Futboll

Kupa e Shqipërisë njeh sot dy finalistët, sytë te “ndeshja e krimit”

Dy skuadrat që do të shkojnë në finalen e 2 gushtit të Kupës së Shqipërisë do të mësohen sot në mbrëmje, pas ndeshjeve të kthimit të turit gjysmëfinal. Tirana pret Bylisin në “Selman Stërmasi” në orën 17:45, kurse sfida tjetër, Teuta-Kukësi, luhet në orën 20:45, në stadiumin “Niko Dovana”.

Vëmendja do të jetë e gjitha te “ndeshja e krimit”, Tirana-Bylis. Ndeshja e parë mes këtyre skuadrave, e fituar 2-1 nga Bylisi, po hetohet nga Komisioni i Etikës në FSHF, pasi ka dyshime të forta se është e trukuar. Tirana udhëhiqte 0-1 pas pjesës së parë dhe në të dytën pësoi 2 gola. Mënyra si u pësuan këta 2 gola ngritën dyshimet për trukim të rezultatit dhe pamjet e asaj ndeshjeje bënë xhiron e botës.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, pas ndeshjes në Ballsh i hodhi poshtë dyshimet dhe foli me bindje për kualifikimin e skuadrës së tij për në finale. Bardhebluve do t’u mjaftonte sot një gol për t’u kualifikuar dhe shanset janë të mëdha që të jenë kryesuesit e kampionatit finalistë të Kupës së Shqipërisë.

Kukësi feston një gol të shënuar ndaj Teutës në ndeshjen e fundit në kampionat. Gazeta Si, 15 korrik 2020

Një ndeshje krejtësisht e hapur është ajo mes Teutës dhe Kukësit, që në aktin e parë nuk arritën ta gjenin rrugën e rrjetës. Në pamje të parë duket sikur durrsakët janë të favorizuar nga barazimi 0-0 i ndeshjes së parë, por Kupa ka një specifikë tjetër. Kukësi mund të shkojë në finale me fitore, por edhe me një barazim me gola. Në këtë rast, shanset e kualifikimit janë 50 me 50 për të dyja skuadrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë