Futboll

Kukësi nuk i ndahet kreut, i falet kapitenit Shameti

Kukësi qëndroi vetëm pak orë larg Skënderbeut dhe Partizanit, dy skuadrave kryesuese të Superiores. Skuadra e trajnerit Cungu ka mundur 1-0 Kamzën në stadiumin “Loro Boriçi” dhe tashmë është bashkuar me të kuqtë, në kuotën e 10 pikë, 1 pikë pas korçarëve. Nuk ishte aspak e lehtë për verilindorët ndaj Kamzës, që mbeti në lojë deri në fund, por pa mundur ta barazojë rezultatin. Kukësi ka pasur rastet e veta për të dyfishuar, por kishte përballë një Avdyli në një formë të shkëlqyer në portën e Kamzës.

Ndeshja është vendosur nga një gol i kapitenit të Kukësit, Ylli Shameti, i cili këtë herë ka shënuar me këmbë dhe jo me kokë, siç jemi mësuar ta shohim zakonisht. Mbrojtësi gjirokastrit ka shfrytëzuar një pasim në zonë nga e majta dhe e ka përcjellë topin në rrjetë.Ai ia ka kushtuar golin mesfushorit Besart Musolli, i cili ka pësuar një dëmtim. Kukësi konfirmon pretendimet për titullin kampion dhe duket se gradualisht po distancohen edhe skuadrat që do të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm. Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani janë kandidatët kryesorë, pa nanvlerësuar Flamurtarin, që për momentin po kalon një minikrizë.

Kukësi feston golin e Shametit

Pas fitores në Shkodër, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, u shpreh: “Na kënaq fitorja dhe loja. E kemi merituar këtë fitore, edhe pse Kamza na vuri në vështirësi. Dua të komplimentoj djemtë për atë çfarë dhanë në fushë. Rexhinaldo po luan mirë, ka shpirt gare, por gjithë ekipi është nivelin e duhur dhe rezultati mund të ishte më i thellë. Duhet të shfrytëzojmë më mirë rastet para portës, ku na mungon qetësia”.

Armando Cungu, trajneri i Kukësit

Kastrioti ka ndalur serinë e humbjeve dhe ka barazuar me Laçin në Fushë-Krujë. Ndeshje që i ka pasur të gjitha: rastet, golat dhe kartonët e kuq, nga një për secilën skuadër. Zhunior kaloi krutanët në avantazh kur kishin mbetur edhe 12 minuta lojë, por Kastrioti nuk mundi ta ruante rezultatin dhe Laçi barazoi me mbrojtësin Fangaj. Një pikë morali për skuadrën e Plorit, ndërsa trajneri i Laçit, Artan Mërgjyshi, theksoi pas ndeshjes së të tijtë duhej të kishin fituar. 

Renditja e Superiores pas javës së 5-të
 

Më Shumë