashere injektimi i lëndës së kontrastit ka efekte anësorë. Personat alergjikë ndaj kësaj substance, kanë temperaturë të lartë, teshtimë të vazhdueshme, ekzemë, fryrje të venave dhe shumë shqetësime të tjera.

Mjeku alergolog në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, Altin Abazaj thotë për Gazetën "Si" se rreziku i këtij ekzaminimi në krahasim me dobitë, është shumë i vogël, por duhet të veprohet me kujdes para çdo kontrolli.

“Skaneri me kontrast mund të shkaktojë efekte anësore të cilat fatmirësisht shpeshherë kërkojnë terapi me ilaçe, por nuk mund të përjashtojmë faktin se kontrasti kthehet në një lëndë të rrezikshme nëse mjekët nuk e pyesin pacientin kur është alergjik nga substanca të ndryshme mjekësore ose nuk e injektojnë siç duhet,” thotë doktori. “Ka pasur raste që njerëzit kanë vdekur nga kontrasti, pasi është një lëndë e cila reagon në varësi të organizmit të pacientit,” shton ai.

Sipas doktor Abazajt, keqinterpretimet e vizitave dhe ekzaminimeve janë një problem shumë i madh në vendin tonë. Edhe pse jo me një numër të saktë, çdo vit paraqiten shumë pacientë të cilët janë diagnostikuar me sëmundje që nuk kanë. Ata marrin ilaçe për të cilat nuk kanë nevojë dhe kryejnë ekzaminime që mund të rezultojnë fatale.

“Nuk e besoj ende që mbas gjithçkaje e vetmja gjë që më shkaktonte dhimbjen e madhe ishin disa damarë rreth brinjëve, të cilët ishin të fryrë  dhe krijonin presion te veshka ime,” thotë Albiona.

Të gjithë e dimë se trajtimi i sëmundjeve që nuk ekzistojnë është e kotë dhe shumë e shtrenjtë. Ajo tha se ka qëndruar nëpër spitale, rreth një muaj e gjysmë dhe shumicën e ilaçeve i ka blerë vetë pasi spitali nuk kishte në gjendje. Gjithashtu, nuk mund të mos përmendim edhe kushtet në të cilat formohen mjekët e ardhshëm në vendin tonë dhe informacionin e paktë që kanë mbi medikamentet që u këshillojnë vazhdimisht pacientëve.

“Për pesëmbëdhjetë ditë, piva një ilaç për infeksion në veshka, ndërkohë që nuk kisha asgjë të tillë,” thotë Albiona. “Mbas gjithçkaje nuk arrija ta besoja se të gjitha ilaçet dhe analizat, kishin qenë të panevojshme. E vetmja gjë për të cilën duhet të kurohesha ishte presioni psikologjik që vuajta,” shton ajo, e cila pas dy muajve "torture", është kthyer tashmë në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë