Futboll

Kukësi mposht Laçin dhe u bën presion dy kryesuesve

Fatjon Rupi - Me një gol të brazilianit Uilliam Kordeiro, Kukësi ka mundur Laçin në fushën asnjanëse të “Elbasan Arenës, ku këtë herë pritës ishin kurbinasit. Kukësi e ka nisur shumë mirë fazën e dytë, pasi kjo konsiderohet një fitore në transfertë dhe që e afron ekipin e trajnerit Cungu 1 pikë me vendin e dytë, që mbahet nga Skënderbeu. Korçarët luajnë të hënën me Partizanin  kryesues dhe kuksianëve do t’u leverdiste një barazim në këtë sfidë.

Një tifoze speciale në "Elbasan Arena"

Ndeshja është zgjidhur në pjesën e dytë, kur Uilliam Kordeiro ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë një pasim të bukur në zonën kundërshtare për të mposhtur kapitenin e Laçit, Selmanin. Falë edhe ndërrimeve të trajnerit Cungu, Kukësi e ka ruajtur rezultatin dhe në fund i është gëzuar trepikëshit. Për Laçin ishte humbja e dytë radhazi në këtë stadium, pasi një javë më parë u mund thellë nga Teuta, 0-3. Kurbinasit tashmë kanë zbritur në vend të katërt.

Uilliam Kordeiro feston golin ndaj Laçit me Rexhinaldon

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, e komentoi kështu fitoren ndaj Laçit: “Në pjesën e parë kundërshtari ishte agresiv në lojë, i fitoi dyluftimet, ndaj dhe ndryshuam vendosje. Dolëm në lojën tonë dhe në pjesën e dytë patëm më shumë dëshirë dhe ritëm. Ka disa javë që nuk e nisim mirë ndeshjen dhe më pas përmirësohemi. Shënuam dhe mund të dyfishonim. Rexhinaldo punon mirë për ekipin, edhe pse nuk shënon, ndërsa Uilliam po tregohet vendimtar. Partizani-Skënderbeu? Nuk pres dhurata”.

Armando Cungu, trajneri i Kukësit

Me fat ishte fusha asnjanëse edhe për Luftëtarin, që ka mnposhtur Kastriotin e vendit të fundit me rezultatin 0-2 në Fushë-Krujë. Njeriu i ndeshjes ishte sulmuesi Vasil AShkurtaj, autori i të dy golave në pjesën e dytë për gjirokastritët, të cilët kanë shlyer kështu gabimin e fazës së parë, kur u mundën në fushën e tyre nga krutanët. Me këtë trepikësh, Luftëtari i largohet zonës “frigoriferike”, pasi ka lënë poshtë edhe Kamzën, përveç Kastriotit.

Skuadra e trajnerit Mezani ka barazuar Tiranën me 9 pikë dhe mban vendin e tetë. Pas ndeshjes, trajneri vlonjat i Luftëtarit u shpreh: “Fitorja më bën të lumtur dhe i përgëzoj të gjithë lojtarët pa përjashtim, sepse treguan karakter. Fitorja vlen shumë, sepse është marrë në një transfertë delikate. Më vjen keq për faktin që pati lojë të rëndë nga Kastrioti. Ishim të shqetësuar, sepse kishim lojtarë që vijnë nga dëmtimet. Gjithsesi, bëmë detyrën dhe kjo ka rëndësi. Rikthimi i Rrocës na ka ndihmuar shumë. Tani duhet të ruajmë ritmin në ndeshjet në vazhdim”.

Java e 10-të e Superiores mbyllet me kryendeshjen Partizani-Skënderbeu, që luhet të hënën në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të kuqtë kanë shansin e shkëputjes, ndërsa korçarët synojnë të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë