Lajme

KLP, thirrje prokurorëve: Aplikoni për vendet vakante të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u ka bërë thirrje prokurorëve që të aplikojnë për 15 vendet vakante të SPAK. Janë 15 vende bosh për të gjithë prokurorët e rretheve dhe Tiranës që të mund të bëhen pjesë e Prokurorisë Speciale.
Përmes një njoftimi zyrtar, KLP publikon edhe listën e dokumenteve që kërkohen.
Prokurorët që duan të aplikojnë nuk e kanë të nevojshme që të dorëzojnë pranë KPK: kopjen e noterizuar e diplomës së studimeve në drejtësi dhe të listës së notave; kopjen e noterizuar e diplomës së studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe të listës së notave (n.q.s ka); kopjen e Dekretit të Presidentit për emërimin si Prokuror; kopjen e Urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm për caktimin si prokuror në Njësinë e Përbashkët Hetimore, Prokurorinë e Krimeve të Rënda ose Drejtorinë kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme; kopjen e 2 akteve të fundit të vlerësimit të punës dhe aftësive profesionale e morale si prokuror.
Një e re tjetër është se Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ushtrojë funksionin e tij pranë ambienteve të Prokurorisë së Përgjithshme. Kështu që dhe dokumentacioni duhet të adresohet në adresën: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Rruga “Qemal Stafa” Nr. 1, Tiranë.
SPAK së bashku me Gjykatën Speciale do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë