Analize

SPAK dhe Gjykata e Posaçme – “Drejtësia e Re” ka emrat e saj

Reforma në Drejtësi ka hyrë në një fazë të re, pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dy institucionet e reja të drejtësisë kanë si detyrë për të formuar Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen ka publikuar së fundmi mundësitë e krijimit sipas afateve të organeve të posaçme të drejtësisë, duke publikuar njëherësh edhe kandidatët e mundshëm për gjyqtarë apo dhe prokurorë.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shkalla e Parë do të ketë minimalisht 16 gjyqtarë, ndërsa ajo e Apelit 11 gjyqtarë. Gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme do të emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe përpara emërimit ato duhet t'u nënshtrohen dhe kalojnë me sukses tre kritere: 1. verifikimin e pasurisë dhe figurës (vetting-un); 2. plotësojnë kriteret e ngritjes në detyrë; dhe 3. japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikacione vetjake. Pavarësisht këtyre kritereve, për 16 gjyqtarët aktualë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe 12 gjyqtarët aktualë të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është garantuar mundësia e kalimit dhe emërimit të përkohshëm në Gjykatat e Posaçme duke plotësuar fillimisht vetëm kriterin e tretë: pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe të telekomunikimeve vetjake, si dhe për anëtarët e afërt të familjes.

“Emërimi i përhershëm i gjyqtarëve të cilët janë emëruar përkohësisht në detyrë në Gjykatat e Posaçme do të realizohet vetëm nëse ata/ato plotësojnë të tre kriteret më lart. Në të kundërt nëse gjatë vlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjyqtarët marrin masë disiplinore, përfundon dhe caktimi i tyre i përkohshëm, pavarësisht procesit të ankimit”, thuhet në raportin e kësaj qendre.

Brenda 20 shkurtit parashikohet të mbyllet procesi për ngritjen e kësaj gjykate. Nuk mund të parashikohet se sa gjyqtarë do të jenë të gatshëm të japin pëlqimin për kufizimin e lirisë personale dhe kalimin në Gjykatën e Posaçme. Për sa i përket kalimit të procesit të rivlerësimit, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vetëm 1 gjyqtar është konfirmuar dhe është zgjedhur anëtar i KLGJ, ndërkohë që nga 12 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda vetëm 1 prej tyre është konfirmuar nga KPK.

Nëse një numër i konsiderueshëm i gjyqtarëve aktualë në Gjykatat e Krimeve të Rënda nuk do të pranojnë të nënshkruajë deklaratat për kontrollet periodike, kjo do të sillte mungesë të numrit të nevojshëm të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme. Megjithëse KLGJ do të duhet të rihapë thirrjen për aplikime, dakordësia për kufizimin e privatësisë e bën konfirmimin e përkohshëm të numrit të nevojshëm të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme një proces të shtrirë në kohë. Gjithashtu numri i vogël i gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të cilët kanë kaluar Vettingun do të kërkojë kohën e nevojshme për emërimin e tyre të përhershëm. Më të favorizuar për antarë të kësaj strukture të posaçme janë gjyqtarët e Gjykatës së shkallës së Partë Krimeve të Rënda. Qendra ka renditur edhe emrat e mundshëm si Sandër Simoni; Dritan Hallunaj i konfirmuar nga procesi i Vettingut/Anëtar i KLGJ; Ardit Mustafaj; Irena Gjoka; Daniela Shirka; Etleva Deda; Luan Hasneziri; Flora Hajredinaj; Fran Prendi; Ilirjana Olldashi; Liljana Baku; Marsela Balili; Bib Ndreca; Miliana Muça dhe Klodian Kurushi. Ndërsa nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kandidatë të mundshëm janë: Fehmi Petku; Gjovalin Pernoca; Nertina Kosova Gjyqtare/Gjykata e Apelit Konfirmuar nga Vettingu; Dhurata Haveri; Nure Dreni; Saida Dollani; Dhimitër Lara; Sokol Binaj; Amarlido Laçi, Gurali Brahimllari; Idriz Mulkurti dhe Albana Boksi.

Kandidatët për në SPAK
Qendra ka publikuar edhe kandidatët e mundshëm për të qenë si anëtarë të Prokurorisë së Posaçme e njohur ndryshe me emrin si SPAK. Afati i shpallur nga KLP për emërimin e anëtarëve të kësaj strukture që ndryshe quhet edhe si FBI-ja shqiptare është deri më 19 shkurt. Në ndryshim nga mundësia e emërimit të përkohshëm të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme, për prokurorët të cilët do të kandidojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme rekrutimi do të kryhet nga fillimi, sipas një procesi aplikimi të hapur, dhe kandidatët duhet që më parë të jenë konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Megjithëse për pozicionin prokuror në Prokurorinë e Posaçme mund të aplikojë çdo prokuror që plotëson 3 kushtet kryesore, dhe kriteret e tjera profesionale të vendosura nga KLP, ndër kandidatët kryesorë të mundshëm përfshihen edhe 22 prokurorët e Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krimeve të Rënda. Megjithatë deri tani vetëm 3 prej tyre i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit. Nga këta vetëm 2 janë të disponueshëm, pasi 2 nga prokurorët janë zgjedhur anëtarë në KLP.

Kandidatët për këtë post nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë: Donika Prela; Besnik Muçi (i konfirmuar nga Vettingu); Dritan Prençi (i konfirmuar nga Vettingu); Gentjan Osmani (anëtar i KLP); Arenc Çela; Olsian Çela; Behar Dibra; Njazi Seferi; Ened Nakuçi; Elisabeta Imeraj; Përparim Kulluri; Doloreza Musabelliu; Eugen Beci; Klodian Braho; Edvin Kondili; Blerim Tominaj; Vladimir Mara; Manjola Kajana; Pranvera Hoxha; Sonila Muhametaj. Ndërsa nga prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda janë Artan Bajrami; Bujar Sheshi. Për këtë qendër, një nga sfidat kryesore KLP dhe KLGJ është respektimi i afateve.

“Duke qenë se kalimi me sukses i vetting-ut është parakusht kryesor për emërimin e kandidatëve, KLP mund ti kërkojë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rivlerësimin me përparësi të atyre kandidatëve të pa rivlerësuar të kualifikuar në listën e KLP-së si kandidatë për në Prokurorinë e Posaçme. Megjithatë, nëse afati 2 mujor do të respektohej, KPK-së do t'i mbeteshin më pak se 2 javë kohë për të përmbyllur procesin e rivlerësimit. Në këtë mënyrë, referuar afateve ligjore, afateve të deritanishme të aplikimit dhe numrit të kandidatëve të mundshëm të pa rivlerësuar, vetting-u megjithëse është një nga hapat kyç dhe të domosdoshëm të procesit, përbën edhe një nga sfidat e tij në drejtim të respektimit të afateve ligjore të përcaktuara për ngritjen e Gjykatave të Posaçme dhe SPAK”, thuhet në studimin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Kandidatët për Gjykatën e Posaçme
Lista për prokurorë të SPAK

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë