Futboll

Kukësi zhyt më keq Tiranën, Ze Maria i quan “pula” të tijtë

Një tjetër humbje për Tiranën, më e rënda në këto tri javë për nga mënyra si u pësua. Bardheblutë janë zhytur në krizë të thellë, pasi janë mundur 3-1 nga Kukësi në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Tri ndeshje dhe vetëm një pikë, një start jashtëzakonisht i dobët për Tiranën dhe një zhgënjim i madh për tifozërinë e saj, që në rrjetet sociale ka shpërthyer kundër presidentit Refik Halili, por edhe lojtarëve për atë që japin në fushë. Trajneri Ze Maria është gjithmonë e më i rrezikuar. Pas ndeshjes ai pranoi se në të tilla situata shkarkohet trajneri, por tha gjithashtu se do të vazhdojë të punojë për kthesën në ndeshjen e radhës. Ndoshta do t’i jepet edhe një shans i fundit.

Kukësi, pas kësaj fitoreje, ngjitet në kuotën e 4 pikëve, duke larguar disi presionin, pasi barazimit me Laçin dhe humbjes me Flamurtarin në Vlorë. Tirana mbetet në fund me 1 pikë dhe prapa në renditje ka vetëm Luftëtarin, që nuk ka marrë ende pikën e parë. Renditja kryesohet nga Skënderbeu dhe Flamurtari, me nga 7 pikë.

Nga ndeshja Kukësi-Tirana, 3-1

Tirana e nisi ndeshjen në disavantazh. Që në minutën e dytë pësoi gol, pas një kundërsulmi “vrasës” të Kukësit, të finalizuar nga afrikani Rexhinaldo. Ishte pikërisht ai njeriu i ndeshjes, pasi shënoi edhe dy herë të tjera në portën bardheblu, në fundin e pjesës së parë dhe në pjesën e dytë, direkt pas golit të Tiranës, që mban firmën e të riut Muçi. Skuadra bardheblu ka bërë shumë gabime në këtë ndeshje, veçanërisht në mbrojtje, duke pësuar gola shumë të thjeshtë. Trajneri brazilian, Ze Maria, ka bërë tri ndërrime që në pushim, duke rrezikuar jo pak. Ai kishte lënë jashtë mbrojtësin Albi Doka, që është bërë një çështje te bardheblutë, ndërkohë që zëvendësoi pas 45 minutave të para kapitenin Karabeci dhe sulmuesit Sentamu dhe Bllazhevski. Tirana hapi ndeshjen me golin e Muçit, por u godit menjëherë më pas nga goli i tretë dhe gjithçka përfundoi.

Zemërimi i Ze Marias

Pas humbjes me Kukësin, e dyta të tri javë, trajneri i Tiranës pranoi se është i rrezikuar për t’u shkarkuar, por shpërtheu në akuza ndaj lojtarëve për gabime, që sipas tij, nuk i bëjnë as fëmijët: “Luajtëm si pula dhe  pësuam 3 gola nga gabimet tona. Nuk reaguam në një goditje këndi, gabime që as fëmijët 8 vjeç nuk i bëjnë. Kam thënë se ekipi i vërtetë do të shihet pas 3-4 javëve të para dhe tani nuk ka justifikime. Thuajse të gjithë lojtarët kanë luajtur, ua kam dhënë mundësinë të gjithëve.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, gjatë ndeshjes me Kukësin.

Kukësi është një shkallë sipër Tiranës, që nuk ka eksperiencë. Duhet të përgatitemi dhe të përmirësohemi për javët në vazhdim. Tani e tutje do të luajnë ata që kanë dhënë më të mirën deri tani. I kam idetë më të qarta tani, sepse shumë lojtarë nuk i njihnim. Duhet vlerësuar mirë situata. Mungesa e rezultateve? Shkarkohet trajneri, është e thjeshtë. Nuk fshihem, kur nuk ka rezultate e pëson trajneri, sepse nuk mund të hiqen 25 lojtarë, por do të punoj pa u shmangur me fjalë. Jemi një skuadër, nuk varemi nga Erando apo nga Doka. Nuk kam të preferuar në skuadër”, – theksoi trajneri brazilian pas ndeshjes.

Në fundin e pjesës së parë pati edhe një përplasje fizike mes tifozëve të Tiranës. Duket se thirrjet kundër presidentit Refik Halili nuk u kanë pëlqyer disa prej pjesëtarëve të grupit dhe ka pasur një zënkë brenda llojit në radhët e ultrasve bardheblu.

Moment nga incidenti mes tirfozëve të Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi”

Gjen fitoren e parë në kampionat edhe Teuta e Bledi Shkëmbit, që ka mundur 1-0 Kamzën në stadiumin “Niko Dovana”, me një gol të shënuar në pjesën e dytë nga Mamadu Latif, i kritikuar në dy javët e para për rastet e shumta të humbura. Durrsakët ngjiten në kuotën e 5 pikëve, me 2 barazime dhe 1 fitore, duke treguar se këtë sezon do të jenë mes pretendentëve për në Kupat e Europës. Fitorja e Teutës ka pasur kosto për Kamzën, që ka shkarkuar trajnerin Bledar Devolli. Gjirokastriti është i shkarkuari i parë në Superiore vetëm pas 3 javësh, edhe pse Kamza e tij ka 3 pikë, pas fitores së javës së parë ndaj Tiranës në transfertë. Tani më të rrezikuarit janë Ze Maria te Tirana dhe Kostiç te Luftëtari.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë