Futboll

Kukësi synon të pamundurën përballë Torpedo

Ajo humbje e thellë në transfertë, 5-2, ka minimizuar shumë shanset e nënkampionëve të Shqipërisë për të kaluar në play of-in e Ligës së Europës. Por futbolli është sporti, ku surprizat janë gjithmonë të pranishme. Për më tepër për një skuadër si Kukësi që në arenën europiane na ka mësuar me rezultatet befasuese. Në ndeshjen e parë në Gjeorgji, nuk ishte ai Kukës që jemi mësuar të shikojmë zakonisht, pasi mungonte grinta dhe organizimi strikt edhe pse për këtë gjë mund të ketë shfajësim, pasi problemet në organizimin e ndeshjes ishin të shumta nga ana e Torpedo Kutaisi.

Gjithsesi përtej të gjithave në Kukës, duke filluar që nga presidenti edhe deri tek tifozi më i thjeshtë kërkojnë fitoren që të sjellë me vete edhe kualifikim për play of-in e Ligës së Europës. Me dy gola të shënuar në fushën kundërshtare kualifikimi për Kukësin duhet të kalojë përmes një një fitore me tre gola diferencë, idealja do të ishte 3-0. Nëse shikon rezultatin e parë kjo gjë mund të duket e pamundur, por nëse shikon lojën, një rezultat i tillë mund vijë. Për më tepër me Kukësin që ka bërë disa herë përmbysje në paraqitjet e tij në ndeshjet europiane. Te verilindorët këtë javë kanë mbërritur edhe blerje të reja, bëhet fjalë për një emër të njohur për kampionatin shqiptar, si Ardian Cuculi dhe 20-vjeçari i huazuar nga Juventus, Oumar Toure.

Mbrojtësi që vjen nga Shkëndija besohet se do të marrë disa minuta në këtë përballje, ndërsa për lojtarin e ardhur nga Italia mund të ketë shpresa aktivizimi vetëm në kampionat në fundjavë.

Si rrallë herë dy ditë para ndeshjes, presidenti i klubit kuksian, Safet Gjici doli në një konferencë për gazetarët, duke folur për gjendjen e ekipit dhe merkaton e ditëve të fundit.

https://www.facebook.com/FKKukesiAlbania/videos/249449295585159/

Ndërkohë sa i përket miqve nga Gjeorgjia, ndryshe nga çfarë ndodhi me Kukësin, ata janë pritur shumë mirë. Madje përtej të gjitha rregullave të vendosura nga UEFA, Kukësi ka siguruar akomodimin e tyre 3 ditë para përballjes dhe jo një ditë, siç e ka të përcaktuar rregullorja e UFEA-s për ndeshjet në kompeticionet europiane. Torpedo Kutaisi ka zbarkuar në Tiranë që pasditen e së hënës dhe të martën e të mërkurën është përgatitur në fushën e stadiumit “Selman Stërmasi”. Skuadra gjeorgjiane vjen me grupin e plotë në “Elbasan Arena” dhe do të ketë një objektiv të vetëm, të shkojë për herë të parë në play of-in e Europa League.

Nëse Kukësi do të hidhet në sulm që në minutat e para, për ta gjetur sa më shpejt golin, Torpedo pritet të rreshtohet e ngjeshur në prapavijë. Duke u nisur nga fakti se skuadra gjeorgjiane ka mbërritur një ditë më herët se zakonisht, tregon se ata i druhen një rezultati që mund të përmbysë të gjithë punën e bërë në sfidën e parë.

Ritmi i ndeshjes do të jetë shumë i varur nga shpejtësia e golit që mund të shënohet. Nëse Kukësi shënon shpejt me shumë siguri loja do të jetë me intensitet, pasi miqtë do të mbrohen, por do të kujdesen gjithashtu që të bëjnë së më shumë dëme në daljet e tyre.

Kompanitë e basteve koutojnë si favoritë për ta fituar ndeshjen, Kukësin, ndërsa për t’u kualifikuar shikojnë pretendente Torpedon, që niset me tre gola avantazh në përballjen e së enjtes ora 17:00 në “Elbasan Arena”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë