Rend dhe Ligj

Kulisat e SPAK – Gjithë emrat që po luajnë të kapin Prokurorinë

Me gjithë thirrjet e deritanishme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por edhe të Bashkimit Evropian, numri i aplikantëve që synojnë Prokurorinë e Posaçme, SPAK, është mjaft i ulët. Që kur është hapur aplikimi, kanë dorëzuar dokumentet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, vetëm dy prokurorë të Krimeve të Rënda, megjithëse të gjithë prokurorët e krimeve të rënda të pyetur nga Gazeta “Si”, u shprehën se do të aplikojnë dhe do t’i dorëzojnë formularët pranë KLP. Jo vetëm për ambicie, por edhe sepse me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ata, nëse nuk qëndrojnë prokurorë në SPAK, do t’u duhet të hyjnë në listë pritjeje, derisa KLP t’i emërojë në Prokuroritë ku do të ketë vakanca. Se sa do ta përtypin këtë fakt 19 prokurorët aktualë të Krimeve të Rënda, kjo mbetet për t’u parë. Të vetmit që deri tani kanë shpejtuar për të konkurruar janë prokurorët e Krimeve të Rënda, Klodian Braho që njihet si prokurori i Adriatik Llallës dhe Besnik Muçi, që njihet si konkurrenti i Arta Markut, edhe pse karrigia e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm u komentua si e paracaktuar.

Por ndërkaq si në çdo kohë kur ka lëvizje, emërime, caktime apo edhe transferime, kanë nisur të vlojnë fjalët e korridoreve, lobingjet dhe ato që rëndom quhen “pazare”. Prokurorët, në kushte anonimati, tregojnë lëvizjet që po bëhen për të kapur SPAK-un, madje duke rregulluar edhe se kush po lobon dhe se kush ka mbështetje për të shkuar në SPAK. Megjithëse është premtuar se Prokuroria e Posaçme do të ketë një filtër të fortë, përfshi edhe formularin e heqjes dorë nga privatësia sëbashku me familjarët, fjalët nuk mungojnë për emra konkretë.

Gazeta “Si” u interesua dhe zbuloi se mes emrave që po bëhen gati për të shkuar prokurorë në SPAK, janë edhe emrat e zonjës Alma Felaj, kunata e deputetes të PS-së, Ermonela Felaj, e cila aktualisht është zëvendësdrejtuese në Prokurorinë e Durrësit, apo të zotit Arben Karaja, i cili e ka kaluar Vettingun dhe aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai njihet si prokurori që hetoi ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha, aktualisht kryetari i Partisë Demokratike, për aferën e Rrugës Durrës-Kukës. Mes atyre që përfliten dhe që thuhet se ka mbështetje edhe jashtë vendit është edhe prokurori Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit, Tiranë i cili përfaqësoi akuzën e shtetit në Apel për tragjedinë e 21 janarit. Por, në tavolina kanë shprehur ambicie dhe kanë treguar se u ishte premtuar SPAK edhe krahu i djathtë i Arta Markut, Alketa Zifla që me herët ka qenë prokurore në Tiranë dhe në Fier, apo Afrim Shehu prokuror në Durrës, për të cilin thuhet se nuk ka mbushur ende 10 vjet në këtë detyrë pasi me herët kanë qenë oficer i policisë gjyqësore.

“Miqtë “ janë në hall për prokurorin Shehu pasi nuk ka mbushur pragun që kërkon ligji dhe nuk dihet ende se si do zgjidhet kjo çështje. Në të njëjtin grup të Arta Markut, flitet edhe për prokuroren tjetër të Durrësit Ornela Rrumbullaku që gjithashtu ka mbështetje të fortë nga klani ‘Marku”, sikurse edhe prokurori Edmond Kaloshi. Asnjëri prej tyre nuk është aktualisht prokuror i Krimeve të Rënda dhe askush nuk e shpjegon dot se si do të realizohet kjo gjë. Megjithatë, ajo që kuptohet është se prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme i ka surprizuar të gjithë me lëvizjet e saj për të marrë edhe sërish vetë drejtimin e organit të akuzës, për aq sa ajo fitoi gjatë votimeve për në KLP, duke futur në Këshill krahun e saj të djathtë si anëtar. Zërat thonë se do të jetë ai që do të luftojë për vota kur të vijë fjala tek planet afatgjata, jo vetëm për në SPAK, por edhe për postin tjetër të prokurores së përgjithshme. Listës së atyre që po lobohet dhe që thuhet se iu është premtuar SPAK, nuk i mungon as Donika Prela, e cila sipas burimeve nëse e kalon Vettingun, do të garojë bindshëm për të marrë drejtimin e SPAK, me një pretendent tjetër, po me mbështetje zotin Arben Krajën. Dhe ndërsa korridoreve përfliten edhe emra politikanësh që i mbështetin dhe skemash që kanë nisur ethshëm, në listën e mësipërme thuhet se janë edhe dy prokurorë aktualë të Krimeve të Rënda, Dritan Prençi dhe Vladmir Mara, të njohur ndryshe si prokurorët e Habilajve dhe të Saimir Tahirit.

Gazeta “Si” mësoi gjithashtu se shumica e prokurorëve kanë vendosur të dorëzojnë kandidaturat javën e fundit, para se afati njëmujor të përmbushet. Se përse është lënë kjo gjë për në momentin e fundit, askush nuk tregon. Por nëse vërtetë ndodh që në limitet e mbylljes së aplikimit të ketë fluks aplikimesh, kandidatët e SPAK tregojnë se i kanë luajtur fort kartat për të fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë