Futboll

Kupa e Shqipërisë, në Berat mbyllen dyert e stadiumit

Skënderbeu e ka nisur mbrojtjen e trofeut të Kupës së Shqipërisë nga Kopliku, ku ka fituar 0-3 ndaj Veleçikut vendës në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator. Pas turit të parë paraeliminator, ku merrnin pjesë skuadra të kategorisë së dytë, në fushë kanë zbritur ato të Superiores dhe Kategorisë së Parë, të ndara në dy grupe, A dhe B. Skuadrat e mëdha kanë fituar pa probleme dhe ndeshjet e kthimit, që luhen më 26 shtator, mund të konsiderohen formale, duke përjashtuar ndonjë çift, ku gjithçka ka mbetur e hapur.

Në Grupin A, ku bëjnë pjesë edhe korçarët, mbajtësit e trofeut, bëjnë pjesë gjithashtu Partizani, që fitoi 0-1 në fushën e Tërbunit, Luftëtari, Kamza dhe Kastrioti nga Superiorja. Të kuqtë fituan në Pukë me golin e Çinarit, kurse gjirokastritët dhe kamzalinjtë kaluan pa probleme Vorën dhe Besën. Kastrioti barazoi 1-1 në Peshkopi me Korabin dhe kualifikimi vendoset në ndeshjen e kthimit. I njëjti rezultat edhe për Vllazninë në Burrel, Egnatia befasoi Dinamon, duke fituar në fushën e kësaj të fundit, ndërsa Besëlidhja mundi 2-0 Erzenin.

Partizani feston golin e Çinarit në Pukë

Në Grupin B, nga skuadrat e Superiores, fitore bindëse jashtë fushe kanë regjistruar Tirana, Teuta dhe Laçi, duke e siguruar kualifikimin pa u liuajtur 90 minutat e kthimit. Laçi shkatërroi Naftëtarin 0-5, Teuta Turbinën 0-3 dhe Tirana Ilirinë 1-4. Më në fund, sulmi bardheblu është zhbllokuar. Flamurtari vuajti jo pak me Shkumbinin dhe e ariti fitoren vetëm në shtesë, me golin e brazilianit Alvesh. Kukësi mposhti 1-2 Orikun. Nga skuadrat e Kategorisë së Parë, Lushnja fitoi në fushën e Shënkollit dhe Apolonia në fushën e Pogradecit, kurse Bylisi u mund nga Tomori.

Ndeshja në Berat mund të veçohet nga të tjerat e këtij turi, sepse u luajt pa tifozë. Nuk ka ndonjë dënim, por organizatorët e ndeshjes, drejtuesit e klubit beratas, kishin frikë për sigurinë dhe mbyllën dyert e stadiumit për tifozët. Një vendim absurd, kur mendon se tifozët mezi i presin ndeshjet dhe aq më tepër ato që luhen me skuadrat rivale. Siguria në stadiume është një çështje më vete këtë sezon, ku nuk ka tolerime dhe drejtuesit e Tomorit i kanë paraprirë situatës, por duke iu privuar tifozëve të drejtën për të parë ndeshjen.

Stadiumi i Beratit

Rezultatet e Grupit A

Veleçiku-Skënderbeu 0-3, Vora-Luftëtari 0-4, Tërbuni-Partizani 0-1, Besa-Kamza 0-2, Burreli-Vllaznia  1-1, Korabi-Kastrioti 1-1, Dinamo-Egnatia 0-1, Besëlidhja-Erzeni 2-0.

Rezultatet e Grupit B

Oriku-Kukësi 1-2, Naftëtari-Laçi 0-5, Shkumbini-Flamurtari 0-1, Turbina-Teuta 0-3, Shënkolli-Lushnja 1-2, Iliria-Tirana 1-4, Tomori-Bylis 2-1, Pogradeci-Apolonia 0-1


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë