Futboll

Bylis-Tirana, ndeshja që tregoi se kumari vazhdon

Gjurmët e para të trukimeve në sport, mund t'i gjejmë që në lashtësi. Romakët, kishin shumë forma argëtimi, disa prej të cilave mund të konsideroheshin të korruptuara moralisht sipas standardeve tona moderne. Dëshmitë për këtë gjenden në metodat e përdorura prej tyre në ndeshjet e mundjes, dhe ashtu si sot, edhe romakët e lashtë kishin mënyra për t’i rregulluar gjërat në favorin e tyre.

Dokumenti

Një shembull i kësaj, është një marrëveshje kontraktuale midis dy mundësish, e gjetur në Egjipt, që daton në vitin 267 Pas Krishtit, kur Egjipti ishte një nga provincat më të pasura të Perandorisë Romake. Dokumenti rezultoi doli të ishte një kontratë mes dy të rinjve, që ishin afër pranë fundit të një gare në Egjipt. Ai thoshte se të dy burrat kishin rënë dakord për një ndeshje mundjeje të trukuar, që do t’i jepte fund Antinomisë së Madhe të 138-të, një garë prestigjioze që zhvillohej në qytetin egjiptian Antinopolis.

Bastet në Shqipëri

Dashuria a shqiptarëve me lojërat e fatit u shpërfaq me të gjitha dimensionet, menjëherë pas rënies së komunizmit. Gjatë diktaturës pati organizime apo tentativa sporadike nga individë të ndryshëm, që në mënyrë për ti bërë më emocionuese ndeshjet shpiknin në copa letre rezultate të sakta.

Andrea Marko

Andrea Marko ishte njëri prej futbollistëve më të mirë në Shqipëri. Ai ka arritur që nën “thundrën” e regjimit diktatorial të provonte me miq të tij kuriozitetin dhe dëshirën e gjetjes së rezultateve të sakta të ndeshjeve të futbollit. Pasi u zbulua nga regjimi i kohës, nga lider dhe kampion te Dinamo, titullar me Kombëtaren, karriera e tij u mbyll në mënyrë dramatike në moshë të re.  

Në tetor 1990, pas disa vitesh ndalese të lotarive nga qeveria komuniste, nisi shitja e skedinave që u kamufluan me emrin “Konkursi i Parashikimeve Sportive. Por me ngritjen e strukturave të lojërave të fatit, paralelisht shqiptarët mësuan edhe trukimin e ndeshjes.

Ndeshja e parë shqiptare që do dyshohej si e trukuar ka qenë një ndeshje e kombëtares në vitin 1993. Ndeshja Shqipëri-Spanjë 1-5, e vlefshme për eleminatoret e Botërorit u përfol si e trukuar, për shkak se zëvendës-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Huan Espmo , deklaroi se një ditë para ndeshjes i ishte bere një telefonatë nga një agjent futbolli, ku i bëhej një sugjerim lidhur me manipulimin e rezultatit të ndeshjes me Shqipërinë. Hetimet nuk vazhduan, por ky ishte vetëm fillimi për ekipet shqiptare.

Pothuajse çdo vit ekipet shqiptare janë përfolur për manipulime ndeshjesh në kupat e europës, por gjithmonë e kanë gjetur mënyrën si të dalin të pa lagur. ‘’Biznesi’’ vazhdonte i qetë deri në momentin që UEFA në mënyrë të papritur i jep një dënim ekzemplar Skënderbeut: 10 vite jashtë çdo kompeticioni europian.

Bylis-Tirana

Ajo çfarë në pamje të parë do duhej të ishte një ndeshje rutinë Kupe, nga ato ndeshje që nuk ka interes as nga tifozët e ekipeve respektive, papritur ka pushtuar vëmendjen e të gjithëve. Në stadiumin e Ballshit ishin rikthyer makthet e së kaluarës. Tirana, që e mbylli në avantazh 0-1 pjesën e parë të ndeshjes së parë gjysmëfinale te Kupës së Shqipërisë me Bylisin, bëri gjithçka që të humbte në pjesën e dytë. E gjithë pjesa e dytë është luajtur në zonën e Tiranës, ku ballshiotët kanë shënuar 2 golat e përmbysjes. Përmbysja e rezultatit u paralajmërua në pushimin e ndeshjes, kur koeficientet në kompanitë e basteve ishin krejtësisht kundër normales. Fitorja e Bylisit, në disavantazh të një goli, duhej të kishte një koeficient të lartë, por në fakt kuotohej e kundërta, me një koeficient 1.5. Koeficientet e basteve flisnin thuajse për një fitore të sigurt të Bylisit dhe teatri u vërtetua në fushë. Në lidhje me këtë ndeshje, Komisioni i Etikës zhvilloi disa seanca, ndërsa vendimi do të merret pas 22 korrikut.

Siç ndodh shpesh në të tilla raste faji mbetet ‘’jetim’’. Të dy presidentët si Kapllanaj ashtu edhe Hallili kanë mohuar të kenë lidhje me këtë skandal. ‘’ Unë nuk di asgjë për trukim, por kur shikoja që Lika bënte gjithë ato pritje, kuptova që kishte një farë tolerimi. Ndikuan edhe ndryshimet në formacion’’- kjo ishte deklarata e Halilit, nga e cila nënkptohet se  ai ska gisht por ndoshta “lojtarët”

 Ana tjetër e ndeshjes

Fillimisht skandali i ndeshjes u publikua në faqen zyrtare të emisionit ‘’Procesi Sportiv’’. Në mënyrë të pavetëdijshme ai postim në përpjekje për të evidentuar skandalin, padashje zbuloi një skandal akoma edhe më të rëndë, diçka që të gjithë e dinin por askush nuk guxonte të fliste.  Ndeshja ishte kuotuar në një faqe shqiptare, diçka që hedh në erë të gjithë propagandën e qeverisë.

Më 9 Tetor 2018, Kryeministri Edi Rama përmes një konference për shtyp paralajmëroi mbylljen e çdo aktiviteti të lojërave të fatit në zonat e banuara. Ishte një vendim i guximshëm, që deri në ato momente asnjë qeveri nuk kishte guxuar ta merrte.

“Do mbyllim bastet, një industri të kriminalizuar. Industri që sjell dëshpërim,1 nga 4 lojtarë ka menduar të vrasë veten. Është e pakonceptueshme. Përfytyro prindërit, sidomos nënat, dhe fëmijët iu kthehen në të sëmurë nga vesi i lojërave të fatit. Do mbyllen, ndryshe nga sa përflitet. Kemi ngritur një grup ekspertësh për të mbyllur bastet online që janë jashtë shtetit. Duhen mbyllur mundësitë për të luajtur jashtë online, se janë miliona që i merr lumi. Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste. Nuk do të ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar”, tha Edi Rama.

Edhe ashtu ndodhi. Shqiptarët pasi kishin festuar ndërrimin e viteve, panë  një realitet tjetër në dukje pa baste, skedina dhe me lokale qe boshatiseshin, ku në vend të koeficienteve afishoheshin letra me mbishkrimin: ‘’Jepet me qera”

Por mrekullia zgjat vetëm 3 ditë dhe policia filloi të raportonte njoftime që përfundonin gjithmonë në këtë mënyrë. ‘’pasi në bar kafen që administronte ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar njësi kompjuterike, e cila shërbente për këtë aktivitet të kundërligjshëm’’.

Pra, operacioni simbol i kësaj qeverie, që fillesat i ka në vitin 2013, po dështonte dita ditës. Frika, gjobat apo edhe presionet nuk po jepnin më efekt. Bastet vazhdojnë të funksionojnë dhe madje po lulëzojnë, edhe ndeshja e Kupës është shembulli më i mirë. Nuk dihet se çfarë vendimi do japë komisioni i etikës. Në lojë janë të gjitha variantet, por gjithçka është e pavlerë. Tirana edhe Bylisi janë vetëm aktorët e një akti në gjithë shfaqjen  teatrore që ka vite që vazhdon në sportin shqiptar.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë