Ekspozite

Kundrimi i artit i ndihmon studentët të bëhen mjekë të mirë

Për dekada me radhë, studentëve të mjekësisë u janë ofruar leksione të shkencave humane dhe arteve, në përpjekje për t’i ndihmuar në ruajtjen e dhembshurisë dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme, për të diagnostikuar saktë pacientët e tyre të ardhshëm. Të njohur si kurset e “mjekësisë narrative”, ato mbulojnë tematika nga librat me ilustrime, tek baleti dhe piktura impresioniste. Tani, kërkimet e reja tregojnë se kundrimi i veprave të artit mundet vërtet t’i ndihmojë mjekët e ardhshëm të mprehin aftësitë e tyre vëzhguese, të ruajnë objektivitetin dhe të përballen me momente pasigurie.

Studimi
Që prej vitit 2005, artistja me banim në Nju Jork Anna Willieme harton dhe u mëson arte studentëve të mjekësisë dhe mjekëve. Studimi i ri, i kryer nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Kolumbias dhe Kolegji Mjekësor Weill Cornell, të fokusuar në mënyrë specifike në kursin e përvitshëm, gjashtëjavor të Willieme-it, titulluar “Vëzhgimi dhe pasiguria në Art dhe Mjekësi” ndoqi përparimin e 47 studentëve të vitit të parë të Mjekësisë, të regjistruar nga 2014 deri në 2017-ën. Në fillim dhe në fund të kursit, studentët iu nënshtruan testeve për të matur aftësinë e tyre reflektuese, tolerancën për paqartësinë dhe anshmërinë e vetëdijes personale. “Kam qenë e magjepsur gjithmonë si artiste, nga mënyrat me të cilat arti mund të më ndihmojë si të vëzhgojë më shumë”, ka sqaruar Willieme. E frymëzuar nga “kultivimi i vëzhgimit që ndodh në art”, ajo zhvilloi një sërë kursesh, që fokusohen në aftësinë perceptive dhe e paraqesin muzeun e artit si laborator.

“Synimet këtu ishin të theksohej vëzhgimi, vetëdija dhe aftësia e tyre për të pasur një lloj ndjeshmërie në termat e këndvështrimit… Aftësinë për të parë së jashtmi, së brendshmi dhe përreth”, ka thënë Willieme rreth kursit të saj të studimit. Përgjatë kursit, studentët shkojnë çdo javë, për dy orë, në Muzeun Metropolitan të Artit, ku Willieme i drejton në një seri ushtrimesh që përfshijnë të parët, të vizatuarit dhe ndarjen e mendimeve, rreth veprave të veçanta të artit. Çdo javë ka një tematikë të ndryshme e poashtu edhe këndvështrim, emocione dhe vetëdije tjetër. Një ushtrim për të kuptuar pikëvështrimin i përfshiu studentët në vizatimin e skulpturës abstrakte të vitit 1923, të Constantin Brancusit “Zog në Hapësirë”. Çdo dy minuta, ata çoheshin më këmbë dhe lëviznin drejt bllokut të vizatimit të tjetrit e më pas vijonin. “Së pari, ata po zbulonin kompleksitetin, ndërsa kundronin veprën pak më gjatë, por ndërsa e linin bllokun e vizatimit që ta merrte studenti tjetër, ata shihnin sesi dikush tjetër e kishte parë”, shpjegon Willieme. Një student mund të ketë nisur me bazën e një pjese elegante, të bardhë, ndërsa një tjetër ka vizatuar diçka në sfond; një student i tretë mund të ketë kuptuar se nuk ka vërejtur asnjërën nga këto. I njëjti koncept mund të aplikohet për skenarët mjekësorë, si ekzaminimi i trupit të një pacienti apo mbledhja e të dhënave nga anëtarët e familjes në dhomën e ekzaminimit. Ushtrimet si këto përfunduan me diskutime.

“Shumë nga të mësuarit ndodhi në atë kohë”, shpjegon Willieme. Studentët jo vetëm që folën rreth vëzhgimeve të tyre, por gjithashtu informuan rreth arsyeve pse kolegët mund të kishin bërë vëzhgime të ndryshme apo ishin fokusuar në një anë të veçantë të veprës. “Ne po shihnim dhe, më pas, po shihnim se përse po shihnim”, ka sqaruar Willieme. Shpesh studentët drejtoheshin për të identifikuar vizatimet e tyre, si në ushtrimin kur iu kërkua të kundronin "Ariadne"-n të Giorgio de Chirico-s dhe më pas të skiconin kujtimet apo shoqërizimet që ngacmonte. “Kur shohim diçka, nuk është kurrë neutrale. Është gjithashtu e mbushur me atë që kemi kundruar më parë, shoqërizimet tona të botës së brendshme dhe e gjithë kjo mund të dalë në sipërfaqe”, ka shpjeguar Willieme.

Zog në Hapësirë, Brancusi, 1923

Çfarë u zbulua
Të dhënat e mbledhura për katër vite të studentëve që ndoqën këto kurse, tregoi shumë rreth asaj që kërkuesit kishin hedhur si hipoteza: Aftësitë e studentëve për reflektim personal, tolerancën për paqartësinë dhe vetëdijen vetjake, u rritën të gjitha. Në mënyrë më domethënëse, sidoqoftë, ishte përmirësimi i tyre në reflektim – aftësia e tyre për të kuptuar situatën nga këndvështrime të ndryshme, duke u bërë të dhembshur në dilemën e një tjetrit dhe duke kuptuar mënyra të ndryshme të të menduarit. Në vlerësimet e kursit, studentët raportuan se kursi i ndihmoi të ndaleshin, të ngadalësonin dhe të ishin më të qëllimshëm ndërsa kundronin: për të zgjedhur detajet që mund të humbnin nga shikimi lehtë dhe për të artikuluar më mirë përshkrimet e gjërave që, “në pamje të parë duken të papërshkrueshme.” Ata ishin më të vetëdijshëm jashtë kursit dhe vendosnin më shumë mendim, në të kuptuarit, pas këtyre përvojave pamore. Ata gjithashtu raportuan se u bënë të vetëdijshëm rreth përfitimeve të pikave të shumëfishta të vështrimit, duke kundruar atë çka kolegët e tyre kishin vërejtur në një vepër arti dhe, mësuan sesi vëzhgimet e të tjerëve mund të ndikonin mendimet e tyre. Studentët shkruan se ata e kuptonin më mirë sesi emocionet, anshmëria dhe konteksti mund të ngjyronin perceptimit – dhe duke njohur opinionet e tyre subjektive ata arritën kontroll në ballafaqimin me situata pasigurie. “Shkolla e Mjekësisë është një rrugëtim i gjatë, përmes pranimit të pasigurisë”, shkruante një student. “Mendoj se i gjithë ky vit për mua ka qenë një proces i gjatë, i të ndjerit rehat me të parehatshmen. Ky kurs ia shtoi.”

Ariadne, Di Chiricho, 1913

Ç’kuptim ka
Ky studim është një hallkë e rëndësishme vetëbesimi, në klasat e artit që shkolla e mjekësisë ofron dhe tregon potencialin që kurse të tilla mund të kenë në zhvillimin e kompetencave kyçe tek mjekët e ardhshëm – sipas studimit “vëzhgim, reflektim, kujdes për veten dhe tolerancë ndaj paqartësisë”– e që mund t’i ndihmojnë ata të praktikojnë mjekësinë. Për më tepër, tregon se studentët janë të aftë të përkthejnë aftësitë pamore të vëzhgimit duke kundruar artin, në një mënyrë më të kujdesshme dhe mundimplote në përditshmëri. Megjithatë, nevojitet më shumë kërkim për të përcaktuar efikasitetin e implementimit të kurseve të tilla në institucione të tjera, për shkak të numrit të vogël të studentëve të përfshirë, si edhe resurset dhe kërkesat kurrikulare që kërkon. Gjithashtu ka konsiderata të tjera si, aksesi i një shkolle në një muze arti dhe një profesor i kualifikuar si Willieme. Në mënyrë specifike, rezultatet nënvizojnë se vëzhgimi pamor – qoftë kundrimi i një vepre arti apo ekzaminimi i një njeriu – është një aftësi që mund të mprihet ( dhe nuk duhet marrë e mirëqenë) dhe se të kundrosh artin është një ushtrim oportun për zhvillimin e kësaj aftësie. Kërkuesit bëjnë me dije se, ndërsa vëzhgimi është në zemër të praktikës mjekësore, ka pak mundësi praktike për ta mësuar atë në një kurrikulë tipike të shkollës së Mjekësisë. Kërkuesit kanë vërejtur se tematika e kujdesit për veten në vlerësimet e studentëve – ata shkruan se klasa ishte restauruese dhe një “shenjtërore” – ishte gjithashtu premtuese, veçanërisht duke pasur parasysh normën e lartë të konsumimit emocional dhe uljes së dhembshurisë, që studentët përjetojnë gjatë shkollës së Mjekësisë. Për Willieme kjo lidhje ishte premtuese. “Shqisat e mia kanë treguar se vëmendja dhe vetëdija është formë e kujdesit për veten”, ka shpjeguar ajo, duke folur për përvojën e ndershme dhe të brishtë të shprehjes së asaj që sheh dhe ndien, përballë një vepre arti. “Të marrësh zemër për të qenë shumë origjinal” , ka shtuar ajo “çon në një formë kujdesi ndaj vetes”. Ajo gjithashtu ka theksuar rëndësinë e njohjes së emocioneve vetjake, ndërsa bëjmë vëzhgime pamore. “Kur vjen puna tek dhembshuria, mendoj se mjekësia ka të bëjë me emocionin e pacientit, që është e natyrshme”, shpjegon ajo, “por mjeku gjithashtu mund të jetë i vëmendshëm ndaj emocioneve të veta, që mendoj se hap një aftësi më të madhe për dhembshuri.” *Casey Lesser/ Artsy


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë