Njerez

Kumbari i Fake News: Njihuni me shkruesin më prodhimtar të dezinformimit

Anisa Subedar / BBC - Christopher Blair gjerb një gllënjkë kafe. Më pas, me kujdes, përqendrohet në tre ekranet, përballë tij. Është në zyrën e tij, 45 minuta në të dalë të Portlandit, Mejn, në Bregun Lindor, të ShBA-së. Duke kruar mjekrën e dendur, i hedh një sy shiritit të “bookmarks” –ave. Pi dhe një gllënjkë tjetër përpara se t’i ftohet kafeja, merr frymë gjatë dhe zëshëm e pastaj kyçet në fund të njërit prej shumë uebsajteve të tij. E nis duke zgjedhur një temë. Cili politikan “fatlum” do të marrë vëmendjen e tij sot? Bill Clinton? Hillary Clinton? Njëri prej Obamave? Apo ndoshta subjekti i historisë së tij nuk do të jetë një njeri, por një politikë. Kontrolli i armëve? Dhuna e policisë? Feminizmi? Gjithçka që do të çonte në klikime.

Christopher Blair

Pastaj detajet. Mbase do të sajojë ndonjë incident kontrovers, një krim, një ligj të ri apo një amendament kushtetues “Ndryshimi” i kushtetutës e ShBA-së është veçanërisht argëtues – ka shkruar më shumë se 30 amendamente të rreme deri tani. (Janë vetëm 27 të vërtetë.)Blair ulet sërish në karrigen e tij dhe përqendrohet qëllimshëm mbi ekran. Përkulet përpara, vendos duart mbi tastierë dhe nis të njëjtën rutinë, të përditshme.
Caps lock. Hapësirë. Kolonë…


Lajm i fundit: Anija e Fondacionit Clinton konfiskohet në portin e Baltimorës me një ngarkesë droge, armësh dhe skllavesh seksi.   


Fjalët rrjedhin nga mendimet në kokën e tij. I shkëputur nga realiteti, nuk ka nevojë për kërkim, as për shënime. Gishtërinjtë e tij, shtypin me ritëm tastat. Shkronjat formojnë fjalë, fjalët fjali dhe fjalitë një blog me afro 200 fjalë. Nuk i duhet shumë kohë të shkruajë. Publikon. Shtriqet në shpinën e karriges dhe sheh sesi shpërthejnë pëlqimet dhe shpërndarjet.

Verifikuesi i fakteve
Më shumë se pesëmijë kilometra larg në një qytet të vogël, një orë në lindje nga kryeqyteti belg i Brukselit, është një tjetër zyrë, në një tjetër shtëpi. Jashtë fëmijët luajnë në oborr në pasditen e ngrohtë të verës. Maarten Schenk çon një palë shkallë drejt zyrës, në bodrum. Aty ka një shkrimore në formë L-je në një qoshe, ndërsa në një tjetër, një ftohës është mbushur me shishe çaji të ftohtë me shije pjeshke. Shkrimorja e tij i ngjan asaj të Blair-it. Mbi të, qëndrojnë tre monitorë kompjuterësh, ndërsa njësitë qendrore janë vendosur nën të. Në një prej ekraneve, befas vëren shumë aktivitet. Amerika po zgjohet dhe numrat në rritje në njërën prej faqeve mbërthejnë vëmendjen e Schenk-ut. Sheh sesi një histori e veçantë po mbledh lexues dhe shpërndahet me shpejtësi në Facebook dhe rrjete të tjera sociale. Schenk kyçet në uebsajtin e tij dhe nis të shtypë. Puna e tij është t’i rrëfejë botës se ç’po sheh online – një histori që aktualisht po bëhet virale rreth një anijeje të fondacionit Clinton, me ngarkesë droge, armësh dhe skllavesh seksi – është një trillim i pastër.

Maarten Schenk


Lindja e Fake News
Gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës në Amerikë, gazetarët nisën të vinin re një vrull historish të sajuara që bëheshin virale në Facebook. Çuditshëm, në shumë nga faqet dukeshin se postimet bëheshin nga njerëz në Ballkan dhe pasi BuzzFeed raportoi një numër të pazakontë faqesh, reporterët vërshuan në një qytezë të quajtur, Veles, në Maqedoni. “Amerikanët i dashurojnë historitë tona dhe ne po bëjmë para me këto”, tha për BBC-në një trillues lajmesh. “Kujt i bëhet vonë nëse janë të vërteta apo të rreme? Historitë, kryesisht, u hidheshin mbështetësve të Donald Trump-it. Ata përfshinin zëra rreth problemeve shëndetësore të Hillary Clinton dhe marrëveshjet e jashtëligjshme, histori rreth njerëzve me ndikim si Papa Françesku, që fshiheshin pas kandidatit Republikan dhe lajme të tjera të rreme të sigurta se ose i kënaqnin mbështetësit e Trump-it ose inatosnin.

“Është e qartë tani se të ashtuquajturat “fake news” mund të kenë pasoja në jetën e vërtetë” – Hillary Clinton

Në dhjetor të 2016-ës, Hillary Clinton mbajti një fjalim, në të cilin i dha një shuplakë “epidemikeve dhe të ligave lajme të rreme dhe propagandës false”, që ka përmbytur median sociale, vitin e fundit. Është e qartë tani se të ashtuquajturat “fake news” mund të kenë pasoja në jetën e vërtetë”, tha ajo. Nuk ishte menjëherë e qarte nëse u referohej zgjedhjeve. Në atë kohë, disa gazetarë i interpretuan vërejtjet e saj si referencë e një “pizzagate”, një teori komploti që u rrit në përmasa të jashtëzakonshme online, që çoi një njeri të hynte në një restorant në Uashington dhe të hapte zjarr, me armë. Por, pavarësisht kuptimit të Clinton-it, termi u mor nga kundërshtari i saj fitimtar dhe u përdor në një kuptim krejt të ndryshëm, disa javë më vonë.

“Ti je fake news” Donald Trump

Në një konferencë për shtyp, presidenti i zgjedhur, Trump, refuzoi të merrte pyetje nga reporteri i CNN-it, Jim Acosta. “Nuk do të të jap të drejtën e pyetjes”, i tha Trump. “Ti je fake news”.
Qysh atëherë, “fake news” ka qenë temë e një obsesioni dhe debati popullor, megjithëse domethënia nga termi varion. Disa këmbëngulin në përkufizimin origjinal – histori të rreme të llojit të prodhuar dhe fryrë nga ata adoleshentët maqedonas. Të tjerët gjarpërojnë në teoritë e komplotit të motivuara politikisht – ndoshta atë çka Hillary Clinton po hamendësonte.
Por njerëzit e kanë përdorur gjithashtu termin “fake news” për të përshkruar gabime të ndershme, opinione, spine, propagandë apo – ashtu si edhe presidenti Trump – agjenci lajmi apo raportime që ata thjesht nuk i pëlqejnë. Jo vetëm kaq, por shpesh të ngecur nën flamurin e “fake news” , qoftë satirë apo parodi, që në sipërfaqe duket e padëmshme, mund t’i mashtrojë njerëzisht – me pasoja potencialisht negative.

“Nuk do të sjellë  kurrë përfitim”
Christopher Blair u rrit në Louell, Masaçusets, një qytet në periferinë veriore të Bostonit.
Njerku i tij ishte një demokrat i përkushtuar që dikur madje kandidoi për senatin e shtetit të Masacusetsit. Blair kaloi më shumë se dy dekada si punëtor ndërtimi, një punë që pati taksë në trupin e tij. Në fund të viteve 2000, kur Recensioni i Madh goditi dhe industria e ndërtimit ra ndjeshëm, nisi të kërkojë një tjetër burim të ardhurash në blogjet e politikës liberale.
I pëlqente të shkruante dhe e gjeti veten se kishte një farë talenti t’u jepte jetë fjalëve. Nisi një blog, të parin nga shumë. E pa çliruese faktin se ishte në gjendje të thoshte çfarë të donte – duke argumentuar në favor të një game pozicionesh të krahut të majtë të politikës amerikane. Por, megjithëse ishte argëtuese dhe disa njerëz nisën ta lexonin, blogu nuk sillte para. Kështu provoi një taktikë tjetër. Nisi të shkruajë rrëfenja të fabrikuara që ngjanin si tituj lajmesh të vërteta. Përroi i ndërgjegjes rridhte nga koka e tij drejt tastierës.


Kur pa rezultatet online, qindra dhe mijëra që pëlqenin dhe shpërndanin postimet e tij, u ndje i vlerësuar. Edhe shumë njerëz të tjerë ishin të interesuar në fake news sesa në opinionet e Blair-it apo historitë e vërteta. Jo kushdo ishte i bindur. “Po çojmë dëm gjithë këtë kohë”, i tha e shoqja. “Nuk do të na sjellë gjë.”Por me të nisur të merrnin klikime lajmet e rreme, ai ishte në gjendje të përdorte platformën e reklamave në Google për t’i këmbyer shikimet e faqes në para. Më 2014-ën, hoqi dorë nga puna e përditshme. “Sapo të shkruarit u bë fitimprurës aq sa të mos shkatërroja trupin në ndërtim më”, thotë duke qeshur, “atëherë kisha kohë të rrija në shtëpi me fëmijët dhe të bëja diçka.” Blair krijoi identitete online duke përdorur pseudonime dhe nofka si Busta Troll dhe Flagg Eagleton.Ai ndërtoi personazhe të amerikanëve patriotë të fyer nga presidenti Obama, liberalët, feministet dhe lëvizjes “Jetët e Zeza kanë rëndësi” dhe shumë të tjera.
Ai kënaqej me njerëzit që i merrnin gënjeshtrat e tij për të vërteta dhe i shpërndanin historitë e tij sikur të vinin prej uebsajteve me lajme të vërteta. Suksesi i lajmeve të rreme e çoi Blair-in të krijonte një faqe Facebook-u të quajtur “America’s Last Line of Defense”. Iu dedikua historive të lajmeve të rreme duke shënjestruar republikanët e patundur dhe mbështetësit e presidentit Donald Trump. Titujt ishin sensacionalë dhe ndonjëherë madje edhe agresivë. Kishin vetëm një qëllim – të provokonin një reagim emocional që do t’i bënte njerëzit t’i shpërndanin.

•Lajm i fundit: Dhomë Torturash në Bodrumin e Bill Clinton, të përshkruar si “Dhoma e Vrasjes”

• Lajm i fundit: Neë Orleans Saints bllokohen në një autostradë në Londër pasi shoferi gjunjëzohet dhe largohet

• Lajm i fundit: Obama, Soros dhe Dems urdhëruan mbylljen përballë një grushti shteti 

Blair-i vetë i përshkruan titujt që shkroi si “raciste dhe fanatike” Por u bënë virale dhe ato shpërndarje u kthyen në klikime, që u kthyen në para.

Makineria e demaskimit
Në Blegjikë, programuesi i kompjuterëve,Maarten Schenk pat krijuar një softuer që mund të sinjalizonte se cilat histori ishin trend në Facebook. Ai e quajti atë “Trendolizer”. Ai do të shkruante më pas rreth tyre, në blogun e tij. Por e pati të vështirë të gjente audiencë. Ai ishte kundër disa prej organizatave më të madhe të medies. Kur ai vinte re një postim që po bëhej trend dhe shkruante më pas rreth tij, faqet e mëdha të lajmeve e kishin mbuluar me kohë. Por ashtu si Blair, Schenk zbuloi një qoshe të ngrohtë, kur erdhi puna tek lajmet e rreme. Për të gjithë njerëzit që do t’i pëlqenin dhe shpërndanin historitë e trilluara duke i besuar si të vërteta, kishte të tjerë që çmonin dikë që do t’i identifikonte ato që ishin të rreme.

Vetëm pse është trend, nuk do të thotë se është e vërtetë”, motoja e blogut të Maarten Schenk

Marteen Schenk 

Kur ai zbuloi historitë e rreme dhe shkroi rreth tyre, trafiku i faqes së tij u ngrit. Jo me shifra marramendëse – nuk po bënte aq para sa Blair – por mjaftueshëm për ta mbajtur të përqendruar tek lajmet e rreme. Blogu i tij, “Lead Stories” e çoi të fokusohej tek lajmet e rreme me moton “Vetëm pse janë në trend nuk do të thotë se janë të vërtetë”. Schenk gjithashtu vërejti modele dhe sjellje të përsëritura online. Për shembull, çdo javë shihte histori të sajuara rreth vdekjes së Hillary Clinton.Çdo të shtunë, mund të lexonte se kandidatja demokrate kishte vdekur – në një aksident me balonë, në varkë apo nga një sulm në zemër. Apo kishte përplasur kokën në një gomë gjigante kamioni. Ndërsa demaskonte historitë e rreme. Schenk nisi të mbledhë informacion rreth uebsajteve me lajme të rreme dhe njerëzve pas tyre. Baza e tij e të dhënave i dha mundësi të gjurmonte trilluesit nëpër internet, edhe kur uebsajtet dhe faqet e Facebook-ut u ishin mbyllur. Ai vuri re tema të gjera. Përveç Hillary Clinton-it, mashtrimi i votuesve ishte një subjekt popullor për historitë e rreme, siç ishin edhe emigracioni apo islami. Duke marrë parasysh natyrën e egër të botës së lajmeve të rreme, ai gjeti gjithnjë e më shumë faqe, përfshi edhe disa nga Maqedonia – që po vidhnin përmbajtje, kopjonin dhe ngjisnin nga të tjera faqe të rreme. Në fakt, po vidhnin përmbajtje nga vetëm një burim. Ai burim ishte Christopher Blair.


Një ide e çmendur
Në fillim të 2017-ës, kishte shumë debat rreth rritjes lajmeve të rreme virale të mundësuara nga Facebook-u. Por kjo nuk do të thoshte se kompanitë e medieve sociale kishin gisht në të.
Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg e ka përqeshur hamendësimin se lajmet e rreme mund të lëkundnin votuesit. “Personalisht, mendoj se ideja e lajmeve të rreme në Facebook…të kenë ndikuar zgjedhjet në një farë mënyre – mendoj se është një ide e çmendur”, ka thënë ai, pas zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Por klima frenetike politike në Amerikë do të thoshte se shkruesit e lajmeve të rreme si Blair ishin më të suksesshëm se kurrë më parë. Ai punësoi shkrues të tjerë për të prodhuar trillimet. Dhe paratë rridhnin. “Ndodhte çdo ditë, gjatë gjithë ditës”, thotë ai. “Po korrnim rezultate me punën tonë.” Por kohët e mira nuk mund të zgjasnin përgjithmonë. Erërat e politikës nisën të frynin kundër tij. Blair, një demokrat liberal i devotshëm, ishte bërë njësh me të gjithë ata njerëz të akuzuar për gënjeshtrat në mbështjetje të presidentit Trump.

Trillues vs. Verifikues
Në Belgjikë, Maarten Schenk tërhiqej gjithnjë e më shumë nga loja e maces me miun. Shkruesit e lajmeve të rreme po gjenin mënyra më të mira e më kreative si edhe rrugë me dredharake për të mbërthyer një audiencë të paqëllimtë. Por, në të njëjtën kohë, Schenk po zhvillonte sistemet e tij, duke u përmirësuar në identifikimin e shkruesve të lajmeve të rreme, sidomos, për t’i nxjerrë demaskimet e tij përballë një audience më të gjerë. “Dua të bëhem si Google search”, kur njerëzit të mendojnë se po shohin një lajm të rremë, thotë ai. Schenk vlerëson se ka afro 200 organizata të përkushtuara ndaj verifikimit të fakteve, në të gjithë botën, por nuk janë mjaftueshëm, thotë ai. “Për aq kohë sa ka potencial për përfitim, njerëzit do të vijojnë ta provojnë”, thotë. “Njerëzit do të gjejnë filtra të rinj dhe ata (shkruesit e lajmeve të rremë) do të gjejnë mënyrat për t’iu përvjedhur atyre filtrave.”


Pasojat në botën e vërtetë
Në gusht të 2017-ës, Uragani Harvey goditi Teksasin, duke vrarë me dhjetëra dhe duke shkaktuar miliarda dollarë dëme në Hjuston dhe zonat përreth. Rreth vendit, në Mejn, Blair nuhati një mundësi për të përdorur aftësitë e tij krijuese të të shkruarit. Sajoi një histori rreth një imami të sajuar, në një xhami të sajuar, në Teksas. Imami, shkruante ai, refuzoi të strehonte jo-myslimanët, gjatë stuhisë.

Ai e zbuloi dhe u mërzit shumë… E hoqa menjëherë dhe dërgova miliona ndjesa.”
Christopher Blair

Kjo mund të inatoste bazën e fansave të Blair-i. Dhe ishte e gjitha krejt e pavërtetë. Por kishte një problem. Fotoja që u përdor për të shoqëruar lajmin, ishte e një imami të vërtetë, lideri i xhamisë, në Kanada. Ibrahim Hindy nuk e kishte vizituar kurrë Teksasin, por befas u bë shënjestra e lajmeve të rreme. “Ai e zbuloi dhe u mërzit shumë” , thotë Blair. “Ai nisi të shkruajë në Twitter se sa racistë dhe ksenofobë ishim ne. E hoqa menjëherë dhe i dërgova miliona ndjesa.” Nuk ishte hera e parë që të pavërtetat e Blair-it kishin prekur njerëz të vërtetë. Një tjetër nga uebsajtet e tij kishte një histori rreth një ushtari amerikan, i cili kishte dezertuar. Por ai përdori emrin dhe foton e një njeriu të vërtetë që nuk kishte të bënte me historinë.
Schenk e vërejti se po bëhej virale. Dhe kur e verifikoi, kuptoi se njeriu i vërtetë ishte futur padrejtësisht në një histori të rreme. i dërgoi mesazh Blair-it për ta hequr historinë. Por të dy burrat vijuan mesazhet online. Dhe aty Blair i zbuloi sekretin, arsyen e vërtetë pse i shkruante këto lajme të rreme.

A mund të ngihet në këmbë i vërteti Christopher Blair ?
Kishte diçka që e bënte të dallohej nga verifikuesit e tjerë të fakteve, thjesht sespe ai komunikoi me të. Uebsajtet e tjerë të verifikimit të lajmeve, thotë ai, shkruajnë postime demaskuese, por kurrë nuk i flasin atij, përpara se ta bëjnë. Schenk u përball me Blair-in, i tregoi gabimin dhe ai e hoqi lajmin e rremë nga interneti. Dhe kështu Blair e ftoi Schenk-un në një grup të fshehtë Facebook-u me fansa të punës së tij. Aty Schenk mësoi të vërtetën rreth Blair-it dhe pati një këndvështrim se çfarë e shtyn një shkrues të sajojë lajme. “Ai më shpjegoi thuajse të gjithë filozofinë” thotë Schenk. “Sesi punojnë trilluesit e lajmeve.” Kishte gjurmë të forta në pretendimet se Blair kishte goditur në uebsajtet e tij dhe faqet e Facebook-ut.
“The Last Line of Defense” ka një përshkrim që thotë “Jemi këtu për t’ju siguruar me informacion që mund ta përdorni për të vazhduar të jeni aq të informuar sa një konservator të ndihet rehat. Ju lutemi, mos e përdorni faqen tonë së bashkë me Google apo lajmet, këto vetëm sa do t’ju hutojnë më tepër.” Satirë – jo lajme, jo opinione dhe aspak propagandë – kështu e përshkruan Blair punën e tij. Synimi i tij për të futur në grackë amerikanët konservatorë për të shpërndarë lajmet e rreme, me shpresë se po shfaqin atë që ai e quan “budallallëku i tyre”
“Nuk e kemi reklamuar si satirë, për t’u siguruar që të gjithë e dinë se nuk është e vërtetë”, thotë ai, duek treguar se disa nga faqet e tij kanë më shumë refuzime sesa faqja satirike e njohur botërisht “The Onion.”Me t’u bërë virale historitë e tij, komentet e Facebook-ut e përforcojnë edhe më shumë. Dhe kështu Christopher Blair, shkruesi i lajmeve të rreme bëhet Christopher Blair tallësi i kryqëzuesve të krahut të majtë. “Misioni me talljet së pari është t’i fusim në komente (seksione nën çdo artikull fals)”, thotë ai. Aty ai nis të bëhet agresiv. Trilluesi bëhet edhe ekspozuese, duke raportuar përdoruesit më ekstremistë mes fansave të tij. “Mund të të tregoj me qindra profile që kemi mbyllur”, thotë ai. Ai pretendon se ka ekspozuar anëtarë të Ku Klux Klan dhe racistë ekstremë. “Kemi pushuar njerëz nga puna”, thotë ai. “I kemi ekspozuar tek familjet e tyre. Thoni ç’të doni, se jam një përbindësh. Jam krenar.”

Dhi mbi dhitë
Blair dhe ushtria e tij e shkruesve dhe aleatëve ka gjithashtu mënyra të tjera për të luftuar kundërshtarët e tyre ideologjikë. Dhe një prej dublantëve të tij të motivuar politikisht është bërë legjendar në botën e internetit. “Ishte një mision që zgjati për muaj”, thotë ai. Synimi ishte të infiltroheshin faqe konservatore Facebook-u për t’i mbyllur, duke fituar besimin e administratorëve në atë pikë sa t’u jepnin privilegje administrimi, që më pas i përdornin për të rrëzuar pronarët e mëparshëm. “Ishte një ushtri e njerëzve të përfshirë”, thotë ai, duke vlerësuar se grupi itij mori kontrollin e 26 faqeve konservatore. “Fotoja ku Obama fshikullohej dhe portretizohej si mysliman. Të gjithë ato postime të pakuptimta urrejtjeje që janë tipik në faqet konservatore. Thjesht i hoqëm, i flakëm tutje”. Ai i mori ato faqe dhe i zëvendësoi fotot me foto dhish, thotë . “Thirra ushtrinë e tallësve dhe ata u shfaqën. Për ditë me radhë kishte dhi, mbi dhitë.” Schenk e njeh mirë historinë. “E quajnë veten “barinjtë e dhive”, thotë ai. Ky episod ishte një fakt më shumë rreth motivacionit të Blair-it – camarrokllëk i motivuar politikisht.

Paratë nisin të shterojnë
Ndërsa vetëdija publike rreth lajmeve të rreme nisi të rritej, kështu ndodhi edhe me presionin e kompanive të medieve sociale për të bërë diçka rreth kësaj. Mark Zuckerberg ka thënë se sfida e tij personale për 2018-ën ishte të “ndreqte” sajtin social, për të luftuar urrejtjen dhe abuzimin, por edhe lajmet e rreme. Në prill të 2018-ës, u thirr përballë Kongresit për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth një sërë çështjesh, ku trilluesit në platformën e tij, ishte një nga shumë.
Si rezultat, në korrik, Facebook lajmëroi algoritme të rinj të skicuara për të përforcuar përmbajte nga “miq, familjarë dhe grupe”. Kompania, duke e kuptuar se kishte një problem me imazhin, nxori një fushatë reklamuese për të siguruar përdoruesit se do të mbroheshin nga “spamet, grremçat e klikimeve, lajmet e rreme dhe keqpërdorimi i të dhënave”. Disa faqe Facebook-u u fshinë, ndërsa publikues të tjerë zbuluan se postimet e tyre nuk po udhëtonin aq larg apo aq shpejt sa dikur.

Nuk jam përbindësh. Jam liberal…Qëllimi nuk janë paratë.
Christopher Blair

Për Blair-in, paratë nisën të shteronin. Kryesisht për shkak të ndryshimeve të Facebook-ut, ai thotë se tani bën vetëm një të dhjetën e asaj që bënte në kulmin e bumit ët lajmeve të rreme. Por ngulmon se paratë nuk kanë qenë kurrë motivues dhe pretendon se është “një lider i rezistencës” kundër presidentit Donald Trump dhe Partisë Republikane. “Nuk jam përbindësh. Jam liberal”, thotë ai. “Qëllimi nuk janë paratë. Nuk ka pasur asnjë para në gjashtë muaj. Por shkoni shihni në faqen time. Jam ende aktiv. Ende po e bëj. Ende po shkruaj. Ende besoj dhe do të besoj gjithmonë.”


Takimi
Blair dhe Schenk kishin këmbyer mesazhe online, por nuk kishin folur realisht, deri kohët e fundit, kur i telefonova njëherazi dhe regjistrova bisedën për BBC Trending.Nuk kishin nevojë për shumë bindje dhe nisën të flisnin me njëri-tjetrin. Por biseda nisi çuditshëm. Dy burra që zakonisht nuk ishin të kursyer me fjalët, befas u bënë të heshtur, të pasigurt se ç’duhet të thoshin. ..Schenk nisi të thoshte se nga një anë e admironte Blair-in.”Është i zoti në atë që bën”, thotë ai. “Lajmet e tij gjithnjë kanë qenë të lehta për t’u demaskuar, sepse kryesisht thoshin, aty në fund, se janë të gjitha të sajuara dhe po ashtu thotë në kokën e uebsajtit.” Por Schenk sërish do të shkruajë rreth tyre nëse bëhen virale – fakti se diçka paraqitet si satirë nuk do e ndalë atë së demaskuari. “E shoh punën si verifikues faktesh Nuk është puna ime të jap opinionin tim rreth tyre”, thotë ai.

“Ajo që bëj është formë arti”-Christopher Blair

“Je apo nuk je dakord me të, ajo që bëj është formë arti”, thotë Blair. “Ato çka shkruaj prej një kohe të gjatë, i lexoj dhe qesh me veten. Është qesharake”. Schenk tregon se postimet e Blair-it e kanë çuar tek shkrues të tjerë lajmesh të rreme, ata që nuk përdorin kurrë shfajësime për lajme dhe vazhdojnë në shpërndarjen e gënjeshtrave. Adoleshentët maqedonas nuk janë të vetmit që kopjojnë dhe ngjisin nga Blair – të tjerë shkrues të lajmeve të rreme rreth botës, bëjnë të njëjtën gjë. Për shkak të kësaj, thotëSchenk “ai është një rrugë e mirë për të pikasur uebsajtet me lajme të rreme.”

Nuk po përpiqem të të mbyll
Maarten Schenk

Kështu biseda që duhet të ishte e inatosur dhe luftarake rezultoi të ishte shumë miqësore. Edhe kur Blair deklaron se nuk do të ndalet së shkruari lajme të rreme. “Nuk e di nëse [Maarten] dëshiron të më mbyllë. Mbase do ta bëjë.” Pastaj i drejtohet bashkëfolësit, “Je i mirëpritur të përpiqesh.” “Mundem të të siguroj se nuk po përpiqem të të mbyll”, përgjigjet Schenk. Ndërsa biseda shkon në fund, e pyes Blair-in – këtë kumbar të lajmeve të rreme dhe njeriun që e gjurmoi, nëse kanë një fjalë të fundit. “Mos ndal së bëri atë që bën”, thotë Blair. Dhe me një nuancë respekti në zërin e tij, Schenk përgjigjet. “Gjithashtu.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë